Duke iu përgjigjur interesit të mediave, “TIA” bën me dije se gjatë ditës së sotme vonesat e fluturimeve kanë qenë sporadike dhe kanë pasur të bëjnë me fluturimet drejt Stambollit dhe Romës.
“Është e qartë se kushtet e këqija të motit kanë ndikuar në operacionet e TIA-s, me disa fluturime të anuluara dhe dy prej tyre të devijuara. Megjithatë, së bashku me shoqëritë ajrore dhe strukturat e Aviacionit Civil është arritur që fluturimet të kthehen në normalitet me sukses”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Dy avionët e kompanive “Pegasus” dhe “Blue Panorama”, të cilët mbrëmjen e djeshme u detyruan të devijonin për në Bari për shkak të reshjeve, u ulën në kryeqytetin shqiptar në orët 02:50 dhe 09:35 të së premtes.
Ndërkohë, pasagjerëve që zbresin në aeroport TIA u ka sugjeruar që të ndjekin njoftimet e institucioneve zyrtare, ndërsa u ka këshilluar të bëjnë kujdes në zgjedhjen e rrugëve ku do të kalojnë.
G.F. / Shqiptarja.com












