Për të analizuar gjendjen e krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe zhvillimet në vazhdim në Kryeministri u mblodh i Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave në nivel të sekretarëve të përgjithshëm të ministrive dhe të drejtuesve të agjencive kryesore shtetërore.

“Në bazë të parashikimeve të motit, në orët dhe ditët në vijim pritet një situatë e rënduar e reshjeve të shiut, të cilat mund t’i kalojnë nivelet normale. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, që funksion pranë Kryeministrit të Shqipërisë, ka ndërmarrë të gjitha masat që të gjitha strukturat shtetërore të jenë në gjendje të lartë gatishmërie për të përballuar këtë situatë.

Në zbatim të detyrave të Kryeministrit, të gjitha prefekturat e vendit dhe njësitë e menaxhimit të emergjencave dhe krizave në niveli ministrish janë vënë në gatishmëri të plotë për të monitoruar dhe ndërhyrë për menaxhimin e çdo situate që mund të krijohet’ thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Autoritetet përgjegjëse për furnizimin me energji elektrike, për mirëmbajtjen e rrugëve dhe të kanaleve kulluese, ato të arsimit, të shëndetësisë, të mjedisit, të Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit kanë marrë detyra të detajuara për përballimin e situatës.

Deri tani gjendja është nën vëzhgim e kontroll të plotë, por kërkon një kujdes të shtuar nga të gjitha institucionet, entet publike e private, si dhe të gjithë qytetarët. 

dy.b/shqiptarja.com