Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe ministri i Bujqësisë Andis Salla u mblodhën sot në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civil për të raportuar mbi situatën aktuale në vend për shkak të motit të keq që ka prekur Shqipërinë ditën e sotme.
Në mbledhje prezentë ishin dhe prefektët e qarqeve ndërsa ministrat bënë me dije për gatishmëri të plotë nga ana institucionale duke bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie të zonave me risk. Vengu theksoi se deri më tani situata është nën kontroll.
“Në qarkun e Durrësit, me kërkesë të prefekturave, komanda mbështetëse e forcave të armatosura, shtabi i përgjithshëm kanë siguruar dislokimin e mjeteve, pompa thithëse dhe mjete zjarrfikëse të kalueshmërisë së lartë. Nëse do të kërkohet do të bëhet dhe në Lezhë. Reshjet intensive do të vijojnë. Kërkohet gatishmëri maksimale nga të gjitha bashkisë dhe qarqet e vendit. Është kërkuar koordinim dhe nga institucionet shtetërore të energjisë, për sigurimin e energjisë elektrike. Të gjitha hidrovoret janë në funksion të plotë. Kemi evakuimin e 10 familjeve në Durrës dhe Shijak për shkak të rrethimit të banesave nga uji”, tha ministri Vengu.
Gjithashtu Salla tha se ai dhe Vengu do të jenë në terren për të qenë koherent me situatën, si dhe u bënë thirrje institucioneve përkatëse, nga ekipet e emergjencave e deri tek garantimi i energjisë elektrike për zonat e prekura. Deri më tani problematikat më të mëdha janë shfaqur në qarkun e Durrësit dhe të Lezhës ku raportohet për banesa dhe toka bujqësore të përmbytura.
Lajmi kryesor:
Shiu ‘paralizon’ vendin/ Evakuohen 180 banorë në Durrës, 800 shtëpi të përmbytura! 15 banesa nën ujë në Shkodër! Kritike situata në Gjirokastër (VIDEO)









