Sot u largua drejt pafundësisë një njeri i mirë.
I dashur Skerdi!
Ike papritur. Sa do të donim të të shihnim edhe një herë, me atë buzëqeshjen tënde plot gëzim e mprehtësi! Largimi yt drejt së panjohurës na tronditi pa masë, duke na lënë atë thyerje në shpirt që sjell humbja e kolegut, e mikut, e njeriut të mirë.
Po, mbi të gjitha ishe njeri: i dhembshur dhe i drejtë, i gëzuar dhe korrekt, i hapur e pa paragjykime. Një profesionist i rrallë, shkencëtar në disiplinat mjekësore, që nuk e konsiderove kurrë veten mbi të tjerët. Thjeshtësia jote ishte shprehje e fisnikërisë së shpirtit. Ishe tolerant, modest, me kulturë të gjerë dhe dije bashkëkohore.
Jeta të vuri përballë sfidave të rënda shëndetësore, të cilat i përballove me kurajë dhe dinjitet. Për të gjithë ne që të kemi njohur, është e vështirë ta pranojmë këtë humbje, me gjithë dhimbjen dhe trishtimin që mbart.
Studentëve do t’u mungojë profesori i thjeshtë, i dashur, i durueshëm dhe i përkushtuar. Pacientëve, mjeku i dhembshur, korrekt dhe me dije bashkëkohore. Kolegëve, bashkëpunëtori i çmuar, i drejtë dhe modest, gjithmonë i hapur ndaj mendimit të tjetrit. Miqve, miku i ngrohtë e i sinqertë, me buzëqeshjen dhe mprehtësinë që i jepnin gjallëri çdo bisede. Fëmijëve dhe bashkëshortes, babai dhe bashkëshorti i përkushtuar, që u dha gjithmonë dashuri pa fund.
Ngushëllohemi me mendimin se do të prehesh në paqe, larg një realiteti që u tregua i padrejtë me ty. Ngushëllohemi se kujtimi yt do të jetojë në zemrat e të gjithë atyre që të njohën dhe për të cilët u kujdese.
Dhimbja, që largimi yt na shkaktoi e na la në shpirt është e madhe, por po aq të thella janë dashuria dhe mirënjohja që ruajmë për ty.
Sot u largua padrejtësisht drejt pafundësisë një njeri i mirë.
Lamtumirë, mik dhe koleg i dashur!











Komente
Komento