Moti i ftohtë mbulon vendin
pasdite bie bora në Tiranë

Moti i ftohtë mbulon vendin<br />pasdite bie bora në Tiranë
TIRANE-Moti i ftohtë me temperatura të ulëta, era e fortë, ngrica dhe bora kanë pushtuar gjithë vendin. Meteorologët parashikojnë reshje të borës të cilat do të mbulojnë dhe Tiranën e Ultësirën Perëndimore gjatë orëve të pasdites.

Temperaturat minimale që janë shënuar gjatë ditës së sotme kanë qenë në Kukës -11 gradë Celcius, në Peshkopi e Korçë, - 10 gradë, në Tiranë -1 gradë Celcius, ndërsa në Rinas temperature minimale është shënuar -3 gradë celcius.

Kastriot Shurdhaj shefi i shërbimit Meteorologjik në Rinas sqaron se reshjet e borës nuk do të shkaktojnë ndonjë problem në lëvizjen e aivonëve, për vetë faktin se do të jenë me intensistet të ulët.

DEBORA, NUK DO SHKAKTOJE PROBLEME PER AVIONET
“Për reshjet e dëborës që pritet të jenë të pranishëm në Aeroportin e Rinasit nuk mendojmë se do të përbëjnë problem për operimin e avionëve për faktin se do të jenë me intensitet të ulët dhe përveç kësaj autoritetet e aeroportit kanë marrë masa me mjete borëpastruese. Problematike bëhen kur bien me intensitet të lartë dhe vonesat deri në pastrimin e plotë të pistes mund të jenë 2-3 orëshe.”- na sqaron Kastriot Shurdhaj, Shef i Sherbimit Meteorologjik Rinas.

KORCE
Në Korçë temperatura ka arritur në - 10 gradë, në Pogradec temperaturat luhaten nga minus 6 deri minus 10 gradë celcius për shkak edhe të Veriut që fryn mbi liqen. Dimër me temperatura mjaft të ulta ka edhe në Devoll e Kolonjë, ku edhe shtresa e bores është më e trashë. I ftohti ka bërë që familjarët të parapëlqejnë të mos i çojnë fëmijët në kopshte, kurse për më të rriturit mësimi thuajse në gjithë shkollat 9- vjeçare të rajonit juglindor zhvillohet me orar të reduktuar. Në sektorë të tillë si ndërtimi e bujqësi puna është ndërprerë, po kështu edhe në rrobaqepsitë që punojnë me material porositësi punohet pjesërisht.
Fermerët për të mos ekspozuar ndaj temperaturave të ulta e ngricave prodhimin e patates, qepës e mollës, të cilat janë edhe më delikate ndaj të ftohtit, kanë bllokuar nxjerrjen në treg me shumicë të tyre, ndërkohë që të gjitha rrugët janë të kalueshme

KUKES, RRUGET MBULOHEN ME SHTRESA AKULLI
I ftohti polar ka përfshirë edhe verilindjen e vendit. "Në qytetin e Kukësit temperaturat lëvizin nga minus 6 në minus 11 gradë celcius, ndërsa në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, siç është Shishtaveci, Arrni, etj., temperaturat kanë rënë deri në minus 20 gradë celcius", thotë përgjegjësi i zyrës së emergjencës civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema për atsh. Në këto kushte janë të rralluar lëvizjet nga njëri fshat në tjetrin, si dhe lëvizjet edhe në rrugët e qytetit të Kukësit. I ftohti polar ka bërë që të gjitha akset rrugore të zonës verilindore të mbulohen nga shtresa akulli, që kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e mjeteve edhe pse gjatë këtyre ditëve nuk janë regjistruar reshje dëbore. Kjo ka sjellë vështirësi në lëvizjen e mjeteve, ndërsa po bëhen përpjekje që të gjitha akset kryesore rrugore të mbahen të hapura duke hedhur vazhdimisht kripë e skorje për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve. Nga ana tjetër, nga postblloqet e policisë është ndaluar rreptësisht në këto akse rrugore lëvizja e mjeteve pa zinxhirë. Ndërsa vazhdon të jetë e normalizuar situata në segmentin e autostradës Morin- Kukës- Tunel, ku lëvizja e mjeteve vazhdon të jetë normale. Pavarësisht të ftohtit polar, procesi mësimor vazhdon në të gjitha shkollat e sistemit parauniversitar të qarkut të Kukësit. Kjo pasi të gjitha shkollat janë të pajisura me sistemin ngrohës me dru zjarri, i siguruar me kohë nga ana e pushtetit vendor.

DIBER, IZOLOHEN KOMUNAT
Në qarkun e Dibrës temperaturat janë shumë të ulëta dhe ngrica e akulli ka shkaktuar probleme për banorët e zonës. Të bllokuara për shkak të ngricave janë komunat Trebishtë, Ostren , Zercan, si dhe shumë fshatra janë të izoluara nga bora.

ELBASAN, ERE E FORTE E NGRICA
Në Elbasan sot temperatura ka zbritur në 2 gradë celcius, ndërsa në zonat malore si Gjinar, Stëblevë e Stravaj, temperatura ka shkuar në -2 gradë celcius. Shefi i shtabit të Emergjencave Civile, Mustafa Arapi, tha për atsh se temperaturat, të cilat janë ulur ndjeshëm këto ditët e fundit, nuk kanë shkaktuar asnjë problem në qarkullim.

Meteorologet parashikojnë që shtatë ditëshi i parë i muajit shkurt do të jetë kryesisht me mot të paqëndrueshëm dhe të ftohtë, me vlera të temperaturës nën mesataren shumëvjecare.

VLORE, PASDITE RESHJE TE DENDURA DEBORE
Mëngjesi sot në gjirin detar të Vlorës ka nisur me vranësira të dendura, të cilat do të vijnë duke u shtuar dhe në orët e pasdites priten reshje të dendura shiu, ndërkohë që në lartësinë mbi 1000 metra nuk përjashtohen reshjet e dëborës. Kjo tablo sinoptike, që është rrjedhojë e pëfshirjes graduale të rajonit në një zonë me presion atmosferik të ulët, do të shoqërohet edhe me vlera të ulëta temperaturash. Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Juglindje, me shpejtësi nga 4-6 deri në 8-10 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 7-9 gradë celcius dhe ato minimale nga 0-2 gradë celcius. Valëzimi në hapësirën detare brenda gjirit të Vlorës parashikohet të arrijë 2-3 ballë dhe në det të hapur 4-5 ballë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset