SHKODER -  Tre persona raportohen të kenë humbur jetën brenda 24 orësh në lumenjtë e vendit tonë, të cilët me shtimin e reshjeve të shiut janë bërë më të rrëmbyeshëm. Viktima e parë është një peshkatar i cili është zhdukur në lumin Buna për shkak të një stuhie.

Në Skrapar në rrjedhën e lumit Osum humbi jetën 55-vjeçare. Në tentativë për të kaluar lumin, dhe në mungesë të urës, gruaja është rrëmbyer nga rrjedha e lumit.

Ndërsa mëngjesin e sotëm në përroin e Rrushkës në fshatin Karinë të Peqinit u gjet e mbytur një 80 vjeçare.

SHKODER, PESHKATARI MBYTET NE BUNE
Një peshkatar nga rrethi i Malësisë së Madhe ka humbur gjurmët prej më shumë se 24 orësh ndërsa dyshohet se mund të jetë i mbytur në ujërat e lumit Buna. 40-vjeçari Bashkim Curraj pasi ka dalë për peshkim rreth orës 15:00 të ditës së dielë në brigjet e lumit Buna nuk është kthyer më në banesën e tij. Ka qenë bashkëshortja e 40-vjeçarit Curraj e cila ka bërë edhe denoncimin pranë komisariatit të policisë së Koplikut për zhdukjen e bashkëshortit të saj. Sipas të afërmve të viktimës në vendngjarje janë gjetur mjetet e peshkimit, si dhe varka me të cilat ka qenë duke peshkuar Curraj. Blutë e Malësisë së Madhe kanë kërkuar ndihmën e forcave RENEA, të forcave Rangers dhe të policisë kufitare malazeze për gjetjen e trupit të Currajt. Dyshohet se 40-vjeçari të jetë rrëzuar nga varka gjatë stuhisë së rënë në rrethin e Malësisë së Madhe. Ndërkohë pritet që me përmirësimin e kushteve atmosferike të nisin kërkimet për gjetjen e trupit.

SKRAPAR, GRUAJA MBYTET NE OSUM, MUNGON URA
Mungesa e një ure mbi rrjedhën e lumit Osum në fshatin Brace të rrethit të Skraparit është bërë shkak për humbjen e jetës së 55-vjeçares Selvie Bejo, e cila në tentativë për të kaluar lumin është rrëmbyer nga ai dhe ka humbur jetën. Selvie Bejo, 55 vjeçe, banore e fshatit Konak në komunën me të njëjtin emër mësohet se rreth orës 11:00 të paradites së sotme është mbytur në lumë.

55-vjeçarja kishte shkuar në komunën Gjerbëz për të kryer shitjen e produkteve të saj bujqësore dhe kur po kthehej ka tentuar të kalonte lumin më këmbë si e vetmja mënyrë për të vajtur në fshat por nuk ia ka dalë mbanë pasi është rrëmbyer nga rrjedha e ujit.

Trupi i pajetë i 55-vjeçares është gjetur rreth një kilometër nga vendi i ngjarjes. Trupi i saj është parë fillimisht nga banorët e zonës dhe më pas është nxjerr nga policia. Ky është rasti i dytë brenda pak kohësh që në fshatrat e rrethit të Skraparit humbin jetën banorët e këtyre zonave për shkak të mungesë së urave mbi lumë.

PEQIN GJENDET E MBYTUR 80 VJECARJA
Mëngjesin e sotëm në përroin e Rrushkës në fshatin Karinë të Peqinit u gjet e mbytur një 80 vjeçare. Sipas policisë viktima është Kadrie Hasa, 80 vjeç. E moshuara vuante nga një sëmundje mendore dhe ishte larguar nga banesa prej disa ditësh
(sç/eç/shqiptarja.com)