Elbasani kaloi 24 orë të vështira me reshje të pandërprera shiu. Por pavarësisht se për momentin situata është nën kontroll, sipas kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, 24 orët në vijim pritet të shoqërohen me reshje intensive, duke nxitur autoritetet të marrin masat të mëtejshme të sigurisë dhe të monitorimit në të gjithë territorin.
Për pasojë, Llatja, u ka bërë thirrje banorëve të Elbasanit të tregojnë kujdes të shtuar.
Në një njoftim në Facebook, Llatja thotë se pas 24 orë reshjesh të pandërprera, situata për momentin paraqitet e stabilizuar ndërsa strukturat e ndihmës janë në gatishmëri në qytet ashtu edhe në fshatra për çdo situatë të mundshme që mund të krijohet nga moti i keq.
“Aktualisht, ekipet në fshat po shpërndajnë skorje në rrugët malore, për shkak të ngricave që priten në ditët në vijim. Po monitorohen vazhdimisht prurjet e Lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranikës, të cilat ndodhen ende në kuota normale. Në qytet po mbahen nën kontroll kolektorët, për të shmangur bllokimet nga inertet e sjella nga reshjet” thotë Llatja.
Në rast nevoje banorët e Elbasanit këshillohen të kontaktojnë Policinë e Shtetit në numrin 129, zjarrfikësen në 128 ose numrin unik të emergjencave 112, si dhe numrat e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve të vënë në dispozicion nga Bashkia.
Komente








