Kapriçot e motit do të na shoqërojnë deri në fund të muajit maj. 10 ditëshi i fundit i muajit maj do të jetë me vranësira dhe me reshje, por me temperatura të cilat i kalojnë 20 gradë Celsius. Për Report TV meteorologia Adiola Bani thotë se prezenca e reshjeve do të jetë minimale dhe jo problematike, por për sa i përket kthjellimeve do të jenë prezente vetëm gjatë orëve të paradites.
“Për sa i përket vlerave, pritet që gjatë këtij 10 ditëshi të kemi vlera mbi 25 gradë celsius, për shkak edhe të pranisë së orëve me diell më të dukshme. Për sa i përket reshjeve të shiut, vijojnë të mbeten prezente edhe gjatë këtij 10-ditëshi, edhe pse do të jenë në sasi më të pakët të fokusuara në orët e mesditës, ndërsa paraditja dhe orët e pasdites do të jenë kryesisht me diell dhe të kthejllëta”.
Muaji qershor do të nisë me reshje shiu, por me temperatura normale për stinën. Reshjet do të zgjasin vetëm në pjesën e parë të muajit, ndërsa në pjesën e dytë fillojnë kthjellimet dhe temperaturat e larta.
“Reshjet e shiut do të vijojnë të mbeten prezente edhe pjesën e parë të muajit qershor, pavarësisht se ky muaj do të paraqitet i ngrohtë dhe i lagësht, të paktën pjesa e parë, pasi do të kemi prezencë të reshjeve të shiut. Pjesa e dytë e qershorit do të jetë ajo që do të ketë më shumë ditë me diell dhe temperatura sigurisht më të larta, duke shijuar edhe plazhin. Por që pjesa e parë e qershorit do të vijojë të mbetet me prezencën e reshjeve të shiut”.
Muaji maj ka pasur temperatura normale për stinën, të cilat kanë vijuar nga 25 gradë Celsius, deri në 29 gradë Celsius, që u shënua të dielën që lamë pas, por për shkak të vranësirave dhe reshjeve të shiut është paraqitur i freskët.