DURRES - Reshjet e shiut kanë sjellë probleme në disa prej akseve kryesore dhe qytete të vendit. Kështu moti i keq ka sjellë ndërprerjen e lundimit të anijeve në portin e Vlorës.

E njëjta situatë paraqitet edhe në portin e Durrësit, ku është pezulluar lundrimi i anijeve të peshkimit. Nga ana tjetër, është i lejueshëm lundrimi i anijeve të tonazhit të rëndë.
 
Durrës, pezullohet lundrimi i anijeve të peshkimit
Reshjet e dendura të shiut dhe era e forte ka sjellë probleme në portet e vendit. Në portin e Durrësit është pezulluar lundrimi i anijeve të peshkimit. Forca e detit aktualishtë mbërrin në 5.5 ballë dhe shpejtësia e erës shkon në 24 metra në sekondë.

Ndërkohë burime pranë kapitenerisë së portit të Durrësit bëjnë me dije se nuk ka probleme sa i përket lundrimit te anijeve të tonazhit të rëndë.

Reshjet e shiut që vijojnë të jenë intensive kanë shkaktuar edhe mjaft probleme sa i përket përmbytjeve në zonat periferike te qytetit bregdetar kryesisht në Spitallë dhe zonën e ish-Kënetës.

Vlorë, ndërpritet lundrimi i anijeve
Sakaq problematike sa i përket motit të keq situata është edhe në portin e Vlorës ku për shkak të erërave të forta është ndërprerë edhe lundrimi i anijeve. Reshjet kanë qenë intesnive gjatë gjithë ditës sotme, teksa forca e detit aktualisht mbërrin ne 6.5 ballë dhe shpejtësia e erës shkon në 26 metra në sekondë.

Ndërkohë në disa nga lagjet e qytetit bregdetar mungon energjia elektrike për shkak të problemeve në rrjetin e shpërndarjes.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)