Dy banesa në lagjen nr. 6 të qytetit të Korçës janë përfshirë nga uji pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit. Banorët thonë se kjo situatë përsëritet sa herë ka shi të rrëmbyeshëm, pasi zona nuk ka një kanal kullues funksional që të shmangë grumbullimin e ujërave.

Banorët, mes tyre edhe persona me probleme shëndetësore, shprehen se 48 orët e fundit i kanë kaluar pa gjumë, duke bërë roje për të shmangur dëmet në shtëpi.

“Ne gjithmonë kur bie shi, të njëjtën situatë kemi. Sa herë bie shi, mbytemi, notojmë brenda. Jemi ankuar sa herë, hapin pusetën, vijnë dhe hapin kanalin, por përsëri ujërat e zeza shpërthejnë brenda në banesë. Shyqyr që nuk arriti të hynte uji këtë herë, se i lajmëruam me kohë. Erdhën dje dhe e pastruan pak. Por gryka e tubave është e ngushtë, duhet pastruar dhe ndryshuar,” shprehet njëra nga banoret, bashkëshorti i së cilës sapo ka dalë nga spitali.

Ndërsa një tjetër banore tregon se prej vitesh vuan të njëjtin problem:

“Më ka hyrë uji në banesë. Ne kemi vite që vuajmë këtë gjë. Sa e zhbllokojnë, nuk venë dorë për të hapur një kanal. Jam e sëmurë me astmë, rri duke larguar ujin. Jemi si mos më keq këtu, nuk na i var njeri. Nuk kemi fjetur këto net nga frika.”

Banorët i bëjnë thirrje bashkisë që të ndërhyjë urgjentisht me zgjidhje të qëndrueshme, pasi situata po rrezikon jo vetëm pronat, por edhe shëndetin e tyre.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati te Ura e Mifolit në Vlorë, evakuohen 14 familje në Njësinë Novoselë dhe Fier! Çahet argjinatura në Kune Vain, pamjet me DRON