Administrata Tatimore dhe Administrata Doganore kanë nisur kontrollet në tregun e hidrokarbureve, në kuadër të planit të përbashkët operacional për monitorimin e këtij sektori.
Përmes një njoftimi zyrtar për mediat bëhet me dije se ky operacion është zhvilluar në qytetin e Elbasanit në dy pika karburanti.
Gjatë këtij inspesktimi në këto subjekte u identifikuan shkelje të rënda tatimore përfshirë: moslëshim fature, punonjës të padeklaruar, mall pa faturë tatimore, mosafishim i listës së çmimeve, mospërditësim i të dhënave të biznesit.
“Administrata Tatimore dhe Administrata Doganore kanë nisur kontrollet në tregun e hidrokarbureve, në zbatim të planit të përbashkët operacional për monitorimin e këtij sektori. Aksioni i parë u zhvillua në Elbasan, në dy subjekte karburanti, ku u identifikuan shkelje të rënda të legjislacionit në fuqi.
Kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin, me qëllim luftën kundër informalitetit, monitorimin e çmimeve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg”, thuhet në njoftim.
Task-Forca e ngritur nga Ministria e Financave më 11 Mars do të kontrollojë tregun e hidrokarbureve për të mos lejuar abuzimet me çmimin e naftës.
Në fokusin e kësaj task-force të Doganave dhe Tatimeve do të jetë kontrolli si i pikave të shumicës ashtu edhe të pakicës, jo vetëm për çmimet por edhe për sasitë e hidrokarbureve që tregtohen nga pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë.
Kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit deri në 30 qershor 2026, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e disponueshme nga të dy institucionet.
Komente












