Përveçse Vlorës edhe Fierit ku janë edhe problemet më të mëdha të shkaktuara nga përmbytjet, një situatë e rënduar ekziston edhe në qytetet të tjera.

Berat
Në Berat, niveli i lumit të Osumit është rritur ndjeshem gjatë 48 orëve të fundit. Shumë banesa dhe disa hektarë tokë janë vënë nën pushtetin e ujit në lagjen “18 tetori”.
Rreth 30 familje nga kjo lagje si dhe 35 të tjera nga Ura Vajgurore janë evakuar nga grupet e shpëtimit gjatë orëve të fundit. Forcat e ushtrisë ndodhen në terren në ndihmë të banorëve për cdo të papritur, duke patur parasysh që reshjet e shiut do të vazhdojnë.

Lushnjë
Situata po monitorohet edhe përgjatë lumit të Semanit në fshatin Imshtë të Lushnjës. Niveli i ujit në këtë zonë është rriur me 30 cm dhe pas prurjeve nga lumi Osum, pritet që niveli të rritet më tej. Prurje të tilla sipas banorëve të zonës nuk janë parë që prej vitit 1972, duke rrezikuar seriozisht jetët e mijëra familjeve si dhe ekonomitë e tyre, në fshatrat, Imshtë, Eskaj, Bubullimë, Halilaj, Gjonas dhe Kamçishtë.
 
Tepelenë, dëmtohet rruga izolohen mbi 1000 banorë
Më shumë se 1300 banorë të tre fshatrave të Komunës Krahës në rrethin e Tepelenës, janë bllokuar nga kontakti rrugor, me pjesën tjetër të komunës për shkak të dëmtimit të rrugës që lidh qendrën e komunës me tre fshatrat Kalivac, Lenjës dhe Përparimi. Rruga është dëmtuar në një gjatësi gati 15 metra dhe gjerësi 3 metra çka e bën të pamundur kalimin në të.

Krujë, reshjet e dëborës bllokojnë fshatrat 
Reshje të dendura të dëborës në zonat malore të Krujës kanë rënduar situatën në 6 fshatra si në fshatrat Cudhizall, Cudhikamp, Bruzmal, Kroi i madh dhe Rrazë. Këta fshatra janë bllokuar tërësisht jo vetëm nga dëbora e rënë, por është ndërprerë qarkullimi si pasojë e shembjes së një masivi gjigant i cili ka rënë në rrugën Krujë-Qafështamë dhe ka ndërprerë komunikimin me qendrën e Krujës. Drejtuesit e komunës së Cudhinit kanë lajmëruar instancat përkatëse për ndihmë.
 
Korçë
Reshjet e shumta të shiut dhe borës përgjatë ditëve të fundit kanë mbuluar sipërfaqe të mëdha në komunat juglindore të vendit. Qindra hektarë toke bujqësore të kultivuara nga fermerët që ekonominë bazë e kanë mbështetur tek prodhimet që vjelin nga toka, gjenden nën ujë. Më problematike gjendja ka qenë me komunat Libonik, Vreshtas e Pojan ku fermerët hedhin akuza se situata vjen si pasoje bllokimit të kanaleve kulluese.

Përveç sipërfaqeve bujqësore përmbytje ka patur edhe në disa banesa në fshatin Pendavinj për shkak të kanaleve të bllokuara.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)