Autoriteti Rrugor Shqiptar ka infirmuar sot se aktualisht rruga tek Ura e Viroit në aksin Tepelenë-Gjirokastër është e bllokuar për autoveturat.
Prurja e ujit nga liqeni që shkarkohet mbi rrugë është rritur ndjeshëm dhe pengon kalimin e autoveturave.
Punonjësit e ARRSH-së, kompanisë së mirëmbajtjes, Policia Rrugore dhe Prefektura po ndjekin nga afër situatën.
Ndërkohë, shqiptarja.com ka mësuar gjithashtu se përroi i Gurrës pranë Sarandës ka rrëzuar një urë, duke shkaktuar kështu bllokimin 130 familjeve në Tatzat dhe Kalasë.
Më herët gjatë ditës, si pasojë e motit të keq, një pjesë e zonave të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe kishte mbetur pa energji elektrike.
Ndërsa në Tiranë, lagjia pranë Rrugës Ali Demi kishte përfunduar gjithashtu pa drita, për shkak të dëmtimit që i kishte shkaktuar një subjekt privat fiderit të shpërndarjes.
Sakaq, deti i trezuar me dallgë që varionin nga gjashtë deri në 9 ballë, bënë që Porti i Vlorës ta ndalonte lundrimin, duke bërë kështu që trageti për në Brindizi të Italisë të mos nisej, si dhe peshkarexhat të mos lejoheshin të dilnin në det.
Sipas institutit të Gjeoshkencave, në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet janë më të dendura dhe mund të krijojnë probleme.
Kreu i emergjencave në bashkinë e Gjirokastër bëri një përmbledhje të situatës në këtë qytet për Report Tv.
Ai bëri të ditur se situata është nën kontroll, megjithatë mbetet një gjendje problematike nga reshjet e shiut në Lazarat, në Sepo, në Unazën e Qytetit dhe në disa lagje të cilat janë mbyllur vetë nga bashkia, për të shmangur dëmet nga rrëshqitja e mundshme e dherave.
Parashikimet janë që situata të mund të rëndohet në orët në vijim, si pasojë e vazhdimit të shiut dhe prurjes së lumenjve.