MOSKË - Rusia nuk ka rënë dakord me idenë përsa i përket dërgimit të instruktorëve në Irak për trajnimin e trupave irakiane ashtu si ka propozuar sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, deklaroi sot ministri rus i Punëve të Jashtme, Serguei Lavrov.
"Nuk ka asnjë marrëveshje mes nesh  përsa i përket dërgimit të instruktorëve për të trajnuar ushtrinë irakiane", deklaroi Lavrov në një intervistë për stacionin televiziv "Rossia-1".
Në përfundim të një takimi me Lavrov në Paris më 14 tetor, Kerry kishte deklaruar se kishin rënë dakord për mundësinë që Rusia do të bëjë më shumë për të mbështetur forcat irakiane në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik.
"Rusia është e gatshme të ndihmojë përsa i përket armëve dhe ndoshta dhe për trajnimin dhe këshillimin e trupave irakiane", deklaroi Kerry.
Lavrov përsëriti refuzimin e Moskës për ndarjen e informacioneve të marra nga shërbimet sekrete përsa i përket Shtetit Islamik duke nënvizuar se nuk bëhej fjalë për një bashkëpunim.
"Nuk ka pasur asnjë marrëveshje përsa i përket shkëmbimit të informacioneve me të ashtuquajturin koalicion të formuar nga amerikanët për të luftuar kundër Shtetit Islamik", deklaroi shefi i diplomacisë ruse./ATSH/