Pak ditë më parë dolën në dritë zbulimet mbi fjalët e forta që Donald Trump kishte përdorur ndaj Benjamin Netanyahut. Tani, sipas informacioneve të publikuara nga NBC, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së (DIA) ka ngritur alarmin për kërcënimin që paraqet spiunazhi izraelit në Shtetet e Bashkuara. Për inteligjencën ushtarake amerikane, niveli i rrezikut konsiderohet i lartë.
Vlerësimi, sipas televizionit amerikan, është përfshirë në një raport të brendshëm prej shtatë faqesh. Shërbimet izraelite thuhet se po përpiqen të sigurojnë informacione përmes burimeve të drejtpërdrejta ose me ndihmën e teknologjive të avancuara, duke synuar veçanërisht zyrtarët amerikanë që ndjekin krizën me Iranin. Kjo veprimtari konsiderohet e nevojshme për shkak të objektivave të ndryshëm dhe tensioneve – reale apo të dukshme – mes dy aleatëve lidhur me mënyrën se si duhet menaxhuar kundërshtari i përbashkët.
Shtëpia e Bardhë po kërkon një zgjidhje të negociuar, megjithëse vazhdon të ushtrojë presion përmes modelit të përdorur në Venezuelë, me goditje të kufizuara dhe operacione të përzgjedhura. Kryeministri izraelit, nga ana tjetër, dëshiron vazhdimin e konfliktit për një periudhë të gjatë, veçanërisht kundër Hezbollahut në Liban, dhe druhet se Donald Trump mund të pranojë një marrëveshje që do të konsiderohej një sukses për Republikën Islamike të Iranit.
Për këtë arsye, Mossadi dhe struktura të tjera izraelite do të ishin të angazhuara në mbledhjen e informacioneve mbi qëndrimet, opinionet dhe lëvizjet politike brenda administratës republikane dhe në korridoret e Kongresit. Izraelitët njihen prej kohësh me “detin e Uashingtonit” dhe kanë lidhje të dobishme në qarqet politike amerikane. Sipas New York Times, ndër objektivat e interesit janë negociatori Steve Witkoff, zyrtari i lartë i Mbrojtjes Elbridge Colby dhe zëvendësi i tij Michael DiMino IV.
Vetë publikimi i lajmit nga NBC – i shoqëruar me mohime zyrtare – përbën një sinjal. Ai mund të ketë burime të ndryshme: ose vetë qeverinë amerikane, ose pjesë të establishmentit që nuk pajtohen me linjën izraelite dhe aq më pak me mbështetjen që Trump i ka dhënë Netanyahut.
Në krizën iraniane, inteligjenca ka një rol qendror. Një version i ngjarjeve pretendon se Trump u bind të hynte në luftë nga një plan i paraqitur gjatë dimrit nga Netanyahu dhe kreu i atëhershëm i Mossadit, David Barnea. Sipas këtij plani, Izraeli do të godiste strukturat drejtuese të regjimit iranian me sulme ajrore, do të nxiste një valë të re protestash popullore dhe do të përfshinte opozitën e armatosur, veçanërisht kurdët. Ideja ishte që goditja ushtarake të krijonte një efekt domino, por realiteti rezultoi ndryshe.
Në atë kohë, inteligjenca amerikane dhe Departamenti i Shtetit kishin shprehur skepticizëm mbi realizueshmërinë e operacionit. Nga ana tjetër, Mossadi kishte reaguar duke deklaruar se plani nuk ishte vënë kurrë në zbatim. Historia u interpretua nga disa si një përpjekje e Netanyahut për të zhvendosur një pjesë të përgjegjësisë te shërbimet sekrete, një praktikë që kritikët thonë se është bërë e zakonshme për kryeministrin izraelit.
Megjithatë, ekziston edhe një traditë më e gjatë. Në botën e spiunazhit nuk ekzistojnë miqësi të përhershme. Amerikanët e dinë mirë këtë, pasi edhe vetë kanë zhvilluar aktivitete të ngjashme kundër partnerëve të tyre. Për dekada me radhë janë publikuar raportime mbi operacionet e inteligjencës izraelite në territorin amerikan.
Në vitet ’80 shpërtheu çështja e Jonathan Pollard, zyrtari i Pentagonit që i dorëzoi sekrete Izraelit. Gjatë presidencës së Bill Clintonit u përfol edhe për ekzistencën e një “nishani” në Shtëpinë e Bardhë, i cili nuk u identifikua kurrë. Disa e lidhën atë me vdekje të dyshimta brenda rrethit të afërt të Bill dhe Hillary Clinton.
Në vitin 2015, gjatë presidencës së Barack Obamës, Izraeli u dyshua se po përpiqej të siguronte informacione mbi negociatat për programin bërthamor iranian, një situatë që ngjan me zhvillimet aktuale. Katër vite më vonë, FBI zbuloi pajisje elektronike të tipit StingRay pranë ndërtesave qeveritare amerikane, sisteme të afta për të përgjuar komunikimet. Sipas Politico, këto pajisje ishin vendosur nga Mossadi.
Nga ana tjetër e Atlantikut vjen edhe rrëfimi i ish-kryeministrit britanik, Boris Johnson. Ai ka treguar se, kur ishte ministër i Jashtëm i Britanisë, u zbulua një pajisje përgjimi në banjën e tij private në Foreign Office. Sipas versionit të tij, pak më parë atë hapësirë e kishte përdorur Netanyahu. Vetë kryeministri izraelit, sipas raportimeve, ka treguar gjithmonë kujdes të madh gjatë vizitave në Uashington nga frika se mund të përgjohej.
Prandaj, në botën e inteligjencës mbetet gjithmonë e vlefshme rregulla e vjetër: “Hesht, sepse edhe miku të dëgjon”./Corriere della Sera
Komente





