Vazhdon të mbetet e rënduar situata në territorin e Bashkisë Kukës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, ndonëse në këto momente ato kanë pushuar.
Në fshatin Orgjost, ura që lidh mbi 1000 banorë të zonës rrezikon të dëmtohet seriozisht për shkak të fryrjes së lumit nga prurjet e shumta të ujit.
Banorët kanë dërguar për Report Tv foto dhe video ku shihet qartë se prurjet e lumit kanë gërryer bazamentet e betonit në hyrje dhe dalje të urës, e cila është e tipit ushtarak.
Sipas banorëve, në rast të përkeqësimit të situatës, ata nuk do të lejojnë fëmijët të shkojnë nesër në shkollë, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat e emergjencave civile në nivel lokal dhe qendror.
Aktualisht, fshati Orgjost ka mbetur pa energji elektrike, e cila është ndërprerë rreth 30 minuta më parë.
Lajmi kryesor:
Shiu ‘paralizon’ vendin/ Evakuohen 180 banorë në Durrës, 800 shtëpi të përmbytura! 15 banesa nën ujë në Shkodër! Kritike situata në Gjirokastër (VIDEO)









