Tërheqja e ujit në disa prej zonave të përmbytura, po i bën më të dukshme dëmet e shkaktuara. Në Vrion të Sarandës, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit, dëmet në stallat e të imtave janë kolosale, ndërsa baza ushqimore është dëmtuar plotësisht.

Saranda është ndër zonat më të prekura nga moti i keq i ditëve të fundit. Ujërat që vërshuan, përmbytën jo vetëm sipërfaqe të shumta toke, por prekën dhe bagëtitë. Gati gjysma e krerëve u mbytën.

Fermeri Lulzim Osmani, në Vrion, ku si pasojë e daljes së lumit Bistricë nga shtrati, uji ka përmbytur të gjithë stallën e bagëtive, vëren me trishtim pasojat e dëmeve.

“Kanë ngordhur 30 qingja, 13 krerë dele, 120 dhi dhe 60 keca. Dhitë dhe kecat nuk i kemi gjetur fare, ndërsa pjesa tjetër e bagëtive nuk kanë mundur të dalin nga stalla. Dëmet i konstatuam vetëm pasi ra niveli i ujit në stallë', tha ai. 

Ai tregon se uji hyri brenda stallës duke shkatërruar gjithçka. Edhe rezervat ushqimore të bagëtive janë dëmtuar pothuajse tërësisht.

“Kemi kontaktuar autoritetet dhe presim të hiqen kafshët e ngordhura. Bëj apel të na ndihmojnë edhe me ushqim për ato pak kafshë që na kanë mbetur', tha ai. 

Ferma ishte i vetmi burim të ardhurash për familjen Osmani në Sarandë, anëtarët e së cilës shpresojnë tek vlerësimi real i situatës me qëllim rimëkëmbjen e fermës.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Situata drejt normalizimit, ulet niveli i lumenjve, reshje bore nga veriu në jug! Masive shkëmbore bllokojnë aksin Qukës-Qafë Plloçë