Mos e vrisni Gurakuqin për
herë të katërt

Mos e vrisni Gurakuqin për<br />herë të katërt
U  vra pabesisht në Bari me  2 mars 1925. “U vra për here te dyte” ditën që atentatori i tij u lirue si i pafajshëm. “U vra për herë të tretë” kur shtëpia e tij (monument kulture) në Shkodër u la të shembej. “Po vritet për herë të katërt” duke e lanë në harresë.

Si fëmijë e si nxënës,  rrugës për në shkollë,  u përshkova vjet me rradhë para shtëpisë së Luigj Gurakuqit, ku shpesh ndalesha te dera e prej ndonjë plase në drunin e vjetër, kuriozohesha tuj pa grykën e rrasën e pusit, shkallët me gurë të latuem e madhështinë e çardakut karakteristik. Duke qenë se fantazia e fmijës shkon shumë larg, përshkoja me imagjinatën time dhomat e errëta e të pluhnosuna të kësaj shtëpie, drejt xhamave ku gjendeshin teshat e gjakosuna e me gjurmë plumbash të Luigj Gurakuqit, burrit që e deshti deri në flijim atdheun.
 
Por duhet thanë qi pata fat, mbasi brezat e sotëm munden vetëm me ndigjue për  shtëpinë  (e asgjesueme) muze, se një ditë mësuesi im i historise (zotni Mark Temali) na dha shansin  me e vizitue muzeun, me i pa këto relike e me kuptue se çfarë  bën dora tradhtare e atij që shet nderin dhe kombin. Atë ditë, vizitën tonë na e zbukuruan dëshmite e dhimbshme e të paharrueshme për vrasjen në pritë të Gurakuqit,  që po na i tregonte një burrë i moshuem, i cili ishte dhuruesi i teshave të martirit Gurakuqi, kur shtëpia e tij u bë muze, akt të cilin qyteti i Shkodrës e përcolli me simpati dhe respekt. Ky burrë i moshuem ishte atdhetari shkodran Gjon Kamsi, i cili ishte mik i ngushtë i Luigjit, të cilin e pat edhe kumbar në martesë. 
 
Akti i ruajtjes dhe dorëzimit të objekteve, akt i rrallë patriotik
Ishte dita e 18 shkurtit 1964 kur Gjon Kamsi (sipas aktit të dorëzimit të mbajtur me këtë qëllim), një ditë para se të hapej Muzeu, u paraqit në dyert e shpise së Gurakuqve  dhe i dorëzoi drejtorit të muzeut popullor në Shkoder, Vasil Llazarit, 53 objektet  që i përkisnin heroit tonë kombëtar Luigj Gurakuqi.
 
Në mes të objekteve gjendeshin dhe një palë pantallona me njolla gjaku të cilat martiri i pati të veshura  në momentin e vrasjes (atentatit), tri facoleta të gjakosuraa, një portofol prej lëkure, në të cilin në momentin e vrasjes u gjeten 400 lira italiane, një sahat i markës “Diana”, një vulë për dyll me dorezë të zezë me shkronjat L.G. dhe dy copa dylli te kuq, një presë e vogël brisku, një gomë “Erika”, këpucë të zeza me qafa e butona.
Autoritetet partiake të qytetit e pritën mirë aktin e dorëzimit të objekteve nga Gjon Kamsi, por edhe i kërkuan llogari atij se pse nuk i kishte dorëzue ato ma parë.

Gjoni, me largpamësi, nuk i kishte dorzue teshat në muzeun e qytetit, mbasi priste e shpresonte se do te vinte dita që shpia e lindjes e Gurakuqit të bëhej muzeu i tij. Shumë kush e pyeste Gjonin se sa ishte shperblyer, sa lekë kishte marre për këte vepër, e burri patriot Gjon Kamsi i pergjigjej me krenari e qytetari : “ Nuk shitet gjaku i martirëve. Në jetën time shoqërore nuk kam synue jkurrë për dobina vetjake, por vetëm me i vijtë atdheut për të mirën dhe lavdinë e tij.

Ne pjesën e mbrapme të fotos 2, ndodhet shënimi në kujtim të aktit patriotik të atdhetarit shkodran Gjon Kamsi:
Shokut Gjon Kamsi, ia dhuron këtë fotografi Muzeu Popullor i Shkodrës në kujtim të ditës kur i solli objektet e çmueshme të patriotit Luigj Gurakuqi në shtëpinë muze kushtue Luigj Gurakuqit, pikërisht me dt. 18 Shkurt 1964, një ditë para hapjes së këtij muzeu.

Ne foto: Stilian Adhami, Inspektor i Ministrise s´’Arsimit dhe te Kultures (Dega Kulture)Tirane, patrioti Gjon Kamsi, Vasil Llazari, drejtori i Muzeut Popullor Shkodër, Minire Agolli, Cicerone
Shkoder, 19 Shkurt 1964
 
Sipas dëshmive të Ëilly Kamsit,  birit të vetëm të patriotit Gjon Kamsi, në kohën e vrasjes së Gurakuqit, familja Kamsi jetonte në Bari të Italisë. Atë ditë,  tregon ai, nadje herët na erdhi në shtëpinë tonë Angjelin Suma, i cili ishte sekretari i Luigj Gurakuqit dhe na njoftoi për fatkeqësinë.

Shtëpia jonë ndodhej afër hotelit ku jetonte Gurakuqi dhe babai im së bashku me Angjelinin, morën nga hoteli të gjitha teshat dhe gjanat personale që i përkisnin viktimës. Teshat i kena mbajtë në shtëpi të mbylluna në një valixhe të madhe. Çdo vit, për ti ruejtun nga damtimet dhe flutra e tejes, nana ime Roza, i nxirrte ato nga valixhja dhe i hapte për ti ajrosun. Kjo valixhe ka ndjek të gjithë rrugën e peripecitë që pat  familja jone nga Italia - Bari në Shqipni – Shkodër. Është interesant fakti se mbas shumë kontrolleve, që na u bane nga njësitë e sigurimit, të cilët na morën shumë gjana, valixhja shpëtoi mbasi nuk mundën me e gjetë.

Përveç sendeve personale të Gurakuqit, Gjoni kishte mbledhur dhe ruejtur edhe objekte të tjera shumë të vecanta nga ngjarja tragjike. Në objektet që ai dorëzoi janë edhe  shiritat e kunorave që miqtë, patriotët e simpatizantët e Luigj Gurakuqit  vendosën në nderim mbi varrin e martirit shkodran.
 
Shiritat e kunorave që u sollen në varrim nga: ....Studentat e Sh´Mitrit, miku i tij Kel Marubi, nga vellezerit Kondi,  Angjelin Suma, i vellai Gjergj Gurakuqi, patrioti Nush Bushati, nga familja e Bajram Currit, nga Argjipeshkvi Mjeda dhe provinca franceskane, nga kolonia e shqiptarëve dhe studentëve shqiptarë në Romë, nga shqiptarët e Borgo – Erizzo, nga kolegët, Hasan Prishtina e Dervish Mitrovica, Familja Guraziu, Mustafa Kruja, Konstandin Kottja, nga Bar Cavour me pronar Filip Boricin, Familja Kamsi, nga populli Elbasanit, Lazër Fundo, vlleznit Dani, nga populli i Vlorës, Cin Shiroka..etj...
Objektet janë dorëzuar në muze me një procesverbal (foto 3-4) i cili nuk është firmosun nga perfaqesuesit e shtetit.
 
Kush ishte patrioti Gjon Kamsi
 
Gjoni, i biri i Palok Kamsit lindi në Shkodër me 30 prill 1894. Familja Kamsi, një familje shumë e vjetër shkodrane, (sipas dëshmive të familjes) e ka prejardhjen nga fisi i Engjëllorëve të Drishtit. Mendohet se llagapi ose mbiemri i familjes vjen nga fjala “Mekamsi”.

Dikur Kamsi-ejt, së bashku me disa familje të tjera katolike të njohuna të qytetit si familja Suma, Baba, Saraçi, Bushati,  ishin të  vendosur me shtëpi në vendin që shkodranet e quejn “Ura Dervishbeg”.

Qysh në foshnjore deri në maturim në vjetin 1910, Gjoni ndoqi shkollën italiane të Shkodrës, e cila mbas fillores, ishte  e profilit Tekniko – Tregtar. Ai ishte pjesëtar aktiv në Bandën Muzikore të Palok Kurtit, ku filloj ti binte veglës  Ottavin-o e ma vonë luejti me Flaut. Punën e nisi si nënpunës në postën e qytetit e vazhdoi mandej si ekonomist e llogaritar në një shoqëri franceze. Në kohën e luftës së parë botnore u vendos  si ekonomist në Drejtorinë e Përgjithshme të Financës së shtetit shqiptar. Së bashku me Luigj Gurakuqin e atdhetarë të tjere, Gjoni mori  pjesë në  shumë aktivitete patriotike, e në vjetin 1918 bashkë me disa aktivistë shkodranë, arrestohet nga policia me akuzën  se “po organizonin një kryengritje për futjen e Shkodrës nën influencën e qeverisë së Durrësit.”


Më vonë, për të vazhdur studimet e nalta univesitare, familja e dërgon Gjonin në universitetin e Barit në Itali në degën Ekonomi-Tregti, të cilën për shkak të fillimit të luftës së parë botnore ju desht ta ndërpresë. Me mbarimin e luftës Gjoni rikthehet në Bari ku diplomohet në po atë degë.


Gjatë lëvizjeve të shqiptarëve të Kosovës kundër Serbisë, Gjoni së bashku me Hasan Prishtinën organizojnë blerjen dhe dërgimin në Kosovë, të armëve  dhe të 1 milion fishekëve për kryengritësit. Ndërkohe ai është prezent me botimet e tij si në shtypin vendas ashtu dhe në atë të huaj me shkrime mbi ekonominë e financën me pseudonimet: GJIKAM, DR. VERITAS apo SCODRENSI. Kthehet në atdhe në vjetin 1940 dhe emërohet anëtar i këshillit kontrollues të llogarive të shtetit që kishte tagrin për të kontrollue të gjitha dikasteret.

joni është i pari shqiptar, i cili ka botuar të plotë biografinë e heroit Luigj Gurakuqi, e cila doli në Konstancë të Rumanisë në fletoren “Shqiperia e Re”. Më vonë arrin të mbledhë dhe të botojë në Bari të Italisë të gjitha poezitë e Luigj Gurakuqit në një vellim të titulluar “Vjersha”. Mbas kthimit në atdhe ai martohet me Roza Daragjatin,  të bijen e patriotit Pjeter Daragjati, me të cilën pat dy fëmijë.

Nuk mund të harrohet një leter e hapur  me titullin “Mbi arsimin dhe gjuhen shqipe”, të cilën Gjon Kamsi nëpërmjet gezetës “Vullneti i Popullit”,  maj 1930-tes, ja adresonte ministrit të arsimit të kohës Hile Mosi duke kritikue tendencat e përdorimit apo të futjes të fjalëve të hueja në gjuhën shqipe. Qysh në Itali, Gjoni u kujdes gjithmonë që varrit të heroit Luigj Gurakuqi të mos i mungonin lulet e fresketa dhe kur  gjykata e Trani-t liroj si te pafajshem atentatorin, ai në shenje proteste për faljen e vrasesit vendosi mbi varrin e Gurakuqit për kte ngjarjenjë mbishkrim mbi një gur të skalitur (të marrë me qëllim në Trani),  i cili sot (sipas familjarve)duhet të gjendet në Muzeun e Shkodrës. 

Për fat, eshtrat e Luigj Gurakuqit u riatdhesuen në vitin 1957, e qysh prej asaj dite Gjoni ka qene vizitori dhe kujdestari i përhershëm i varrit të tij. Kurdohere mbi varrin e Gurakuqit  kishte lule (mbasi nji qiri ishte i ndalueme me u ndeze në diktature). Edhe në festen e 5 majit, varri i heroit ishte vend pelegrinazhit për Gjon Kamsin, i cili nën synin “vigjilent” të komunistëve, lutej në heshtje për paqen e shpirtit te tij në amshim. Deri sa vdiq, për Gjonin jeta dhe vepra e Luigj Gurakuqit ishte tema kryesore e bisedave të tija, me nxënës apo të rinj më të njohue e kureshtare të cilët kishin dëshirë të njihnin në detaje heroin.
 
“Vrasja e katërt e Gurakuqit”
Ku jane sot objektet apo reliket e Luigj Gurakuqit, të një prej burrave më të rëndësishëm të historisë tonë kombëtare, flaumur të atdhedashurisë, të luftëtarit të paepur për liri e pamvarsi? Pse heroi po lihet në heshtje? Pse askush nuk interesohet për ta rindërtuar shtëpine e tij ashtu siç ishte?

Pse shteti, edhe pse pati shumë letra e kërkesa nga populli i Shkodrës, për vite të tëra neglizhoi e nuk nderhyri për të mos e lënë të asgjësohej e të tjetersohej shtëpia e tij që ishte muze dhe objekt kulture i mbrojtur me ligj?

Si mundet që objektet personale të Gurakuqit (ndër to edhe teshat e gjakosuna ) të mbahen të mbylluna ndër magazinat e muzeut të Shkodrës ndërsa objektet e diktatorit kriminel zënë vendin kryesor në Muzeun Kombetar në Tiranë?

Si ka mundësi, ndërsa rinia sot më shumë se kurrë ka nevojë për leksione atdhedashurie e dinjiteti kombëtar, nuk gjendet nji ambient (dhome apo sallon) ku te pasqyrohen vlerat e kësaj figure madhore  si shëmbëlltyrë e shqiptarizmës?

Ju lutem, mos e “vrisni” Luigj Gurakuqin për here te katert. Ju lutem!

foto 1
























foto 1



















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë!

Shqiptarët më të pasur, por dhe më borxhlinj! Të ardhruat për frymë arrijnë 1.1 mln lekë!