Moti i keq ka ‘gjunjëzuar’ Shqipërinë prej ditësh teksa reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje masive në toka e banesa nga veriu në jug të vendit.

Situata është raportuar problematike në qarkun e Fierit ndërsa gjendja po shkon drejt normalizimit. Ndërkohë, 25 banesa kanë prani uji. Drejt normalizimit është dhe situata në qarkun e Korçës.

Ekipet e emergjencës po punojnë për tërheqjen e ujit nga bodrumet e 4 banesave në Pustec ndërsa 50 banesa raportohen të dëmtuara në Pogradec dhe 4 ura. Sot gjithashtu u bë edhe shpërndarja e ndihmave për të gjitha familjen e prekura nga përmbytjet banesat e të cilëve janë dëmtuar rëndë.

Niveli i lumit të Vjosës, Semanit dhe Shkumbinit është në rënie ndërsa ujërat kanë filluar të tërhiqen dhe nga tokat bujqësore. Ndërkohë dëbora e parë ka rënë në qarkun e Korçës duke zbardhur malësinë e Dardhës, Vithkuqit dhe Shtyllës, ndërsa në rrugë ndodhen dhe borëpastrueset.

Trashësia e reshjeve të dëborës në aksin Bogë-Theth arriti deri në 4 centimetra. Ndërkohë edhe në aksin Hani Hotit - Dogana Vermosh pati reshje dëbore gjatë natës në lartësi mbi 1000 m. Dy borëpastruese ndodhen në terren, teksa nuk problem me qarkullimin.

Sakaq, nisi puna për riparimin e argjinaturës në Lezhë dhe asaj në Kurbin. Rreth 220 ha tokë vazhdojnë të jenë të përmbytura në Lezhë dhe rreth 300 ha në Mamurras. Ekipet e emergjencave po punojnë për tërheqjen e ujit nga ndërtesat në Shëngjin e Lezhë.

Në bashkinë Berat nivelet e lumit Osum shënuan rënie të theksuar. Lumi është brenda shtratit të vet dhe ujërat në tokat bujqësore në fshatrat e njësisë administrative Velabisht janë tërhequr në pjesën më të madhe.

Si pasojë e motit të keq rrëshqitje masive dheu e shkëmbinjsh bllokuan qarkullimin në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçkë. E njëjta situatë problematike u paraqit edhe në rrugën e Bovillës duke çuar edhe në izolimin e disa fshatrave.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:30
Moti i keq në Qarkun Elbasan/ Reshje me intensitet të ulët, Shkumbini me prurje mbi mesataren

1763933351_aa.JPG

Në Qarkun Elbasan kanë vijuar reshjet e shiut me intensitet të ulët. Nuk raportohen problematika nga sektorët e Emergjencave Civile të bashkive të qarkut.

Lumin Shkumbin ka prurje mbi mesatare pa shkaktuar probleme përgjatë shtratit të tij.

Ndërkohë HEC Banjë ka shtuar sasinë e shkarkimeve duke kaluar në 200m3/sek, (përveç 100m3/sek që është prodhimi). Kjo pasi edhe Moglica është në kuota maksimale.

Fushat e Sulovës që janë në hartën e rrezikut në rast të shkarkimeve nga HEC Banje, deri tani nuk rezultojnë të rrezikuara, apo të kenë ujë ose përmbytje.

Rreth orës 17.30 në aksin Elbasan-Peqin u ndërhy nga ekipi zjarrfikës i MZSH Peqin për prerjen dhe largimin nga rruga të një pishe që kishte bllokuar pjesërisht qarkullimin.

Ora 20:07
Moti i keq në Sarandë/ Fermeri: Stalla e bagëtive u përmbyt, 223 krerë të ngordhur, shteti të na ndihmojë

Tërheqja e ujit në disa prej zonave të përmbytura, po i bën më të dukshme dëmet e shkaktuara. Në Vrion të Sarandës, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit, dëmet në stallat e të imtave janë kolosale, ndërsa baza ushqimore është dëmtuar plotësisht.

Saranda është ndër zonat më të prekura nga moti i keq i ditëve të fundit. Ujërat që vërshuan, përmbytën jo vetëm sipërfaqe të shumta toke, por prekën dhe bagëtitë. Gati gjysma e krerëve u mbytën.

Fermeri Lulzim Osmani, në Vrion, ku si pasojë e daljes së lumit Bistricë nga shtrati, uji ka përmbytur të gjithë stallën e bagëtive, vëren me trishtim pasojat e dëmeve.

“Kanë ngordhur 30 qingja, 13 krerë dele, 120 dhi dhe 60 keca. Dhitë dhe kecat nuk i kemi gjetur fare, ndërsa pjesa tjetër e bagëtive nuk kanë mundur të dalin nga stalla. Dëmet i konstatuam vetëm pasi ra niveli i ujit në stallë', tha ai. 

Ai tregon se uji hyri brenda stallës duke shkatërruar gjithçka. Edhe rezervat ushqimore të bagëtive janë dëmtuar pothuajse tërësisht.

“Kemi kontaktuar autoritetet dhe presim të hiqen kafshët e ngordhura. Bëj apel të na ndihmojnë edhe me ushqim për ato pak kafshë që na kanë mbetur', tha ai. 

Ferma ishte i vetmi burim të ardhurash për familjen Osmani në Sarandë, anëtarët e së cilës shpresojnë tek vlerësimi real i situatës me qëllim rimëkëmbjen e fermës.

Ora 19:03
Ministri Salla nga Korça: Kemi çarje në disa nga argjinaturat e lumenjve, do evidentohen dëmet e fermerëve

Ministri i Bujqësisë Andis Salla, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Piro Vengu kanë parë nga afër situatën nga reshjet e shiut në qarkun Korçë.

Salla tha se ka pasur disa çarje në disa nga argjinaturat e disa lumenjve, ndërsa theksoi se fermerëve që u janë dëmtuar prodhimet do të bëhet evidentimi i dëmeve.

"Siç e shikoni, jemi bashkë me ministrin e mbrojtjes dhe ekipin e Agjencisë Civile, ku bashkë me bordin e kullimit dhe bashkia që ka qenë gjithë kohës prezente në situatën që ka ndodhur ditët e fundit, ne kemi disa çarje në disa nga argjinaturat e disa lumenjve. Këtu jemi në një nga rrugët ku ne jemi duke shkuar për në çarjen, në mënyrë që sonte apo nesër në mëngjes të kemi arritur të përmbyllim pjesën e dëmeve, çarjeve të argjinaturave. Ne pak më parë ishim në një tjetër problematikë ku jemi drejt përfundimit. Këtu kemi bërë një devijim ku ujërat tashmë janë në drejtim të lumit, nuk ka më çarje nëpërmjet ujërave në toka bujqësore dhe kjo rrugë është duke u bërë për të kaluar dhe për të çuar të gjithë materialin e duhur në mënyrë që mos të kemi më problematikë gjatë çarjes së argjinaturës së lumit.

Sa për dëmet, ne do të evidentojmë pas mbarimit të gjithë problematikave në të gjithë territorin e Shqipërisë, atje ku kemi pasur dëme, do të evidentojmë pasi të kemi përmbyllur gjithë procesin e dëmeve ku realisht ka në disa nga shtratet e lumeve apo problematikat në disa argjinatura, të cilat janë drejt përfundimit edhe në Sarandë, Fier e Lezhë ku kemi qenë prezent. Më pas do të vazhdojmë me evidentimin e të gjitha problematikave që janë ndaj fermerëve, blegtorëve dhe sektorin bujqësor.  Ne jemi në fazën e mbylljes së problematikave, më pas do vazhdojmë me evidentimin e dëmeve për çdo fermer shqiptar', tha ai. 

Ora 16:24
Prej më shumë se një jave terminali i autobusëve në Bulqizë nën pushtetin e ujit! Niveli arrin në 50 cm (VIDEO)

Prej më shumë se një jave terminali i autobusëve të linjave interurbane në Bulqizë është nën pushtetin e ujit. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut niveli i ujit ka arritur në 50 cm.

Sot bashkia Bulqizë me një mjet eskavator po punon për hapjen e kanaleve kulluese të qytetit të cilët prej vitesh nuk janë pastruar.

Kalimi në rrugë nga automjetet mbetet i vështirë ndërsa qytetarët shmangin kalimin në këtë zonë për shkak të pranisë së ujit.

Shqetësuese situata mbetet edhe për bizneset që operojnë në këtë zonë ku e kanë thuajse të pamundur të ushtrojnë aktivitetin e tyre tregtar.

Ora 14:27
Moti i keq/ Plasaritje në aksin Korçë-Ersekë, nuk ka bllokim të qarkullimit (VIDEO)

 

Mesditën e sotme disa plasaritje janë evidentuar në aksin Korçë-Ersekë pikërisht në vendin ku një vit më parë pati rrëshqitje toke.

Aktualisht aksi është i qarkullueshëm, ndërsa nuk dihet nëse plasaritja do të shkojë edhe më tej në strukturë duke rrëzuar plotësisht rrugën.

Tenderi i rrugës Korçë-Ersekë, një pjesë e së cilës u shemb sapo u ndërtua, u bë shkak që kryebashkiaku Isai të thirrej për herë të parë në SPAK në maj të vitit 2023. Mes të pandehurve është edhe firma projektuese e rrugës A&E ENGINEERING, në pronësi të Entela Çano, e cila dyshohet se kishte lidhje me Isain.

Kompania e Entela Çanos ishte edhe mbikëqyrëse e punimeve, pra që do të garantonte cilësinë e punimeve. Ajo fitoi tenderin gati sa fondi limit me vlerë gati 200 mijë euro. Ndërtimi kësaj rruge u realizua nga kompania “A. N. K.”, ndërsa prokurues është Autoriteti Rrugor Shqiptar. 

 

Ora 14:19
Shembja e Qukës-Qafë Plloçë, Blushi: Një tjetër varr monumental korrupsioni prej 260 milion euro

 

Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në njëkonferencë për shtyp, ka reaguar për bllokimin e aksit rrugor Qukës-Qafë Plloçkë.

Blushi tha se kjo rrugë është inauguruar 2 muaj më parë nga kryeministri Rama dhe Belinda Balluku, për të cilën është dashur 14 vite për ta ndërtuar me një investim prej 260 milionë eurosh.

Deputeti thotë se çdo rrugë e ndërtuar, është dhe do të mbetet një instrument i grabitjes së taksave të shqiptarëve.

Reagimi i Tedi Blushit.

Shembja dhe bllokimi i rrugës Qukës–Qafë Plloçë, e inauguruar tre herë nga Edi Rama dhe Belinda Balluku dhe e hapur zyrtarisht vetëm 2 muaj më parë, u shndërrua sot në një tjetër provë ulëritëse të korrupsionit me “rrugët e florinjta” që rrëzohen si thes kaste edhe pse ndërtohen 5-6 herë më shtrenjtë se kudo në rajon dhe në vendet e Bashkimit Europian.

Nga sot, rruga Qukës-Qafë Plloçë, për të cilën u deshën 14 vite për t’u ndërtuar dhe që u kostoi shqiptarëve 260 milion euro, është një tjetër varr monumental korrupsioni i Edi Ramës, një katastrofë e përsëritur dhe e paralajmëruar që për fatin e mirë edhe kësaj here nuk shkaktoi tragjedi në jetë njerëzish, për qytetarët, shoferët dhe pasagjerët që kalonin aty.

Shembja e rrugës Qukës-Qafë Plloçë, që ndodh pak kohë pas shembjes së një tjetër rruge të florinjtë si Korçë-Ersekë dhe pas shpërthimit të aferës me Tunelin e Llogarasë, ku Rama-Balluku vodhën 50 milion euro me një të rënë të lapsit dhe 25 milion euro me dy urat që nuk i ndërtuan kurrë, është dëshmia e radhë që veprat ‘madhështore’ të kësaj Qeverie nuk janë autostradat, tunelet apo urat moderne, por vetëm hapja e gropave të zeza dhe të thella të korrupsioni skizofrenik në çdo sektor, jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në bujqësi, në shëndetësi dhe në arsim.

Gropa që thellohen e zgjerohen gjithmonë edhe më shumë sa kohë drejtësia hesht dhe mbyll sytë para varreve monumentale të korrupsionit që hap Edi Rama me grabitjen e qindra miliona euro, të cilat duhet të kishin shkuar për rritjen e pensioneve, për rritjen e pagave për mësuesit dhe arsimtarët, apo për mbështetjen e sektorit jetik por të nënfinancuar të bujqësisë dhe që përfundojnë për ndërtimin e rrugëve të florinjta që shemben pas çdo shiu.

Sepse çdo rrugë e ndërtuar nga Edi Rama ka qenë dhe mbetet një instrument për të justifikuar grabitjen e taksave të shqiptarëve.

Shembja e rrugës Qukës-Qafë Plloçë nuk do të ndodhte nëse drejtësia do të kishte hetuar dhe zbardhur aferën e rrugës së shembur ende pa u inauguruar Korçë-Ersekë.

Ndaj dhe hetimet e aferës së tunelit të Llogarasë, të përqëndruara vetëm te Belinda Ballaku por jo edhe te Edi Rama, do të thotë se rrugë e vepra të tjera në infrastrukturë pritet të kenë të njëjtin fat.

Në këtë regjim, ku prioriteti i vetëm është korrupsioni dhe jo interesi publik, Edi Rama është ideatori dhe përfituesi kryesor i çdo afere të përbindshme korruptive.

Ndaj edhe të ngjashmit e Belinda Ballukut vijnë e ikin nga Qeveria, por aferat dhe gjakderdhja financiare vijon, sepse të gjitha rrugët e korrupsionit të çojnë vetëm te një emër: Edi Rama.

Pa hetuar dhe pa marrë të pandehur Edi Ramën askush nuk duhet të ketë iluzionin se në këtë vend ka drejtësi të pavarur, madje edhe nëse kjo mund të ndodhë sërish do të jetë vonë.

Në çdo vend tjetër, drejtësia do t’i kishte hedhur çelësat në det, një kryeministri që vjedh ditën për diell dhe pa maska, me rrugë të florinjta që shemben ose para ose pak muaj pas inaugurimit, por që ende vijon të jetë i lirë edhe pse sot ka një kabinet në liri dhe një kabinet në burg.

Shqiptarët meritojnë drejtësi për vjedhjen e qindra miliona eurove dhe drejtësi do të nisë vetëm kur Edi Rama të merret i pandehur.

Ora 13:48
Masive shkëmbore bllokojnë rrugën e Bovillës, izolohen disa fshatra (VIDEO)

 

Shirat e mëdhenj kanë marrë me vete sasi të mëdha inertesh duke shkaktuar dhe bllokimin e rrugës që lidh digën e Bovillës dhe disa fshatra, si Rrazë, Bruz, Mal, Bruz Zallë, me pjesën tjetër të vendit.

Siç shihet nga pamjet, gurë masivë janë shkëputur nga shpati dhe kanë bllokuar të gjithë rrugën.

Ora 13:20
Moti i keq/ Vengu nga Maliqi: Argjinatura në Sheqeras dëmtime të konsiderueshme! 15 ura në rang vendi janë të dëmtuara

 

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka qenë sot në Maliq, një nga zonat e prekuara si pasojë e reshjeve të shiut gjatë ditëve të fundit. Në një prononcim për mediat Vengu tha se argjinatura në Sheqeras ka patur dëmtime të konsiderueshme, teksa shtoi se po bëhen punime.

Jemi sot në zonën e Maliqit, në argjinaturën në Sheqeras ku ka patur dëmtime të konsiderueshme dhe në orët e para të shembjes së saj, drejtoritë rajonale të kullimit, bashkia Maliq, dhe forca të tjera që do shtohen në orët në vijim, janë duke bërë punime rehabilituese. Nga ana tjetër kemi dhe në zonën e Pyllit të Fazanëve një dëmtim argjinature, e cila vështirëson prurjet që vijnë nga Dunaveci në Devoll, ndaj po bëjmë një rishpërndarje të forcave duke kërkuar dhe angazhim shtesë nga forcat e armatosura.

Vengu gjithashtu përmendi edhe rënien e masivit shkëmbor në Qafë Plloçë, ku shtoi se ekipet e punës janë në gatishmëri. Ndër të tjera ai nënvizoi se do të jenë ditë të vështira për punime, pasi toka është shumë e pastabilizuar dhe e mbushur me ujë,

Po vijnë mjete vetëshkarkuese të ndihmojnë me volumet e mëdha që kërkohen për të mbuluar këto dëmtime. Jemi në gatishmëri, po shtojmë forcat, duhet të kuptojmë që kemi situata edhe të rrëshqitjes së dherave e masiveve malore, ku në Qafë Plloçë kishte një problematikë të madhe që na bëri të angazhohemi fuqimisht për të bërë një devijim përmes operatorëve të zonës. Do jenë ditë të vështira sepse rreshjet do rifillojnë, toka është si "sfungjer" praktikisht dhe është e vështirë të punohet në situata ku toka është shumë e pastabilizuar dhe e mbushur me ujë. Gjithsesi, po shtojmë forca në mënyrë që Maliqi mos të ketë problematikë në rreshjet që do pasojnë gjatë javës që vjen.

Sa i përket urave të dëmtuara si pasojë e reshjeve të shiut, Ministri tha se në të gjithë vendin janë dëmtuar 15 të tilla, teksa 1500 ha tokë ndodhet nën ujë. Për dëmshpërblimet e qytetarëve Vengu shtoi se është herët për të bërë një bilanc- megjithatë dëmshpërblimet do të bëhen sipas ligjit.

Ka në rang vendi 15 ura të dëmtuara, një pjesë prej tyrë është shembur dhe do kërkojnë investim domethënës. Qasja jonë është jo vetëm të qëndrojmë pranë banorëve pas kërkesave të kryetarëve të bashkive sa i përket rezervave materiale të shtetit, ka filluar shpërndarja e ndihmave në raste të caktuara.

Kemi kërkuar gjithashtu nga bashkitë që të bëjnë kërkesat për sa i përket ushqimeve për blegtorinë, koncentrat për blegtorët e prekur, dhe jemi në kushte ku po shpërndajmë në mbarë vendin edhe ushqime për blegtorinë. Këto janë dy grupet më të prekura dhe strategjia jonë është tu qëndrojmë pranë duke ditur që do kemi ende rreshje, nuk jemi jashtë rrezikut. Thjesht është një moment dielli që mundëson të vazhdojmë punën në terren. Presim prurje në mbarë vendin me intensitet shumë më të ulët se 3 frontet e para meteorologjike, por edhe jugun e presim të vijojë të ketë prurje dhe basenet ujore në jug të vendit do vijojnë të kenë prurje, ndaj jemi në gatishmëri të plotë.

Evidentime do bëhen dhe kemi mundësinë të bëjmë dëmshpërblime sipas parashikimeve ligjore. Është herët për një bilanc, kemi vetëm bilance paraprake dhe na rezulton që kemi rreth 1500 hektarë tokë nën ujë. Ujërat po ulen në nivel në mbarë vendin e kjo na jep mundësinë të rikuperojmë argjinaturat. Ka diferencë të madhe mes bashkive që kanë arritur të bëjnë investimet e nevojshme dhe atyre qe skanë patur mundësi të bëjnë investime. Në projektbuxhetin 2026 ne kemi një qasje të re sa i përket mbështetjes së bashkive sidomos atyre me më shumë risk për emergjencat civile duke i ardhur në mbështetje me fonde shtesë me një shpërndarje investimesh më të drejtë se në të kaluaren", tha Vengu.

Ora 13:08
Moti i keq/ Fushë-Studën në Librazhd nën petkun e bardhë të dëborës (VIDEO)

 

Moti i keq ka përfshirë vendin tonë gjatë ditëve të fundit, ku nuk kanë munguar as reshjet e dëborës ka bërë që edhe pika turistike e Fushë-Studën në Librazhd të ‘vishet’ me të bardha.

I rrethuar me pyje të larta, liqenin poshtë tyre dhe nën petkun e bardhë të dëborës ky vend është i duhuri për të gjithë ata që kërkojnë të shijojnë dëborën dhe bukuritë e Shqipërisë.

Ora 12:53
Lapaj nga aksi Qukës-Qafë Plloçë: Shiu i parë rrëmbeu 260 milionë euro

1763898951_adriatiklapaj.jpg

Kreu i “Lëvizjes Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar nga aksi “Qukës–Qafë Plloçë” pas rëshqitjes së masivit shkëmbor në këtë segment, një prej investimeve më të kushtueshme infrastrukturore në vend.

Në një video të publikuar në rrjetet e tij sociale, Lapaj thekson se një vepër për të cilën janë shpenzuar 260 milionë euro dhe janë dashur 14 vite punime, po shfaq probleme të rënda sigurie vetëm pak kohë pas hapjes për qarkullim.

“Kur tenderat bëhen me telefon, e kur përfituesi dihet pa u shpallur procedura, e kur hekuri mungon në beton, jeta e qytetarëve rrezikohet! Sot fati ka dashur që një shqiptar, apo disa të kenë shpëtuar, pasi masivi i madh shkëmbor në aksin Qukës-Qafë Plloçë ka rrëshqitur që me shiun e parë. Kujtoj që për këtë rrugë janë dashur plot 14 vite për t'u ndërtuar dhe plot 260 milionë euro”, shprehet ai.

Lapaj theksoi se rrëshqitja e masivit përbën rrezik për jetën e qytetarëve dhe jep shembullin tipik të keqmenaxhimit të investimeve publike.

Ora 12:24
Reshjet e dëborës në Qafë Thore-Theth, vijon puna për pastrimin e segmentit rrugor (VIDEO)

 

Reshjet e dëborës që kanë rënë në disa zona malore të vendit kanë bërë që disa rrugë të vendit të jenë nën pushtetin e dëborës.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë disa pamje nga aksi Qafë Thore-Theth, ku thekson se grupet e punës ndodhen në terren për pastrimin e aksit dhe vijimin e qarkullimit për banorët dhe vizitorët

“Puna në aksin rrugor Qafë Thore–Theth për pastrimin e dëborës, me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurt dhe të pandërprerë për banorët dhe vizitorët”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ora 12:13
Moti i keq/ Policia Rrugore apel drejtuesve: Respektoni sinjalistikën dhe pajisuni me goma dimërore

 

Moti i keq me reshje shiu në të gjithë vendin dhe reshje dëbore në disa zona, ka bërë që të rritet prezenca e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ardhjen në ndihmë të përdoruesve të rrugës në rast nevoje.

Shërbimet e Policisë po bashkëpunojnë me entet pronare të rrugëve dhe me firmat kontraktore, me qëllim pastrimin e rrugëve nga bora dhe shpërndarjen e kripës

Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore

Gjithashtu, të gjithë drejtuesit e mjeteve të rrisin kujdesin në të gjitha akset rrugore, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë parakalime dhe të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo, më keq akoma, në gjendje të dehur.

Ora 12:01
Moti i keq/ Ministri Salla: Situata në infrastrukturën e kullimit po normalizohet, niveli i lumenjve në rënie

1763895882_andissalla.jpg

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bën të ditur se gjatë orëve të natës reshjet kanë pasur intensitet të ulët, çka ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjet në terren dhe përmirësimin e situatës së shkaktuar nga prurjet e larta ditët e fundit.

Si rezultat, situata në infrastrukturën e kullimit po normalizohet gradualisht, me ulje të vazhdueshme të niveleve të ujit në kanalet kryesore dhe dytësore.

Në ultësirën perëndimore, ku prurjet kanë qenë më problematike, uji është tërhequr në një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqeve të përmbytura, duke i hapur rrugë rikthimit të funksionalitetit të plotë të sistemit të kullimit.

Në të njëjtën kohë, niveli i lumenjve është në rënie, ndërsa rrjedhat janë stabilizuar brenda shtratit natyral dhe argjinaturave ekzistuese, duke reduktuar rrezikun për dalje të mëtejshme nga shtrati.

Ekipet e drejtorive të ujitje-kullimit në qarqet Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë vijojnë pa ndërprerje punën në terren, me fokus të veçantë në zonat më të ekspozuara, për të garantuar normalizimin e plotë të situatës dhe funksionimin optimal të infrastrukturës.

Ministri Andis Salla do të vijojë monitorimin e vazhdueshëm dhe informimin e publikut në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Ora 11:49
Situata drejt normalizimit në Fier, ulet niveli i Vjosës dhe Semanit, ministri Vengu ne terren (VIDEO)

 

Lumi Vjosë është rikthyer në shtratin e tij ditën e sotme ku niveli ka rënë ndjeshëm dhe ujërat janë tërhequr nga sipërfaqet e tokave. Forcat e armatosura, qendra lëvizëse e AKMC, dhe efektivët e AKMC, u zhvendosën që nga mbrëmja e djeshme drejt Mbrostarit në Fier për problematikat e mundshme te lumit Seman. Për të parë situatën nga afër në këtë zonë, ishte i pranishëm dhe Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu i shoqëruar nga kreu i emergjencave civile Haki Çako.

Ditën e sotme edhe lumin Seman ashtu si Vjosa dhe Shkumbini ka filluar të ulet, por ende paraqitet me dalje nga shtrati brenda argjinaturës. Edhe pse Qarku Fier, nuk ishte parashikuar ndër qarqet e rrezikuara nga vala e përkeqësimit të motit që përfshiu mbarë vendin, problematikat nuk munguan. Lumenjtë  Seman dhe Vjosë kishin vite që nuk kishin dalë nga shtrati duke gjetur të papërgatitur banorët, por fatmirësisht nuk pati përmbytje banesash dhe evakuime, përveç një familjeje në Çerven. Gjithashtu nuk u cenua infrastruktura kritike e argjinaturave.

Rënia e nivelit të prurjeve në lumin Vjosë, ka rikthyer në funksionim puset e ujit të pijshëm në Kafaraj, pas disa ditë stakimi. Situata e krijuar nga prurjet e shtuara për shkak të reshjeve intensive detyruan shoqërinë rajonale të ujësjellës- kanalizimeve Fier, të stakojnë puset e ujit për të shmangur dëmtimet e mundshme të tyre dhe turbullimin e ujit të pijshëm. Qytetarët fierakë dhe zonat që mbulon ky stacion u përballën disa ditë me problematikën shqetësuese të mosfurnizimit me ujë, por ditën e sotme situata do të rikthehet në normalitet.

Ora 11:30
Moti i keq/ Lëpusha dhe mali i Krrabit nën petkun e dëborës, pamjet mahnitëse (VIDEO)

Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga moti i keq. Teksa i gjithë territori është përfshirë nga reshjet e dendura të shiu zonat malore janë zbardhur nga dëbora, mes tyre Lëpusha dhe mali i Krrabit në Pukë.

E vendosur në zemër të Kelmendit të Malësisë së Madhe, vitet e fundit Lëpusha është kthyer në një prej vendeve më të preferuara për turistët.

Ora 11:25
Bie masivi shkëmbor, bllokohet aksi i ri Qukës-Qafë Plloçë! Kalimi devijohet në një bypass provizor (VIDEO)

 

Një rrëshqitje masive e dheut dhe shkëmbinjsh është evidentuar në aksin rrugor Qukës-Qafë Plloçë në afërsi të tuneleve.

Mësohet se si pasojë e shirave të shumtë është shkëputur një sipërfaqe e madhe mali duke bërë bllokimin e plotë të aksit ndërsa kompania kontraktore e mirëmbajtjes është detyruar të vendosë në përdorim baypass provizor për kalimin e mjeteve.

Kjo është problematika më e madhe e evidentuar nga rrëshqitjet në këtë aks rrugor, ndërsa pritet që autoritetet të marrin masa për hapjen e aksit.

Ora 10:58
Ministria e Mbrojtjes përditësim të situatës: 220 hektarë tokë bujqësore e përmbytur në Lezhë, 300 hektarë në Mamurras, 25 banesa kanë prani uji në Fier
Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat për 24 orët e fundit teksa raporton se situata paraqitet përgjithësisht drejt stabilizimit, megjithëse në disa qarqe vijojnë problematikat e akumuluara nga prurjet e larta të lumenjve, rrëshqitjet e dherave dhe dëmtimet në infrastrukturë. Nivelet e shumicës së lumenjve janë në rënie, ndërsa hidrovorët në zonat më të prekura po punojnë me kapacitet të plotë. Forcat e emergjencave, Forcat e Armatosura, strukturat vendore dhe ekipet e ndërhyrjes së shpejtë mbeten në terren për normalizimin e situatës dhe mbajtjen nën kontroll të zonave me risk.

SITUATA SIPAS QARQEVE

QARKU VLORË

Hidrovorët e bashkisë Vlorë janë në punë me kapacitet të plotë.

Niveli i lumit Vjosë në Novoselë vazhdon me trend ulje.

Gjatë ditës së djeshme, në ndihmë të situatës erdhën dhe forcat e Njësisë së Komandës Mbështetëse.

Bashkia Sarandë

Situata është në monitorim në fshatin Çukë, në argjinaturën e lumit Bistricë. Ditën e djeshme në këtë zonë operuan edhe 10 efektivë të FA, me mjete, në ndihmë të banorëve të zonës.

Forcat operacionale punuan për normalizimin e situatës në rrugët që lidhin disa fshatra në bashkitë; Finiq, Konispol dhe Delvinë, ku ka pasur prezencë dherash.

QARKU FIER

Ekipet e emergjencave janë në ndihmë të banorëve në fshatrat Çerven dhe Ferras, ku janë 25 banesa me prani uji, brenda argjinaturës së lumit Vjosë.

Sot lumi Seman është tërhequr në kuota të sigurta, me rënie prej 70 cm.

QARKU KORÇË

Situata në njësitë administrative të prekura; Bulgarec, Vithkuq, Drenovë, Mollaj është qetësuar. Uji është tërhequr, po vijon puna për normalizimin e plotë.

Po vijojnë punimet për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumit Devoll dhe lumit Dunavec. Në ndihmë kanë ardhur dhe 20 forca nga FA. Lumi Devoll ka ulur nivelin disa centimetra. Fshati Sheqeras nuk rrezikohet për përmbytje të banesave, por ka prani uji në sipërfaqet bujqësore. Vëmendja është përqendruar në infrastrukturën e fshatrave Moçan, Desmire, Osoje dhe Gjinikas. Po ashtu po punohet edhe në fshatrat Senisht dhe Dolanm, ku ka patur rrëshqitje dherash.

Në Pustev fituata paraqitet e qetë, ndërsa forcat zjarrfikëse po ndërhyjnë për largimin e ujit nga bodrumet e 4 banesave që kanë prezencë uji.

Po ashtu po ndërhyhet në bashkinë e Pogradecit, ku janë evidentuar evidentuar rreth 50 raste dëmesh në banesa dhe në 4 ura.

Janë konstatuar problematika në Unazën e Qytetit dhe Hudenisht, ku po punohet për neutralizimin e situatës. Po ashtu puna vijon nga ekipet në Kolonjë, në fshatin Qinam dhe në fshatrat Mesickë dhe Taç Poshte.

QARKU LEZHË

Në bashkinë Lezhë vazhdon të jetë nën ujë një sipërfaqe rreth 220 ha.

Hidrovorët po punojnë me kapacitet të plotë.

Tek argjinatura në Lagunën Vain, vijon puna për riparimin e digës së dëmtuar.

Nivelet e lumenjve Drin dhe Mat kanë  pësuar rritje por është brenda kuotave normale.

Në bashkinë Kurbin, po vijojnë punimet në shtratin e lumit Drojë, edhe me mbështeje nga FA. 

Në Mamurras ka një sipërfaqe rreth 300 ha nën ujë.

Në bashkinë Mirditë Problematike mbetet aksi rrugor Rrëshen - Bukmirë ku ulja e bazamentit te rrugës vazhdon duke sjell problematike në qarkullim ndonëse është ndërhyrë në rehabilitimin e saj. Po punohet në disa segmente rrugore dhe pranë disa banesave ku ka patur rrëshqitje dherash.

QARKUN DIBËR

Po vazhdon puna për stabilizimin e situatës në aksin rrugor qytet i Vjetër -qytet i Ri, tek terminali.

QARKU BERAT

Në bashkinë Berat nivelet e lumit Osum kanë shënuar rënie të theksuar. Lumi është brenda shtratit të vet dhe ujërat në tokat bujqësore në fshatrat e njësisë administrative Velabisht janë tërhequr në pjesën më të madhe.

Ndërkohe në bashkinë Dimal situata po vjen drejt përmirësimit.

QARKU GJIROKASTËR

Po punohet nga ekipet në terren, në bashkinë Dropull, ku ura që lidh aksin rrugor Kombëtar me fshatrat Glinë, Peshkëpi e Poshtme, Peshkëpi e Sipërme, Radat të bashkisë Dropull dhe fshatin Nepravishtë të bashkisë Libohovë, ka pësuar ulje si pasojë e reshjeve të shiut.

Është bërë I mudnur stabilizimi I situatës në fshatin Dhëmbklan, ku dje pati shkarje të urës.

Në bashkinë Libohovë, tek vendi i quajtur “Shkëmbi Dallëndyshes” po punohet për riparimin e shkarjes së trupit të rrugës. Po punohet edhe në aksin rrugor Suhë-Poliçan.

QARKU TIRANË

Është punuar në fshatin Shargë, në Vorë për largimin e ujit nga një banesë.

QARKU KUKËS

Forcat operacionale po punojnë për normalizimin e situates në bashkinë Kukës, ku u evidentuan 2 raste të rrëshqitjes së tokës në fshatin Gjegjan dhe në fshatin Morinë. 

Në qarqet, Durrës, Shkodër dhe Elbasan, nuk  paraqiten problematika për shkak të kushteve të motit.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në monitorim dhe kontakt të vazhdueshëm me strukturat e mbrojtjes civile dhe ekipet e emergjencave për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve në zonat e prekura.

Ora 10:42
Ulja e temperatuarve/ Malësia e Krujës nën petkun e dëborës, zbardhet Qafështama! Trashësia arrin deri në 10 cm (VIDEO)

 

Malësia e Krujës është zbardhur nga dëbora si pasojë e rënies së saj gjatë orëve të natës.

Trashësia e dëborës mes tyre në Qafështamë arrin në 10 centimetra teksa, nuk raportohet për rrugë të bllokuara.

Vetëm në disa fshatra ka problem me furnizimin me energji elektrike.

Ndërkohë në ultesirën e saj reshjet e shiut vijojnë, por pa shkakatuar problematika. 

Lumi Ishëm ka një rritje të nivelit të ujit, por nuk paraqet ndonjë problematikë.

Ora 10:27
Problematike situata në fshatrat e Lezhës, sipërfaqe tokash bujqësore të përmbytura nga uji (VIDEO)

 

Tokat bujqësore në Barbulloje, Rrile, Spiten dhe Tresh në rrethin e Lezhës, janë të përmbytura nga uji.

Sakaq, ka nisur puna për tërheqjen  e ujit nga ekipet e emergjencave si dhe për riparimin e argjinaturave të dëmtuara.

Ora 10:07
Moti i keq/ Ura e Metoqit në Sarandë, dëmtime të rënda pas përmbytjeve gjatë kësaj jave! E rindërtuar para tre vitesh

Ura e Metoqit ka pësuar dëmtime të rënda pas përmbytjeve të ditëve të fundit.

Ura shërben për lidhjen e zonës bujqësore të fushave të Metoqit, ku ndodhen edhe disa magazina bujqësore dhe shtëpi banimi.

Forcat e emergjencave civile kanë inspektuar urën për të parë nga afër dëmtimet dhe mundësinë e rikonstruktimit në vijim.

Ura është e rindërtuar pasi para tre vitesh pësoi shembje.

Ora 09:55
Situata drejt normalizimit në qarkun e Korçës, nis sot shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet! Reshje dëbore në Dardhë

1763888161_dardhe.jpg

Në përditësim të situatës në qarkun e Korçës, autoritetet raportojnë për normalizim të situatës. Sakaq, sot do të nisë dhe shpërndarja e ndihmave të magazinuara na Rezervat e Shtetit për familjet e prekura nga përmbytjet, banesat e të cilëve janë dëmtuar rëndë.

Në aksin rrugor Boboshticë-Dardhë, ka nisur pastrimi i rrugëve nga reshjet e dëborës ndërsa raportohet se reshjet nuk janë intensive dhe situata paraqitet pa problematika.

INFORMACION MBI SITUATËN E RESHJEVE NË QARKUN KORÇË, DATË 23/11/2025, ORA 09:30

Ju informoj mbi situatën si vijon:

Bashkia Korçë:

Në aksin Boboshticë–Dardhë kanë nisur reshjet e borës, kontraktori vijon punën për pastrimin e rrugës.

Situata paraqitet pa problematika.

Bashkia Kolonjë:

Situata vijon drejt normalizimit.

Është ndërhyrë në Tac Poshte për largimin e ujërave nga parcelat.

Në fshatin Qinam është kryer devijimi i lumit për mbrojtjen e këmbëve të urës, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Rrugëve Rurale, Qarku Korçë.

Gjatë natës ka patur reshje, të cilat në zonat mbi 1500 m kanë qenë në formë bore.

Bashkia Maliq:

Niveli i lumit Devoll ka pësuar ulje me rreth 1.30 cm, duke përmirësuar situatën e prurjeve.

Vijon ndarja e ndihmave të vëna në dispozicion nga Rezevat Materiale të Shtetit për 100-150 familje të dëmtuara nga përmbytjet.

Bashkia Pustec:

Gjatë natës reshjet kanë qenë të dobëta. Uji i akumuluar në katet e poshtme (bodrume) të disa banesave është larguar plotësisht.

Nuk raportohen problematika.

Bashkia Devoll:

Nuk ka problematika të reja. Vijon puna për zgjidhjen e problematikave të shfaqura gjatë ditëve të kaluara.

Bashkia  Pogradec:

Gjatë natës situata në Bashkinë Pogradec ka qenë e qetë, pa raportime të reja problematikash.

Dje u sistemuan rrëshqitjet e dheut në Gurras dhe Dardhas.

Në Njësinë Administrative Bucimas u krye pastrimi i disa kanaleve kulluese.

Grupet e terrenit kanë përfunduar akt-konstatimet, bazuar në informacionet e mbledhura nga kryepleqtë dhe burime të tjera lokale.

Ndihmat e ardhura nga Rezervat e Shtetit u magazinuan dje dhe sot nis shpërndarja për familjet e prekura.

Hidrovori Tushemisht vijon punën normalisht.

OSHEE: situata e furnizimit me energji Qarku Korçë:

-Fideri Komunal 3 – pa energji zona Qenckë (11 abonentë ruralë).

-Fideri 6 N/St Mollas pa energji zona Kurtesh (11 abonentë ruralë).

-Fideri 2 N/St Ersekë pa energji zona Zharkanj (6 abonentë ruralë).

Të gjitha fiderat që furnizojnë objektet e rëndësisë së veçantë janë në punë të plotë.

Hidrovori Pogradec (Fideri 8-18, N/St Pogradec) punon normalisht.

Drejtoria Qendër-Lindje ARRSH:

Qarkullimi në akset:

Në aksin Boboshticë–Dardhë kanë nisur reshjet e borës. Kontraktori është në terren dhe po kryen pastrimin e rrugës dhe kriposjen.

Në akset Korçë–Ersekë, K.6 Zemblak–Goricë, dhe Bilisht–Miras ka reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar. Qarkullimi vijon normalisht. Të gjitha akset po monitorohen në të gjithë gjatësinë e tyre.

Aksi Ersekë–Leskovik–3 Urat reshjet janë me intensitet të ulët dhe qarkullimi është normal.

Aksi Maliq–Lozhan–Kufi Gramsh ka patur reshje gjatë natës. Janë evidentuar rënie gurësh dhe inertesh, dhe aktualisht po punohet për pastrimin e akseve.

Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat problematike.

Ora 09:48
Reshjet e dëborës në Bogë-Theth, trashësia arrin deri në 40 cm (VIDEO)

 

Reshjet e dëborës të cilat kanë vijuar gjatë gjithë natës në disa zona malore të vendit kanë bërë që në aksin Bogë-Theth trashësia e saj të arrijë deri në 40 centimetra.

Grupet e punës ndodhen në zonë për pastrimin e rrugës dhe mos bllokimin e qarkullimit.

Ndërkohë edhe në aksin Hani Hotit - Dogana Vermosh ka pasur reshje debore gjatë natës në lartësi mbi 1000 m. Dy borëpastruese ndodhen në terren, teksa nuk problem me qarkullimin.

Ora 09:19
Moti i keq/ Vihet në punë hidrovori i Tales në Lezhë, pas riparimit të argjinaturës

1763889424_Capture.JPG

Lezha ashtu si pjesa tjetër e vendit vazhdon të jetë nën ndikimin e reshjeve të shiut. Po si paraqitet sot situata në këtë qark?

Bashkia Kurbin
Sot do të vazhdojë puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drojë, kjo në varësi të kohës dhe prurjeve të lumit, si dhe grupet e punës do të vazhdojnë me vlerësimin e dëmeve

Nga OSHEE do të vazhdojë puna për riparimin e linjës së fshati Skuraj.

Bashkia Lezhë

Sot do të vijojë puna për përforcimin dhe ngritjen në lartësi të argjinaturës së dëmtuar me mjetet e DRUK, bashkisë, FA dhe operatorëve privatë.

Dje janë ndarë 100 dëngje bari të siguruara nga bashkia. Do vazhojë puna për vlerësimin e dëmeve, si dhe shpërndarja e ndihmave, të cilat pritet të vijnë nga RMSH, (rreth 300 pako).

Niveli i ujit ka rënë me 10 cm, teksa pasi është mbyllur çarja e argjinaturës, është vënë në punë hidrovori i Tales.

Vijon puna e ekipit të emergjencave për largimin e ujit në bodrume/parkingjet e pallateve në Shëngjin e Lezhë.

Nga OSHEE raportohet se në orët e mëngjesit ka shfaqur defekt fideri 7, që furnizon Hidrovorin Grykë Zezë dhe lagjen Nënë Tereza të qytetit, grupet e punës janë në terren dhe po punojnë për riparimin e tij.

Bashkia Mirditë

Do mbahen në monitorim dy banesat që rrezikohen nga rrëshqitja e tokës ndërsa mjetet bashkiake duke parë reshjet e shiut, do ndërhyjne ku është me emergjente.

Furnizimi me ujë ka vazhduar rregullisht, kurse me energji elektike ka patur ndërprerje të herë pas hereshme por është rikthyer.

Hidrovorët punojnë të gjithë me kapacitet të plotë.

Niveli i lumit Drin ka pësuar rritje por është brenda kuotave jo problematike, po kështu dhe lumit Mat, pavarsisht shkarkimeve nga H/C Shkopet e Qafë Mollë.

Ora 09:06
Moti i keq/ Regjistrohen reshjet e para të dëborës në qarkun e Korçës! Zbardhet Dardha (VIDEO)

 

Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga moti i keq. Kështu në zonën e Dardhës, Vithkuqit dhe Shtyllës janë regjistruar reshjet e para të dëborës mbi 1000 m lartësi.

Sipas informacioneve paraprake nuk paraqiten probleme me qarkullimin, ndërsa grupet e punës ndodhen në terren për mirëmbajtjen e rrugës.

Ora 07:37
Moti i keq/ Përmirësim i situatës në Fier, ulet niveli i Vjosës dhe Semanit, tërhiqen ujërat nga tokat bujqësore

Situata problematike është raportuar dhe qarkun e Fierit, ndërsa sipas përditësimeve të fundit, situata është drejt përmirësimit. Niveli i lumit të Vjosës, Semanit dhe Shkumbinit është në rënie ndërsa ujërat kanë filluar të tërhiqen dhe nga tokat bujqësore.

Informacion mbi situatën në Qarkun Fier, ora 07:00

Gjatë natës e në vazhdim së bashku më strukturat vendore, kemi monitoruar situatën dhe prurjet në lumenjtë Vjosë, Seman dhe Shkumbin, nga ku rezulton:

- Lumi Vjosë ka ulje të nivelit, ka filluar të tërhiqen ujërat edhe nga tokat bujqësore në Kashisht, Kafaraj

- Lumi Shkumbin në kuota normale dhe nuk ka paraqitur probleme

- Lumi Seman, ka filluar të ulet por përsëri është në kuota të larta. Ka dalje nga shtrati por brenda argjinaturës.

Gjatë ditë së djeshme strukturat e Bordit Rajonal të Kullimit dhe Drejtoritë e Ujitjes në bashki kanë kontrolluar dhe monitoruar argjinaturat pranë lumenjve, nga ku rezulton se:

-  Deri në këto momente nuk kemi cenim të infrastrukturës kritike të argjinaturave

- Nuk kemi akse rrugore të bllokuara.

- Nuk kemi fshatra apo lagje të izoluara nga uji

- Nuk ka banesa nën ujë.

- Nga lumi Seman janë prekur disa kasolle (bagëti të larguara) apo depozita bari por brenda argjinaturës.

- Aktualisht, moti është me reshje me intensitet të ulët

- Nevoja për mbështetje deri në këto momente nuk kemi.