Mos e besoni po deshët! Para Vitit të Ri opozita rrëzon Ramën nga pushteti, me thirrjet Basha ik

Mos e besoni po deshët! Para Vitit të Ri opozita rrëzon Ramën nga pushteti, me thirrjet Basha ik

Sali Berisha dhe Lulzim Berisha

Unë besoj se popullit, në vend të rrenave të hijshme, duhet t’ia tregojmë të vërtetën, pavarësisht sa e shëmtuar mund të jetë ajo. E çfarë mund të bëjmë, fati nuk ka qenë i mirë me ne; por, me ndihmën e Zotit, ne do të kemi sukses – ka qenë disa nga fjalët e famshme të Alija Izetbegoviç, presidenti i parë i Bosnie dhe Hercegovinës. Kjo thënie e tij i përket kohës kur Bosnia sapo kishte fituar pavarësinë nga ish-Jugosllavia, e cila përkon me kohën kur në Shqipëri u vendos sistemi i ri demokratik.

Në këto 30 vite janë thënë aq shumë gënjeshtra saqë ka një të vërtetë; garën se kush e ka gënjyer dhe kush po e gënjen më tepër popullin shqiptar, e ka fituar opozita. Nëse qeveritë detyrohen që të gënjejnë për të mbajtur pushtetin, atëherë pyetja shtrohet: Opozita pse ndodh, që të mashtrojë edhe më tepër kur është në opozitë dhe sa afër të vërtetës mund të jetë ajo kur të vijë në pushtet.

Ka shumë që pyesin se çfarë avantazhesh ka Partia Socialiste dhe Edi Rama, i cili po e udhëheq vendin në një mandat të tretë historik, krahasuar me opozitën?

Avantazhin më të madh Edi Ramës ia ka siguruar opozita e vjetër, ajo e djeshme, e cila mbahet peng për interesa të caktuara, duke gënjyer dhe mashtruar vazhdimisht veten. Në pamundësi për të ardhur sërish në qeverisje, ajo beson se do të vijë një ditë, pavarësisht kohës se kur, për të gënjyer edhe të tjerët.

Është ky besim i tepruar i saj, që duke gënjyer veten, beson se po gënjen edhe të tjerët. Në fakt opozita e djeshme ka mbetur peng i së kaluarës. Ajo nuk po lejon zhvillimin e saj, ose po pengon qëllimshëm alternativa të tjera. Për pasojë, vetë ajo është zhytur kohët e fundit në një krizë të thellë identiteti. Si rezultat, sido që të jetë dhe të qeverisë Edi Rama, ai ndoshta e ka kuptuar se veç të tjerash është edhe një kryeministër me fat: Për sa kohë vendit do t’i mungojë një alternativë tjetër serioze, pikërisht kjo lloj opozite jetën politike qeverisë ia zgjat.

Elektorati i majtë sipas të dhënave zyrtare të zgjedhjeve të 30 viteve të fundit ka qenë dhe mbetet më i madh në numër, ose nuk tkurret. Kjo ndodh ngaqë opozita si alternativë gënjen vazhdimisht veten e saj dhe nuk bind të tjerët. Prandaj Edi Rama dhe qeverisja e tij, pavarësisht të vërtetave ose gënjeshtrave të tyre, mjaftohen që të kenë përballë një gënjeshtër më të madhe se vetja, për të mbajtur sa më gjatë dhe të sigurt pushtetin.

Edhe qeverisjes së Merkelit në Gjermani, edhe asaj të Biden në SHBA, i numërojnë me mijëra të meta dhe defekte. Edhe pse e vërtetë, iu deshën plot 16 vite të majtës gjermane në opozitë, për të marrë 25 për qind të votave në zgjedhjet e fundit që të dalë forcë e parë, me qëllim që ta zgjedhë ajo kancelarin e ri, ndonëse për këtë i duhet një koalicion i gjerë, qoftë edhe me kundërshtarët politikë.

A është për shembull, një gënjeshtër e madhe kur Edi Rama akuzohet në Shqipëri se nuk është votuar nga shumica e shqiptarëve, por përkundrazi, mori vetëm 49 për qind të votave përkundrejt 51 që është shumica, pavarësisht se siguroi për mandatin e tretë 4 deputetë më tepër nga numri i nevojshëm që të krijonte i vetëm qeverinë, pa llogaritur 3 të PSD. Dhe nga ana tjetër, a është e besueshme opozita kur thotë se Rama i manipuloi zgjedhjet, ndërsa deputetin më të votuar të PD-së, Agron Shehajn, po e ‘masakrojnë’ publikisht po ata vetë, dhe jo kundërshtari politik, se ka blerë me mijëra vota në Tiranë, me para në dorë.

Prandaj, për të përmbysur këtë raport me historinë e saj, opozitës i duhet së pari, të jetë më e vërtetë dhe e besueshme se vetë qeveria.

Nëse Perëndimin dhe shumicën e shqiptarëve nuk po i gënjen dot, opozita e vjetër vazhdon dhe gënjen veten aq sa beson sot, duke thënë se ato janë të manipuluar nga qeveria dhe kreu i saj, njësoj sikur Edi Rama të ishte i madhi Zot.

Opozita e djeshme duke gënjyet sot veten thotë se ekonomia në kohën e saj ishte më e mirë se ajo që kemi tani, madje besonte deri dje se ishte ekonomia e dytë në Europë pas Gjermanisë, ashtu sikurse pretendon se e njëjta ekonomi, si me magji, doli në vendin e fundit në Ballkan vetëm një ditë pasi Edi Rama mori pushtetin. Ajo nuk thotë se sa ishte shkalla e informalitetit në kohën e saj, evazioni fiskal, madje nuk jep asnjë shifër krahasuese, që ta besojë edhe vetë. Por beson se ekonomia e shqiptarëve ka rënë në një masë edhe më të madhe sot, sa edhe e ministrave dhe e kryeministrit që kishim gjatë qeverisjes së saj. Shumë zëra opozitarë e kundërshtojnë sot ekonominë dhe “Ballkanin e hapur”, paradoksalisht përveç ish-guvernatorit Ardian Fullani dhe dhe ish-ministrit të Financave, Ritvan Bode, dy njerëzit me më tepër peshë të opozitës së djeshme, për ekonominë.

Edhe arsimin në kohën kur vendi drejtohej prej saj, opozita beson se e kishte në një situatë më të mirë. Sepse në kohën e saj mund të diplomoheshe me postë, pa qenë as nevoja që të kishe mbaruar gjimnazin. Mund të merrje diplomën me para “cash” pa qenë nevoja që të jetoje në Shqipëri, madje, mund të diplomoheshe shkëlqyeshëm në Gjuhë shqipe pa ditur asnjë fjalë shqipe. Mund të përfitoje gradë shkencore me lehtësi, pa të pyetur kush as për temën e ‘studimit shkencor’.  Kusht i mjaftueshëm ishte të kishe para, kusht i domosdoshëm të ngrije dy gishtat lart.

Edhe sa i përket turizmit ajo beson se ky sektor mori zhvillim, sepse bregdeti u zaptua me ndërtime pa leje dhe pa asnjë kriter dhe madje dielli kishte më tepër cilësi në kohën e saj, ndërsa vetëm atëherë, në bujqësi fermerët i prodhonin mollët në Lushnje, kurse portokallet në Korçë. Ndryshe nga gjendja e tanishme me probleme pa fund në shendetësi, ajo beson se gjatë qeverisjes së saj ish- ministri Nard Ndoka inkurajoi ‘zbulime të mëdha shkencore’, veç ‘ringritjes’ së spitaleve të kohës së Enverit.

Ajo beson sot se drejtësia e re që po ngrihet kryesisht me investimet dhe mbikqyrjen e rreptë tē faktorit ndërkombëtar është totalisht e kapur nga Edi Rama, ndryshe nga sistemi i ‘pavarur’ i drejtësisë gjatë qeverisjes së saj, kur hetimet i kryesonte me përpikmëri Adriatik Llalla, ndërsa gjykimet e larta i realizonte me vendosmëri Gjin Gjoni, me shokët e partisë.

Opozita e vjetër beson nga fakti që nuk e pranon Perëndimi, madje flet se edhe për përçarjen e saj, fajin e ka Edi Rama. Ajo beson së fundmi se edhe kryetarin “e pagëzuar” prej saj pas tre humbjeve radhazi, Lulzim Basha, e mori ‘peng’ Edi Rama një ditë pasi u përjashtua nga grupi parlamentar demokrat, Sali Berisha.

Opozita e së kaluarës beson se Edi Rama ka influencuar deri në Departamentin Amerikan të Shtetit, për shpalljen ‘non-grata’ të liderit të saj historik. Beson gjithashtu se edhe ambasadorët e huaj, kancelaritë europiane, edhe Erdogan, janë të kapur prej tij.

Opozita e djeshme lindi dhe u rrit duke gënjyer veten. Ajo besoi që në lindje se lideri i saj historik, i cili mbante teserën e partisë së Enverit në xhep deri në ’90, ishte perëndimor, dhe solli pluralizmin tre muaj pas krijimit të Partisë Demokratike, kur u vu në drejtimin e saj. Kanë 30 vite që ata besojnë se ai edhe sot po lufton si askush tjetër kundër regjimit komunist dhe SHBA-ve paralelisht, madje edhe më ‘heroikisht’ se Don Kishoti, vetëm e vetëm për të shpëtuar demokracinë në Shqipëri.

Përgjithësisht për elektoratin e majtë Edi Rama si kryetar i PS-së, drejtimin e së cilës e mori me meritë të plotë, është një lider i suksesshëm dhe progresist, të cilit ata i besuan votën për të drejtuar fillimisht Tiranën në tre mandate radhazi. Po kaq mandate ka siguruar deri tani përmes besimit të tyre Rama, që të udhëheqë vendin. Ndërsa për elektoratin e djathtë ai nuk është asgjë tjetër veçse njeriu më i korruptuar në Shqipëri, kriminel, drogaxhi, familjar i keq, i blerë nga Vuçiç, peng i oligarkëve dhe i krimit të organizuar, i Sorosit dhe i Merkelit, një   mësues i dështuar vizatimi dikur dhe akoma më i dështuar etiketohet politikisht se ishte si basketbollist, publicist dhe emigrant në Paris.

Cila është e vërteta dhe gënjeshtra mes të dyjave? Derisa ajo të zgjidhet, opozita e djeshme ka kohë për t’u kthyer në një alternativë serioze dhe konkuruese. Ajo aktualisht ka mobilizuar bazën dhe ka nisur një fushatë denigruese ndaj kryetarit të saj, aq sa është bërë gati të shkarkojë nga detyra Lulzim Bashën para Vitit të Ri, për të zgjedhur në vend të tij, një kryetar të ri.

Lulzim Basha nga ana tjetër ka nisur një aksion të ri politik për të mbajtur postin në parti dhe paralelisht synon rrëzimin e qeverisë.

Edi Rama ndërkaq në pushtet prej ’98, (ministër, kryebashkiak dhe pas vetëm dy viteve në opozitë kryeministër), si një “dështak i madh politik” që është sipas opozitës së pakorigjueshme edhe më lehtësisht do të ketë që ai sigurojë mandatin e katërt dhe të pestë.

– Gënjeshtarët e mëdhenj vuajnë nga opinionet e tyre – ka thënë dikur, Leonardo Da Vinçi.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?