GJIROKASTËR-Një pallat 12-kate rrezikon që të shembet në lagjen  “18 Shtatori” si pasojë e rrëshqitjes së dheut dhe masivit që ka bllokuar hyrjen. 25 familjet që banojnë në këtë pallat janë evakuuar të gjitha nga policia, pasi përpos lëvizjes së themeleve, balta dhe masivi i dheut ka arritur deri në katin e dytë. Pallati është ndërtuar 10 vite më parë, ndërsa zona ka probleme me rrëshqitjen e dherave nga reshjet e dendura që kanë rënë në 24 orët e fundit në qarkun e Gjirokastrës.

Jo vetëm banorët e pallatit, por edhe banorët e tjerë dhe bizneset që ndodhen në këtë lagje janë në gatishmëri, pasi objekte të tjera mund të rrezikohen. Ky është pallati i dytë që rrezikon të shembet në Gjirokastër, pasi pak javë më parë banorët e pallatit 5-katësh në lagjen “11 Janari” të Gjirokastrës u evakuuan, pasi rrezikonte shembjen nga rrëshqitja e dherave. Ndërkohë që sot ka pasur probleme në Gjirokastër edhe në Virua, rruga është bllokuar si pasojë e daljes së liqenit. Probleme ka edhe në disa fshatra në Zhulat dhe Luftinjë, që janë bllokuar dhe nuk kanë energji elektrike prej 48 orësh. 

[gallery]25479[/gallery]
Vlorë, Vjosa del nga shtrati, rrezikohen 15 familje
Mbrëmjen e sotme rreth orës 21:45 raportohet se Vjosa ka dalë nga shtrati te Ura e Mifolit, ndërsa rrezikohen që të përmbyten 15 familje. Banorët janë lajmëruar që të largohen, pasi rrëzikojnë. Emergjencat Civile janë vendosur në gatishmëri për të ndërhyrë. Gjithashtu lumi Shushica ka dalë nga shtrati, por nuk raportohet për probleme. Në Sarandë, përroi i Gurrës ka përmbytur urën duke shkaktuar kështu bllokimin 130 familjeve në Tatzat dhe Kalasë.

Tropojë, vdes elektricisti në krye të detyrës
Një elektricist 32-vjeç ka ndërruar jetë, pasi e ka zënë korrenti, teksa ishte duke rregulluar një defekt në fshatin Rragan, si pasojë e motit të keq. 32 vjeçari Fatjon Hoxha banues në Luzhe ka ndërruar jetë menjëherë pas rënies në kontakt me energjinë pasditen e sotme. Ai është dërguar pa shenja jete rreth orës 17:45, në spitalin  e Tropojës. 

Shpëtohen disa persona në Tiranë
Në Zall Bastar pasditen e sotme u bllokuan dy mjete. Një skuadër e Kërkim Shpëtimit me një kamion të kalueshmërisë së lartë të FA dhe një kontingjent nga Forcat Speciale dhe Komando arritën që të evakuojnë personat që ndodheshin në dy makinat e bllokuara. Lajmi u konfirmua  për Report Tv nga shefi i Emergjencave Civile, Shemsi Prenci. Gjithashtu  në Tiranë, lagja pranë Rrugës Ali Demi nuk ka energji elektrike për shkak të dëmtimit që i kishte shkaktuar një subjekt privat fiderit të shpërndarjes.

Probleme edhe në Elbasan
Në qarkun e Elbasanit, kryetari i grupit të PS, Taulant Balla shkruan se ka disa probleme me qarkullimin, ndërsa disa zona janë pa energji elektrike si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në 24 orët e fundit. “Reshjet e dendura të shiut në gjithë Qarkun Elbasan, të cilat siç parashikojnë meteorologët do të vazhdojnë edhe gjatë natës, kanë shkaktuar deri në këtë moment probleme në aksin rrugor kombëtar Librazhd-Prrenjas (ku po punohet aktualisht) dhe në disa akse rrugore rurale.

Situata më e vështirë janë dëmtimet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike kryesisht në zonat malore: në Elbasan (njësitë Labinot Mal, Gjinar dhe Zavalinë), në Librazhd (njësitë Qendër, Lunik, Orenjë, Stëblevë, Hotolisht). Punonjësit OSHEE janë në terren për riparimin e defekteve. Nesër ora 10 mblidhet Shtabi i Emergjencave të Qarkut nën drejtimin e Prefektit Maksim Malaj” shkruan Balla. Reshjet e shiut do të vijojnë edhe në 24 orët e ardhshme, ndërsa Emergjencat Civile janë në gatishmëri. 

Prenci:S’ka përmbytje, në mesnatë pushon shiu, fillon bora
Shefi i Emergjencave, Shemsi Prenci në një intervistë për Report Tv për situatën nga reshjet e dendura në 24 orët e fundit, ka deklaruar se në mesnatë do të ulet intensiteti i shiut, ndërsa do të fillojë dëbora në zonat malore.  Shemsi Prenci është shprehur se nuk rrezikohet që të përsëriten përmbytjet e fundvitit të kaluar, pavarësisht situatës së përkeqësuar në Jug të vendit. “Ka fryrje të disa lumenjve, me përjashtim të Viroit që ka dalë nga shtrati. Në ditën e sotme ka pasur furtunë në Vlorë, Dibër dhe Shkodër, ka pasur rrëshqitje të tokës në disa segmente. Pushteti vendor ka ngritur shtabet dhe në bashkëpunim me firmat janë marrë masat për të mbajtur hapur segmentet, sot pasdite ka pasur probleme në Zall Bastar.

Personat që ndodheshin në dy makinat në Zall Bastar të bllokuar janë evakuuar. OSHE është në terren dhe po punon për të rivendosur në punë linjat elektrike. Në Ministri janë vendosur në gatishmëri grupet për zonat ku pritej që të kishte probleme nga Veriu në Jug. Nuk rrezikohet që të përsëritet situata e përmbytjeve të vitit të kaluar. Nuk ka tendenca të prurjes së lumenjve nga Greqia, intensiteti i reshjeve ka filluar që të bjerë. Në Kaskadën e Drinit situata është normale. Në pjesën e dytë të natës niveli i reshjeve do të ulet, ndërsa në zonat malore do të ketë dëborë në lartësinë mbi 700 metra, do të ketë temperatura të ftohta dhe situata do të shkojë drejt normalizimit” deklaroi ai.

d.b/shqiptarja.com