Sipas policisë, të arratisurit s’kanë mundur të hyjnë në thellësi nga moti i keq. Po sipas policisë “tre të arratisurit nuk e kanë kaluar kufirin, pasi gjenden gjurmë të tyre në fshatin qytezë. Operacioni vijon në Miras dhe në Vidohovë”.
Në kërkim janë shpallur Gëzim Toma, Eduard Lulo, Reiz Haxhiraj, ndërsa mësohet se po kontrollohet kufiri nga policia shqiptare dhe ajo greke.
11:16 TRE TË ARRATISURIT MUND TË KENË KALUAR KUFIRIN, GREKËT: S'KA SHANS
Gëzim Toma, Eduard Lulo dhe Reiz Haxhiraj, tre të dënuarit të cilët u arratisën nga burgu i Drenovës mbrëmjen e 23 nëntorit dyshohet se kanë kaluar në tokën greke.
Policia e Korçës dhe forcat speciale rinisën mëngjesin e sotëm kërkimet për tre të arratisurit në zonën e Dardhës në Korçë dhe në rrethin e Devollit, pasi dyshohej se të arratisurit kishin vjedhur 3 mushka në fshatin Arrëz, komuna Dardhë me të cilën mendohej se mund të kenë kaluar kufirin për në shtetin grek. Kërkimet u zhvilluan edhe në rrethin e Devollit pranë zonës kufitare me Greqinë, ku policia ka gjetur gjurmë që më pas janë zhdukur.
Rreth orës 11:00 Korrespondentja jonë nga Korça Lediona Xheladinaj thotë se policia ka dyshime se tre të arratisurit mund të kenë kaluar në tokën greke.
Të arratisurit dyshohet se kanë kaluar kufirin nga fshati Dardhë.
Policia shqiptare mbështet këtë tezë në gjetjen e 3 mushkave të cilat ishin vjedhur në fshatin Arrëz, në tokën greke. Nga ana e saj Policia greke ka njoftuar palën shqiptare për gjetjen e 3 mushkave në tokën e tyre, por ka shtuar se është e pamundur që të arratisurit të kenë kaluar kufirin, pasi ka numër të madh forcash policie në gadishmëri.
Burime nga policia shqiptare bën të ditur se ekziston dhe mundësia që këto 3 mushka të mos jenë përdorur nga të arratisurit dhe këta të fundit të mos kenë kaluar kufirin, prandaj kërkimet vazhdojnë ndonëse janë të vështira për shkak të kushteve të vështira atmosferike, mjegullë dhe borë.
(Në foto: Pamje satelitore, fshati Arrzë dhe kufiri i Shqipërisë me Greqinë, ku mendohet se mund të kenë kaluar të arratisurit)
GJENDJEN GJURME NE DARDHE, AKSION EDHE NE TIRANE
Aksioni për kërkimin e 3 të arratisurve nga burgu i Drenovës nisi mëngjesin e djeshëm, për të vijuar përgjatë gjithë natës, deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Fillimisht, u vlerësua një informacion, sipas të cilit Eduard Lulo, mund të ishte në Tiranë, pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”. Pas kërkimeve, ky lajm rezultoi i rremë. Përgjatë gjithë ditës së djeshme, Policia e Shtetit ka qenë në ndarë në 2 pjesë për të bërë të mundur lokalizimin e tre të të arratisurve të tjerë.
Shpërblimi prej 5 mijë eurosh, që është vënë në dispozicionin e qytetarëve për të dhënë informacion në lidhje me vendndodhjen e personave të arratisur ka rezultuar i suksesshëm në rastin e tre të arratisurve shkodranë të cilët u arrestuan një natë pas arratisjes. Ndërsa kërkimet për të arratisurin e tretë Gëzim Tomo, janë përqendruar në zonën e Prrenjasit. Sipas policisë dyshohej se Tomo ndodhej ende në këtë zonë, por edhe ky informacion po verifikohet, pasi gjatë ditës së djeshme nuk pati asnjë sinjal.
GJURMET NE DARDHE
Rreth orës 20:10, të ditës së djeshme Policia e Korçës ka gjetur në fshatin Dardhë disa gjurmë zjarri të saposhuar. Për policinë, ato ishin gjurmët e tre të arratisurve nga burgu i Drenovës. Burime nga policia bëjnë të ditur se efektivë të policisë dhe forcat RENEA kontrolluan zonën dhe banesat në fshatin Dardhë. Eksperët kanë kryer verifikime që i kanë çuar në rezultatin se zjarri në një tunel ka të bëjë me tre të arratisurit. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë nisur kontrollin në terren por moti i keq dhe nisja e dëborës ka bërë që diku afër orës 20.00 të mbrëmjes së djeshme të tërhiqen. Zyrtarisht bëhet me dije se edhe Haxhiraj, Toma dhe Lula shpejt do të arrestohen.
KERKIMET NE MAL
Policia vijoi edhe dje pa ndërprerje kërkimet për të arratisurit Eduard Lulo, Reiz Haxhiraj dhe Gëzim Tomo. Kërkimet ishin të përqëndruara në zonën përreth malit të Gramozit dhe në kufirin me Greqinë. Sipas policisë dyshohet se këta dy të arratisur fshihen në pyjet e malit Gramoz. Ndërkohë, nga policia kufitare kërkimet po zhvillohen me kamera termike.
APELI NGA FQINJET
“Ai duhet të dorëzohet dhe të vuajë dënimin pasi e meriton”. Këto janë fjalët që “A1 Report” dhe “Shqiptarja.com” kanë mësuar kur shkuan në banesën ku jetonte Eduart Lulo, njëri prej të arratisurve nga burgu i Drenovës në Korçë, 2 netë më parë. Familja e tij është zhvendosur që prej arrestimit dhe dënimin e Eduart Lulos, i akuzuar për vjedhje me pasojë vdekjen. Ndërkohë banorët e fshatit ku ka jetuar Lulo shprehen se, familja e Lulos njihej si e rregullt në këtë zonë, ndërsa shprehen kundër arratisjes së tij nga burgu i sigurisë së lartë.
ARRATISJET ME TE BUJSHME
Në listën e gjatë të arratisjeve nga burgu apo ngjarjeve të tilla të mbetura në tentativë përmendet ajo e Dritan Dajtit. Ikja e tij nga Gjykata e Tiranës, në 17 nëntor 2003, do të mbahet mend gjatë, duke mbajtur një pistoletë që i’a kishin futur në ambientet e brendshme të kësaj gjykate. Më tej, në vitin 2005, Gazmend Brraka ose i njohur si Gaxhai, hapi një tunel nëntokësor, 20 metra, në burgun 302, në Tiranë, që mbaronte në një dyqan lulesh. Plani u zbulua. Arratisjet e tjera janë shënuar në 20 shtator 2009, kur 4 të burgosur, 3 prej të cilëve të dënuar me burgim të përjetshëm, mes tyre dhe Marashi, kanë tentuar të arratisen nga qelitë e burgut të sigurisë së lartë në qytetin e Fushë Krujës.
Arratisje pati edhe nga burgu i Burrelit, ku protagonist isht edhe Admir Tafili. Ky i fundit, u arratis më pas, gjatë lejës speciale për të takuar nënën në vitin 2010, kur “la me gisht në gojë” policët që e prisnin jashtë. Ndërkaq, si shqiptarë që kanë organizuar arratisje spektakolare përmendet Alket Rizai me 2 arratisje, ku njëra ishte me helikopter e një tentativë, para pak javësh. Ilir Paja është një shqiptar që “çmendi” italianët me arratisjet e tij të panumërta nga burgjet e këtij shteti.
Redaksia Online
(ac/shqiptarja.com)