Mbarimi i afatit të kontratës në fund të dhjetorit për tranzitin e gazit rus duket se po thellon më tej mosmarrëveshjet mes Ukrainës dhe Sllovakisë. Volodymyr Zelensky akuzon kryeministrin sllovak Robet Fico për hapjen e një "fronti të dytë energjetik" kundër Ukrainës me urdhër të Rusisë, duke sinjalizuar thellimin e një mosmarrëveshjeje për tranzitin e gazit midis dy vendeve.

Ukraina lejon kalimin e gazit natyror rus përmes territorit të saj për në disa vende evropiane, përfshirë Sllovakinë, por pritet ta ndalë rrjedhën kur marrëveshja ekzistuese e tranzitit - e nënshkruar para fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës – të skadojë në fund të vitit.

Kryeministri Fico, i cili vizitoi Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në fillim të kësaj jave, tha se Sllovakia do të konsideronte masa reciproke kundër Ukrainës, si ndalimi i furnizimeve rezervë me energji elektrike nëse Kievi ndalon tranzitin e gazit nga 1 janari.

Sllovakia kërkon që furnizimet me gazin rus nëpërmjet Ukrainës të vazhdojnë, duke thënë se rrugët alternative do të rrisin kostot dhe do të dëmtojnë operacionet e saj të tranzitit, duke bërë që ajo të humbasë 500 milionë euro në tarifa.

Ndërsa Kievi zyrtar thotë se nuk do ta rinovojë më marrëveshjen e re për tranzitin e gazit me Moskën për shkak të luftës së nisur nga Rusia në shkurt 2022.

Ministria e Jashtme e Ukrainës akuzon Ficon se po rreshtohet në anën e Putinit me "kërcënime të pakuptimta" për të ndërprerë importet e energjisë për Ukrainën që aktualisht përbën 19% të importit.

Që nga marrja e detyrës në vitin 2023, Kryeministri sllovak Fico ka qenë një nga kundërshtarët më të hapur të BE-së për ndihmën ushtarake për Ukrainën.