Motër e vëlla, poezia e trupit në majë të gishtërinjve (VIDEO)

Poezia e trupit, ku çdo fjalë është një lëvizje erdhi në formën më të lartë të shprehisë, “në majë të gishtërinjve” mbrëmjen e djeshme në skenën e ArTurbinës. Si për të rrëfyer thelbin e të qenit artist qe historia e  “Don Kishotit”  që solli fillimisht në skenë Adela dhe Anxhelo Muçollarin. Motër e vëlla me interpretimin e tyre treguan forcën e ndjeshmërisë, e përmes gjuhës së trupit rrëfyen se si mund të mbijetojë e gëzohet një histori pavarësisht vështirësive.

 “Shumë e kënaqur me gjithë publikun dhe duartrokitjet e tyre. Ishte një ngarkesë shumë e madhe teknike, por me shumë dashuri dhe me shumë punë ja arritëm edhe unë, edhe Anxhelo. Sot është dita që kisha ëndërruar prej vitesh. Dy netët e tjera do të jenë akoma edhe më te veçanta, por emocionet e natës së parë nuk harrohen” tha Adela Muçollari, primabalerinë.

 “Shumë i lumtur se doli me sukses, por prapë na presin edhe dy net të tjera. Ishte nata më e fortë, se duke e krahasuar me balete të tjera ky ishte edhe më emocional, se kisha shumë peshë” theksoi Anxhelo Muçollari.

 

Një recital i kompletuar që solli artin e baletit në 9 pjesë të repertorit botëror duke përfshirë baletin klasik, neoklasik dhe atë kontemporan. Dhe sigurisht që entuziazmin e një mbrëmje të paharrueshme, si kjo e shtoi edhe më, muzika live që erdhi përmes pianistes Elvina Gurra dhe performancës spektakolare të violonçelistit Iliard Shaba, i cili shoqëroi edhe lëvizjet moderne të përgatitura nga koreografi Tan Brama.

“Kjo ka qenë një shfaqje shumë e mrekullueshme. Isha si spektator, ndoqa gjithë recitalin, duke qenë se isha i fundit në radhë, dhe kur hyra isha me emocionet që mora nga salla, kam mbetur pa fjalë” u shpreh Iljard Shaba, violinçelist.

Emocione që do të përsëriten edhe këtë të shtunë e të diel, e që u bashkohen edhe balerinë të Teatrit të Operës. Kështu mes duartrokitjeve, Adela i përçoi publikut ndjesitë e një dashurie prekëse, asaj të “Damës me Kamelie” . E shoqëruar nga Fatjon Lito, ashtu si tek “Liqeni i Mjellmave”të rinjtë treguan edhe një herë se amaneti i Agron Alisë për të përçuar baletin  përpara, po mbahet gjallë. Me profesionalizëm u sollën në skenën e re edhe pjesë, si “Black adagio” apo mjeshtëria e kompozitorit rus të erës romantike, Çajkovskit. Qershia mbi tortë në këtë vallëzim emocionesh ishin më të vegjlit, nxënësit e Shkollës së Baletit që erdhën si flutura pranvere.

“Jemi shumë të lumtura që ndodhemi në këtë skenë. Gjithë publiku na përcolli një ndjesi shumë të thellë edhe kërcimi gjithashtu” thanë balerinët e vegjël.

Për realizimin e një recitali mbresëlënës si ky, një kontribut të pashlyeshëm kanë dhënë  edhe dy baletmaestrat Blerina Arbana dhe Alisa Gjoni, duke u kujdesur që çdo hap të prekte perfeksionin.

 “Pas një pune të gjatë disipline artistike, përgjegjshmëri profesionale them që frytet dalin. Dihet që kjo mbrëmje gala është për Adelën edhe për Anxhelon. Unë kam marrë një sadisfaksion shumë të madh. Të dy bukuroshët m’u gjendën pranë, më kërkuan edhe unë jo vetëm për këta, por për të gjithë nxënësit jam në dispozicion” deklaroi Blerina Arbana, baletmaestre.

 “Tani ndihem më e çliruar, por ende më dridhen këmbët. Përfundimi edhe rezultati është ajo që pamë në skenë. Ishte një shfaqje, që u arrit me të gjitha teknikat” tha Alisa Gjoni, baletmaestër,

Misioni human për t’u dhënë një rreze të ngrohtë solidariteti fëmijëve talasemikë, e rriti edhe më shumë entuziazmin e shfaqjes, që edhe pse pati, si protagonistë Adelën dhe Anxhelon, u realizua edhe me të tjerë artistë e mbi të gjitha për të tjerët, ata që më së shumti kanë nevojë për vëmendje. Sigurisht që në një ngjarje si kjo, ku ndjeshmëria artistike lartësohet ndër vlera, dy balerinët e talentuar emocionuan, edhe më, kur në fund të shfaqjes shkuan mes publikut për të dhuruar një buqetë dashurie, asaj që në këtë rrugëtim ka qenë mbështetja e tyre më e madhe, nënës.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit