Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla mori pjesë në  një takim që u zhvillua në Elbasan për të konsultuar me grupet e interesit strategjinë kombëtare të punësimit. Një nismë kjo e Grupit Parlamentar të PS, për rritjen e mëtejshme të punësimit dhe adresimin e tij sipas nevojave të tregut. Në fjalën e tij, Balla u shpreh se ndihma ekonomike është një zgjidhje e përkohshme dhe se ajo nuk të shpëton, por thjeshte të zgjat vuajtjen.  

Ilaçi më i mirë për familjet e varfra në Shqipëri nuk është ndihma ekonomike, por kapacitetet e ekonomisë  sonë, vendimmarrja dhe politikbërja jonë që ti shkëpusim nga ndihma ekonomike, për ti futur në punësim

Taulant Balla

Balla gjatë fjalës së tij ka ironizuar edhe mosbindjen civile të opozitës, ku tha se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk paguan faturën e ujit të pijshëm nga shtatori i 2017.

Ky është i pari që e ka filluar  “mosbindjen civile”, pastaj po e ndoqi njeri mbrapa mirë. E sigurt që nuk do ta ndjekë njeri mbrapa

Taulant Balla

Ndërsa përsa i përket protestës së organizuar nga opozita, duke bllokuar akset rrugore dhe duke djegur goma, Balla tha:

Do doja ta mbyllja me diçka që më tha përpara se vinim këtu një sipërmarrës i Elbasanit. Kishim një vit që në Elbasan nuk kishim më tym, sepse ishim mësuar me tymin e plehrave, por Monika me Edmond Spahon na kryen dje tymin, duke djegur goma në Bradashesh, na kishte marrë malli për tym sepse kishim 26 vite që hanim tym, por falë Edi Ramës Elbasani është shëruar nga një prej sëmundjeve më të mëdha që ka pasur në gjithë këto vite tranzicioni, shërimi ndaj sëmundjes së tymit të plehrave

Taulant Balla

Sipas Ballës, për Lulzimin sot koefiçenti i lumturisë matet me sa mund ti bëjë keq Shqipërisë.

Detyra jonë është të vazhdojmë ti bëjmë mirë Shqipërisë. Edhe pak ditë, pavarësisht tymit të gomave, çizmeve, klithmave, ne do të kemi mundësi që më 17 prill të marrim një lajm të mirë për Shqipërinë, që është rekomandimi i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Jam shumë i sigurt çizmet, klithmat, gomat, Luli, Saliu, Monika do vazhdojnë të njëjtën këngë, detyra jonë është të krijojmë sa më shumë punë për shqiptarët, të cilët ende nuk kanë pasur mundësi tju jepet një vend pune.

Taulant Balla