Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos pas kalimit të momentit më të vështirë shëndetësor në spitalin e Athinës ku është i shtruar prej infektimit me COVID, ka vendosur që t’i drejtohet me një mesazh të gjithë besimtarëve.  

Nga Njësia e Kujdesit Intensiv të Spitalit Evangelismos, në Greqi ku ai po trajtohet, Janullatos shprehet mirënjohës për mjekët, infermierët dhe turmën e njerëzve që edhe një herë shprehën dashurinë e tyre me lutje spontane.

“Dita e parë në “Evangelismos” tashmë ka kaluar dhe gjithçka po shkon mirë. Gjatë gjithë jetës sonë ne i referohemi Zotit të surprizave por edhe Zotit të mrekullive. Udhëtimi ynë në Shqipëri filloi me thirrjen “Zoti është me ne” dhe përgjigjen e vallëzimit “dhe ne me të”, i cili mbështeste besimin tonë se “Zoti nuk do të na lërë”.

Falënderime të përzemërta për mjekët dhe infermierët e shquar dhe për turmën e njerëzve, të cilët edhe një herë shprehën dashurinë e tyre me lutje spontane.

Dy fjalë nga leximi i ungjillit të së Dielës së kaluar përcaktojnë qëndrimin e duhur: ‘Mos ki frikë, vetëm beso’”, thuhet në mesazhin e Janullatos.

Kujtojmë se drejtuesi i KOASH u nis para dy ditësh me një avion ambulancë të ushtrisë greke nga Tiranë për në Athinë.

Ditën e djeshme u njoftua se Janullatos është përmirësuar dhe është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.