
Për të gjashtën ditë radhazi, vijon puna intensive për mbylljen e çarjeve në argjinaturën e Çukës, të shkaktuara nga prurjet e larta të lumit Bistrica.
Forcat operacionale të Bashkisë Sarandë dhe të emergjencave civile po punojnë në terren me mjete dhe materiale për të forcuar mbrojtjen e zonës bujqësore.
Dëmet e shkaktuara ndër fermerë janë të konsiderueshme. Sipas drejtuesit të grupit operacional të emergjencave në Bashkinë Sarandë, Jolio Dine, situata po evidentohet me kujdes dhe shifrat paraprake janë alarmuese.
“Sipas përllogaritjeve që kemi deri tani, rezultojnë të mbytura rreth 700 krerë bagëti të imta, afro 2 mijë shpendë dhe disa koshere me bletë. Dëme të shumta ka pasur gjithashtu edhe në magazinat e misrit, i cili sapo ishte korrur’, tha Jolio Dine.
Për të ardhur në ndihmë fermerëve të prekur, emergjencat civile kanë ofruar deri tani 8 tonë ushqim për bagëtitë, ndërsa grumbullimi i të dhënave vazhdon.
“Çdo person i dëmtuar duhet të paraqitet në Bashkinë Sarandë për raportimin e dëmeve. Vetëm pas evidencimit të plotë mund të vendosim për hapat e mëtejshëm’, tha Jolio Dine.
Megjithatë, sa i përket dëmshpërblimit, fermerët ende nuk kanë një datë të saktë se kur mund të nisë ky proces. Autoritetet thonë se do të varet nga vlerësimi përfundimtar dhe vendimet e mëtejshme institucionale.
Ndërkohë, puna për rikonstruksionin e argjinaturës vijon, me qëllim parandalimin e përmbytjeve të tjera dhe mbrojtjen e tokave bujqësore në Çukë dhe fshatrat përreth.
Lajmi kryesor:
Moti i keq/ Pezullohet lundrimi i anijeve të peshkimit, shtyhet për nesër udhëtimi i tragetit të linjës Vlorë-Brindis











