Autoriteti Portual i Vlorës njofton se për shkak të përkeqësimit të motit që pritet të ndodhë në ditët në vijim, është ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda Gjirit të Vlorës në det të hapur deri ditën e nesërme ora 6:00.

Ndërkohë nga ana tjetër sipas burimeve bëhet me dije se trageti i linjës Vlorë-Brindsi ka mbërritur në port, por nisja do të shtyhet për nesër në orën 13:00 sërish për shkak të kushteve atmosferike.

Njoftimi i plotë:

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datës 25-26.11.2025 duke filluar nga ora 10:00 datë 25.11.2025 në drejtimin JUG-JUGLINDJE në forcën deri 5-6bft me shpejtësi ere deri në 10-15m/s dhe lartësi dallge nga 1.00 deri 1.50 metra, ju bëjmë me dije se :

1. Është ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat duan të operojnë brenda gjirit të vlorës në det të hapur, duke filluar nga ora 10:00 datë 25.11.2025 deri në datë 26.11.2025 në orën 06:00.

2. Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të vlorës të marin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike detare dhe marjen e masave për sigurimin e tyre.

3. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gadishmerisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

4. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalishtë sipas destinacioneve përkatëse.

5. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar të parashikuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 26.11.2025.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:34
Moti i keq në Sarandë/ Drejtuesi i Emergjencave në bashki: Rreth 700 krerë bagëti të imta të mbytura, dëme edhe në bujqësi

1764092390_sarande.jpg

Për të gjashtën ditë radhazi, vijon puna intensive për mbylljen e çarjeve në argjinaturën e Çukës, të shkaktuara nga prurjet e larta të lumit Bistrica.

Forcat operacionale të Bashkisë Sarandë dhe të emergjencave civile po punojnë në terren me mjete dhe materiale për të forcuar mbrojtjen e zonës bujqësore.

Dëmet e shkaktuara ndër fermerë janë të konsiderueshme. Sipas drejtuesit të grupit operacional të emergjencave në Bashkinë Sarandë, Jolio Dine, situata po evidentohet me kujdes dhe shifrat paraprake janë alarmuese.

 “Sipas përllogaritjeve që kemi deri tani, rezultojnë të mbytura rreth 700 krerë bagëti të imta, afro 2 mijë shpendë dhe disa koshere me bletë. Dëme të shumta ka pasur gjithashtu edhe në magazinat e misrit, i cili sapo ishte korrur’, tha Jolio Dine.

Për të ardhur në ndihmë fermerëve të prekur, emergjencat civile kanë ofruar deri tani 8 tonë ushqim për bagëtitë, ndërsa grumbullimi i të dhënave vazhdon.

 “Çdo person i dëmtuar duhet të paraqitet në Bashkinë Sarandë për raportimin e dëmeve. Vetëm pas evidencimit të plotë mund të vendosim për hapat e mëtejshëm’, tha Jolio Dine.

Megjithatë, sa i përket dëmshpërblimit, fermerët ende nuk kanë një datë të saktë se kur mund të nisë ky proces. Autoritetet thonë se do të varet nga vlerësimi përfundimtar dhe vendimet e mëtejshme institucionale.

Ndërkohë, puna për rikonstruksionin e argjinaturës vijon, me qëllim parandalimin e përmbytjeve të tjera dhe mbrojtjen e tokave bujqësore në Çukë dhe fshatrat përreth.

Ora 15:19
Moti i keq në Qarkun Korçë/ Dëme në rrugë, ura dhe argjinatura, strukturat në terren vijojnë punën

1763577276_aa.JPG

Si pasojë e reshjeve të shiut të rëna ditët e fundit në qarkun Korçë, po vijon puna për evidentimin e problematikave të shkaktuara nga reshjet.

Bashkia Maliq:

a) Vijon puna intensive në argjinaturën e lumit Devoll. Ekipet në terren po kryejnë përforcimin dhe stabilizimin e segmenteve problematike, me qëllim garantimin e sigurisë dhe parandalimin e përmbytjeve në zonat përreth.

Gjatësia e punimeve: 2.1 km

Forca operuese 60 dhe logjistike:

18 kamionë

3 fadroma

5 ekskavatorë të mëdhenj

1 ekskavator krah gjate

2 ekskavatorë të vegjël

Paralelisht është ndërtuar segment sekondar poshtë argjinaturës, në gjatësi prej 400 metrash, i cili shërben për kthimin e mjeteve dhe aksesin teknik të mjeteve të rëndë.

b)            I dëmtuar aksi rrugor Mesmal – Velçan – Selcë po vijohet puna nga strukturat vendore.

c)            Aksi në fshatin Osojë dhe Gjinikas është i pakalueshëm për shkak të shembjes së urës.

Bashkia Devoll:

a)            Aktualisht po punohet në ura Çetë si dhe po ndërhyhet për sistemimin e rrugëve në fshatrat Progër, Bitinckë e Vranisht.

b)            Në segmentin Dobranj – Bracanj është konstatuar dëmtim i asfaltit në rreth 15 metra.

Bashkia Kolonjë:

a)            Ndërhyrje me ekskavator në argjinaturën e përroit Shtikë dhe Bezhan për stabilizimin e segmenteve problematike.

b)            Në fshatin Gostivisht po largohet dheu i rrëshqitur me fadromë.

c)            Vijojnë punimet në urën e Qinamit.

d)            Në fshatin Starje po pastrohen kanalizimet me fadromë dhe punëtorë në terren.

Bashkia Pustec:

Po punohet për pastrimin e përroit të Goricës së Madhe nga inertet dhe në sistemimin e rrugës Lajthizë-Liqenas.

Bashkia Pogradec:

a)            Grupi në terren vijon punën përgjatë Lumit Verdovë, grykderdhjes dhe zonave pranë tij, Lumit të Rremenjit dhe përgjatë banesave.

b)            Në Verdovë është dëmtuar rreth 65 ml mur mbajtës, 45 ml në Unazë dhe 60 ml në Zërvaske.

Bashkia Korçë:

Strukturat në terren vijojnë punën për neutralizimin e plotë të problematikave të konstatuara këto ditë.

A.RR.SH:

a) Në segmentin rrugor Maliq-Lozhan i Ri-Strelcë është konstatuar gërryerje nën bankinën e rrugës që ka sjellë edhe rrëzimin e barrierave mbrojtëse metalike anësore dhe rrezikon gërryerjen e pjesës asfaltike.

b) Në segmentin K.Boboshticë - Dardhë çedim i rrugës në km 7.

Janë marrë masat nga A.RR.SH për të dy problematikat dhe do fillojë ndërhyrja në vend.

Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike.

Ora 13:28
Përmbytjet në Lezhë/ Dëme të shumta në bujqësi, 300 ha tokë nën ujë

1764074103_lezhe.JPG

Një nga zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Lezhë është edhe njësia administrative e Zejmenit. Prej një jave, dhjetëra hektarë tokë bujqësore në fshatrat Spiten dhe Tresh ndodhen nën ujë, i cili ne disa zona ka arritur deri ne 1 metër.

Fermerët shprehen të shqetësuar pasi nuk kanë më shpresë që mbjelljet e grurit dhe jonxhës të japin rendiment këtë sezon, për shkak te prezencës së ujit për nje kohë të gjate në tokat e tyre.

Ata thonë se kjo është një situatë e përsëritur dhe asnjëherë nuk janë kompensuar për demet e shkaktuara.

Sipas te dhenave të strukturave te Mbrojtjes Civile me mbylljen e argjinaturës së çare te Lagunës së Vainit, niveli i ujit ka rënë dhe sipërfaqja e përmbytur aktualisht është rreth 300 hektarë.

Ndërkohë prej dy ditësh grupet e punës të Bashkisë Lezhë kanë dalë në terren dhe po verifikojnë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në Njësite Administrative Kolsh, Shënkoll dhe Zejmen.

Ora 12:54
Rikthehen reshjet e shiut, Gjoni për Report Tv: Në qarkun e Gjirokastrës e Vlorës do të jenë intensive! Do të rrisin prurjet e lumenjve

 

Prej më shumë se një jave vendi ynë është përfshirë nga reshjet e dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar daljen e disa lumenjeve nga shtrati dhe përmbytjen e qindra hektarë tokë bujqësore.

Po si parashikohet moti në ditët në vijim?

Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave e ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se gjatë mbrëmjes së sotme do të kemi rikthimin e reshjeve të shiut

“Nga mbrëmja e sotme presim rikthimin e reshjeve me intensitet të shtuar. Në qarkun e Vlorës dhe Gjirokastrës reshjet do të jenë shumë intensive. Në qarkun e Kukësit, Shkodrës, Elbasanit dhe Dibërs reshjet do të jenë intensive, teksa në qarqet e tjera do të jenë në nivel mesatar”, tha Gjoni teksa shtoi se reshjet do të jenë të shoqqruar me shtrëngata.

Gjoni nënvizoi se ky rikthim i reshjeve do të shtojnë edhe prurjet në lumenj.

“Reshjet që do bien sot do të risjellin prurje të lumenjëve Shkumbin, Seman dhe Vjosë. Reshjet do të vijojnë deri në fund të muajit” tha ajo.

Ndërkohë në zonat malore kryesisht në veri dhe lindje mbi nivelin 1000 metër do të kemi reshje dëbore.

Sa i përket zonave bregdetare problematikë paraqitet era e fortë.

Ora 10:29
Gonxhja: Urat e restauruara, monumente kulture përballuan pa asnjë dëmtim motin e keq

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja publikoi në faqen e tij zyrtare disa pamje nga shumë prej urave të shpallura Monumente Kulture në vend, të cilat janë restauruar së fundmi.

Ministri thekson se, falë ndërhyrjeve restauruese të kryera me profesionalizëm këto monumente po përballojnë prurjet e mëdha të lumenjve, pas reshjeve të shtuara të ditëve të fundit.

“Falë ndërhyrjeve restauruese të kryera me profesionalizëm duke respektuar në çdo detaj arkitekturën origjinale të urave monument kulture të kategorisë së parë në Shqipëri, nga Ura e Mesit në Shkodër tek Ura e Zogut (FAZA I), nga Ura e Golikut dhe Shën Prodhomit në Voskopojë tek Ura e Nicës në Pogradec, dhe deri tek urat e Glinës dhe të Haskovës në Gjirokastër, këto vepra historike po i përballojnë pa asnjë dëmtim prurjet e mëdha të lumenjve pas motit të keq me shi, duke dëshmuar qëndrueshmërinë e rikthyer dhe rëndësinë jetike të restaurimit të tyre”, shkroi Gonxhja.

Ora 10:25
Përmbytjet në Kurbin/ Nis puna për devijimin e shtratit të lumit Droje dhe hapjen e rrugës së fshatit Shpërdhet

 

Me uljen e nivelit të prurjeve në lumin Drojë, strukturat e mbrojtjes civile kanë nisur punën për rikuperimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet nw Kurbin. Punëtorë dhe mjete të rënda po punojnë për devijimin e shtratit të lumit dhe më pas hapjen e një rruge alternative për banorët e fshatit Shperdhet, të cilët janë të izoluar prej më shumë se një jave.

Banorët shprehen se shembja e rrugës i ka vënë në vështirësi të mëdha, pasi aktualisht nuk kanë asnjë mundësi kalimi me automjete.

Një javë më parë, reshjet e dendura shkaktuan përmbytje në disa zona të Kurbinit, ndërsa dalja nga shtrati e lumit Drojë shkatërroi rrugën e fshatit Shpërdhet, duke izoluar rreth 80 familje. Në të njëjtën kohë, mjetet e Bashkisë dhe Ushtrisë po punojnë për rikthimin e normalitetit edhe në Malësinë e Kurbinit, ku si pasojë e shembjes së urave dhe rrugëve u izoluan tre fshatra.