Zhbllokohet pas 5 orësh rruga e Arbrit, nis lëvizja e mjeteve në Qafë-Murrizë! Policia: Përdorni zinxhirë e goma dimri! Në Shkodër është 1120 hektarë tokë e përmbytur

Kushtet e paqëndrueshme atmosferike kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit. Në rrugën e Arbrit pati për disa orë probleme me qarkullimin, për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe lëvizjes së makinave pa zinxhirë.

Pas ndërhyrjes me tre borëpastruese dhe kriposje të rrugës, rreth 200 automjete që kishin mbetur në Qafë-Murrizë nisën qarkullimin. Mes tyre ishin furgonë pasagjerësh, autovetura dhe kamionë ushtrie. Qarkullimi i mjeteve ka vijuar normalisht dhe nuk ka mjete të bllokuara. Nga ana tjetër policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të vendosin gomat e dimrit dhe të përdorin zinxhirët.

Situata në Lezhë dhe Kurbin vijon të mbetet problematike pas reshjeve të dendura të shiut, ku është përmbytur një sipërfaqe prej 770 hektarë tokë bujqësore. Probleme ka pasur edhe në qarkun e Shkodrës, në të cilin akset Shkodër-Theth, Shkodër-Vermosh dhe Bogë-Theth janë të pakalueshëm. Në Shkodër është 1120 hektarë tokë e përmbytur. Sa i përket furnizimit me energji, ka problematika vetëm në disa zona rurale te qarqeve Tirane, Elbasan, Kukës dhe Shkodër. 

Në Gjirokastër në Bashkinë Këlcyrë ka pasur rrëshqitje dhe fundosje të tokës nga baza rreth 1 m, në një sipërfaqe rreth 2 ha në lagjen Kalemaj.

Në Korçë rrugët janë të kalueshme, por ka probleme me furnizimin me energji elektrike. Njësia Administrative Lekas, Çerrave, bashkia Pogradec si dhe në bashkinë Pustec, Njësia Administrative Lekas, 2 fshatra në Moglicë, Kodras, Gjinikas dhe Osojë janë zona pa energji elektrike.

Në Berat 130 ha janë nën ujë dhe mbi 50 ha tokë janë rrëmbyer nga lumi Osum.  Ndërkohë në Skrapar aksi rrugor Plirzë-Mali i Tomorit është bllokuar nga bora dhe është bërë i pakalueshëm për mjetet. Ndërkohë disa automjeteve janë bllokuar në Malin e Tomorrit dhe po ndihmohen nga efektivët e zjarrfikësja.

Pa probleme të theksuara paraqitet situata në qarkun e Kukësit, ku gjatë ditës së djeshme kemi pasur reshje bore me trashësi 10-15 cm, rrugët nacionale janë të hapura dhe qarkullohet normalisht. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:11
Zbllokohet pas 5 orësh qarkullimi në rrugën e Arbrit

1674325133_finalprojekt.00373524.Still008.jpg

Zhbllokohet pas rreth 5 orësh situata në Qafën e Murrizit. Pas ndërhyrjes me tre borëpastruese dhe kriposjes së rrugës, autokolona u zhbllokua. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të vendosin gomat e dimrit dhe të përdorin zinxhirët.

'Rihapet për qarkullimin e automjeteve aksi rrugor bypass-Qafë Murrizë-Klos,  e cila u bllokua për shkak të reshjeve të dëborës. Qarkullimi i mjeteve ka vijuar normalisht dhe nuk ka mjete të bllokuara. Shërbimet e Policisë Rrugore janë në gadishmëri të plotë për menaxhimin e trafikut dhe apelojnë për drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit dhe mos të kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë.'- njofton policia.

Ora 19:19
Lëvizin pa zinxhirë, bllokohen për disa orë disa makina në rrugën e Arbrit për shkak të borës

Disa makina janë bllokuar në Klos-Qafë-Murrizë në Rrugën e Arbrit, për shkak të reshjeve të dendura të borës. Makinat po lëvizin pa zinxhirë dhe po bllokojnë njëra-tjetrën. Automjetet janë bllokuara në aksin Klos-Qafë Murrizë prej rreth 2 orësh dhe afërsisht radha është 2 km.

Ora 18:22
Korçë/ Të gjitha akset rrugore pa probleme! Disa fshatra ende pa energji elektrike

1674201467_Screenshot6.jpg

Rreshjet e dëborës aktualisht janë ndërprerë në pjesën më të madhe të zonave që u përfshinë nga reshjet prej gati dy ditësh ndërsa janë prezente në zona të thella malore në formën e llohës.

Sipas parashikimeve pritet në vijim rrëshaje të dobëta dëbore ndërsa kontraktorët ndodhen në terren për çdo situatë të krijuar nga moti.

Akset janë të qarkullueshme pa probleme por rekomandohen gomat dimërore.

Në bashkinë Maliq vijojnë të kenë probleme me energjinë elektrike fshatrat në Njësinë Administative Lekas, 2 fshatra në Moglicë, Kodras, Gjinikas dhe Osojë.

Ora 18:08
Mjegulla ‘pushton’ Qafë Thanën! Vështirësohet qarkullimi i automjeteve (VIDEO)

 

Mjegulla e dendur në Korçë fillon që pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës deri në fshatin turistik të Linit. Mjegulla ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve për shkak se një pjësë e këtij segmenti rrugor nuk ka ndriçim.

Ora 17:29
VIDEO-LAJM/ Elektriçisti sfidon kushtet ekstreme të motit për t’i ‘çuar’ dritë fshatit turistik të Thethit

 

Aleks (Leonardo) Nika, djali i një ish polici, është elektricist në Njësinë Administrative Shalë.

Gjatë punës së tij i riu sfidon kushtet ekstreme të motit duke u përpjekur që të lidhë energjinë elektrike për të çuar dritë në fshatin turistik të Thethit.

Report Tv ka siguruar disa video gjatë punës së të riut i cili shihet teksa has vështirësi në terren për të kryer punën e tij.

Ora 17:08
Skrapar, bllokohet nga bora aksi rrugor Plirzë-Mali i Tomorrit! Disa makina mbesin të bllokuara

 

Aksi rrugor Plirzë-Mali i Tomorit në Skrapar është bllokuar nga bora dhe është bërë i pakalueshëm për mjetet. Ndërkohë disa automjeteve janë bllokuar në Malin e Tomorrit dhe po ndihmohen nga efektivët e zjarrfikësja.

‘Skrapar/Shërbimet e Policisë, në gatishmëri për t'iu ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve, në rast nevoje, si pasojë e motit të keq. Shërbimet e Komisariatit Skrapar dhe shërbimet zjarrfikëses u vijnë në ndihmë disa automjeteve të cilat si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës kanë ngelur në Malin e Tomorrit.

Pas njoftimit se disa automjete si pasojë e reshjeve të dëborës kanë ngelur në Malin e Tomorrit, Policia dhe shërbimet zjarrfikëses janë nisur drejt zonës malore për t'iu ardhur në ndihmë. Gjithashtu iu bëjmë me dije se aksi rrugor Plirzë-Mali i Tomorrit është bërë i pakalueshëm për mjetet dhe subjekti kontraktor po punon për pastrimin dhe hapjen e rrugës për qarkullimin e automjeteve. Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112 ose dërgoni njoftim në Komisariatin Dixhital.’- u shpreh policia.

Ora 16:29
Moti i keq, bllokohet nga dëbora rruga e Arbrit! Policia: Mjetet të ndjekin aksin e vjetër Klos-Burrel-Ulëz (VIDEO)

 

Si pasojë e reshjeve të dëborës, është bllokuar rruga e Arbrit, më konkretisht aksi rrugor Klos-Qafë Murrizë që është bërë i pa kalueshëm për mjetet. Teksa subjekti kontraktor  po punon për pastrimin dhe hapjen e rrugës për qarkullimin e automjeteve, policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas të të ndjekin aksin e vjetër Klos-Burrel-Ulëz e anasjelltas dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Në të dyja anët e bypass-it në Qafë Murrizë, ka patrullime të cilat kanë marrë masat për të mos lejuar lëvizjen e automjeteve deri në pastrimin e rrugës. Në këtë aks janë të pranishme borë-pastrueset, të cilat po punojnë gjatë gjithë ditës në largimin e dëborës.

Në zonat malore në Dibër pothuajse gjatë gjithë ditës ka pasur reshje dëbore të cilat ende vijojnë, ndërsa në zonat e ulëta janë të pranishme reshjet e shiut.

Ora 16:20
Erërat e forta në Korçë, dëmtohen pemët dekorative përgjatë aksit rrugor Lin-Pogradec

Erërat e forta kanë qenë prezentë në qarkun e Korçës në javën e fundit. Si pasojë e tyre rrjeti i energjisë elektrike është dëmtuar në disa zona. Nga ana tjetër rreth 40% e pemëve dekorative përgjatë aksit rrugor Lin-Pogradec ose janë thyer ose janë shkulur nga vendi. Kjo situatë është evidentuar pas stuhisë së javës së fundit e cila ka prekur kryesisht të gjithë territorin e juglindjes.

Ora 16:06
Moti i keq në vend, Policia Rrugore: Drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes me shpejtësinë

Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës pothuajse në pjesën më të madhe të vendit kanë krijuar jo pak probleme në disa akse rrugore, kryesisht në Shkodër, Lezhë, Kukës e Gjirokastër ku janë regjistruar dhe rrëshqitje dherash. Policia rrugore i bënë apel drejtuesve të mjeteve që të tregohen të kujdesshëm lidhur me shpejtësinë, njëkohësisht dhe respektimin e rregullave të qarkullimit  rrugor.

Policia Rrugore njofton se shërbimet e Policisë Rrugore në të gjitha rrugët e vendit, për të menaxhuar trafikun dhe për të orientuar drejtuesit e mjeteve, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore.  

Në gatishmëri janë edhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, patrullat e përgjithshme dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ora 13:39
Përmbytjet/ Përkeqësohet situata në Barbullojë të Lezhës, banorët: Kemi tre ditë të izoluar nga uji! Ndreu: Jemi në gatishmëri

 

Nga Elvis Hila

Situata e krijuar nga përmbytjet është përkeqësuar në fshatin Barbullojë të Lezhës. Niveli i ujit është rritur me rreth 15 cm. Shumë familje janë të izoluara për shkak të prezencës së ujit rreth banesave, ndërsa dhe rrugët janë të pakalueshme nga automjetet e vogla.

Banoret thonë se kjo situatë vijon prej 3 ditësh dhe niveli i ujit ka arritur deri në 50 cm, duke ju vështirësuar jetesën dhe sjellë dëme të shumta në bujqësi dhe blegtori.

“Kemi tre ditë. Ka fryrje të ujit, Ka pasur një ngarkesë të ujit shumë. Vështirë. Vijmë me karrocë për të marrë furnizime. Asnjë makinë nuk kalon sot. Është shumë thellë. Mund të jetë 60 cm ujë. Ka bërë dëme? Plot, ca është mbjellur. Ka nja 15 vjet që jetoj këtu nuk kam parë asnjëherë kaq shi. Janë pastruar kanalet, ne i hedhim mbeturinat”, thotë një banor.

Emergjencat Civile të Bashkisë Lezhë janë vendosur në zonë, për tu ardhur në ndihmë banoreve që do kenë nevojë banoreve të rrethuar nga uji, ndërsa situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

“Ka një ngritje rreth 13 cm më shumë, prurjet nga sipër. Pavarësisht  se territori ynë nuk ka qenë në fluksin e madh të reshjeve, por ka një situatë të agravuar. Po inspektojmë çdo familje, kushdo që do ketë nevojë për evakuim, ushqime, ne do jemi në gatishmëri. Këtë kemi në dorë të bëjmë. Ka një pretendim për mospunim hidrovori, në komunikimin që kemi pas ne na thuhet se është në punë, por do shkojmë ta inspektojmë vetë”, tha krebashkiaku Pjerin Ndreu.

Hidrovori i Tales që bën evadimin e ujërave në zonën e Barbullojës po punon me kapacitet të plotë, por niveli i prurjeve ka qenë mjaft i lartë thotë Drejtori i Kullimit për Veriun Fran Mataj.

“Hidrovori i Tales punon në një sipërfaqe prej 850 ha, pra sipërfaqja është shumë e madhe dhe sasia e reshjeve që ka rënë ka qenë shumë e madhe. Ka sipërfaqe nën ujë në Barbullojë, por duke parë edhe furnitorin e hidrovorit, nivelet e ujit janë shumë të larta. Hidrovori ka tre ditë që punon me kapacitet të plotë, ka 9 pompa dhe të gjitha janë në punë dhe kapaciteti i hidrovorit është 25-30 metër kub/sekondë por duke qenë se sasia e ujit është shumë e madhe sigurisht që do kohën e vet”, shprehet Mataj.

Prej tre ditësh në Barbullojë ndodhen nën pushtetin e ujit dhjetëra hektarë tokë bujqësore dhe kjo përmbytje ka ardhur si pasojë e prurjeve të shumta të përrenjve malor.

Ora 12:49
Moti i keq, Ministria e Mbrojtjes: Në Këlcyrë ka rrëshqitje të tokës, 4 banesa të prekura! Evakuohen banorët

1674289871_Screenshot3.jpg

Rrëshqitje dherash në Lezhë

I gjithë territori i vendit është i përfshirë nga reshjet e shiut. Problematika më të theksuara paraqiten në qarqet e Shkodrës, Kukësit dhe Gjirokastrës. Në komunikatën më të fundit nga Ministria e Mbrojtjes njoftohet se në Këlcyrë ka rrëshqitje të tokës në një sipërfaqe rreth 2 hektarë. Nga rrëshqitja janë prekur 4 banesa dhe 4 stalla bagëtish, ndërkohë që janë evakuuar banorët. Ka ende disa zona pa energji elektrike në Elbasan, Kukës dhe Shkodër.

Njoftimi i plotë nga Ministria e Mbrojtjes:

I gjithë territori i vendit vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu si dhe reshje bore në relievet malore mbi 600 metër, por nga të gjitha raportime në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile nuk paraqiten problematika të theksuara.

Priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen edhe me shtrëngata në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër.

Niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.

Hidrovoret janë gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje.

Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme janë 12 mm, Prurjet janë 1400 m3/s.

Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës Koman-Vau i Dejës janë 15 mm, prurjet janë në Koman 650 m3/s dhe Vau i Dejës 200 m3/s.

Në kaskadën e Drinit vijojnë shkarkimet me 300 m3/s. Ditën e sotme si pasojë e uljes së sasisë se reshjeve në qarkun Lezhë, kemi shkarkime në Digën Ura e Fanit, me 80 m3/s.

Për sa i përket furnizimit me energji, ka problematika vetëm në disa zona rurale te qarqeve Tirane, Elbasan, Kukës dhe Shkodër. Nga forcat e OSHEE vijon puna pa ndërprerje për të rikthyer normalitetin. Në qarkun e Shkodrës nuk ka zgjerim të hartës së sipërfaqes së raportuar të përmbytur një ditë më parë. Kalohet me mjete të larta vetëm rruga e Obotit, ku ka prani uji.

Më qarkun e Lezhës total ka rreth 770 ha tokë bujqësore të përmbytur, në ish kënetën e Toroviocës, njësia administrative Balldren, në ish kënetën Spiten –Tresh Bashkia Lezhe, në njësinë administrative Zejmen, në ish-kënetën Gjonëm, Bashkia Kurbin.

Në Malësinë e Madhe po punohet për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth, të bllokuar për shkak të rënies së orteqeve në vendin e quajtur “Tynelet Panoramike”.

Në të gjitha akse rrugore që kanë problematika në rrëshqitjen e dherave rënien e gurëve apo dëmtimet e trupit të rrugës , nga forcat e ARRSH dhe të bashkive po punojnë për pastrimin dhe riparimin e tyre.

Pa probleme të theksuara paraqitet situata në qarkun e Kukësit, ku gjatë ditës së djeshme kemi pasur reshje bore me trashësi 10-15 cm, rrugët nacionale janë të hapura dhe qarkullohet normalisht. Punonjësit e emergjencave dhe firmat kontraktore janë ne terren dhe në gatishmëri.

Në qarkun e Gjirokastrës, në Bashkinë Këlcyrë, në lagjen Kalemaj, fshati Katundishtë, njësia administrative Deshnicë, ka rrëshqitje dhe fundosje të tokës nga baza rreth 1 m, në një sipërfaqe rreth 2 ha. Brenda kësaj sipërfaqe përfshihen 4 banesa dhe 4 stalla bagëtish. Në vendngjarje ka shkuar një grup pune për konstatimin e dëmeve. Banorët janë evakuuar nga banesat dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Në qarkun Korçës ka pasur reshje bore trashësia e së cilës është 10-25 cm. Të gjitha akset rrugore janë të hapura.

Në bashkinë Shkodër në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit operuan 4 trupa me 1 mjet të kalueshmërisë së lartë.

Situata e emergjencës në të gjithë territorin e RSH është nën kontroll, bashkëpunimi dhe angazhimi I të gjithë institucioneve dhe strukturave te sistemit të mbrojtjes civile është i lartë.

Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit do të vijojë të jetë në gatishmëri për çdo kërkesë nga pushteti vendor.

Gjithashtu përsërisim thirrjen që qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore në çdo rast nevoje. 

Ora 11:38
VIDEO/ 130 hektarë tokë nën ujë në Berat, 50 ha gërryen nga Osumi! Banorët: Ky problem prej 20 vitesh, s'na japin zgjidhje

 

130 ha nën ujë dhe mbi 50 ha të rrëmbyera nga lumi Osum një nga problemet e mbartura nga banorët e fshatit Veterik pjesë qarkut Berat. Fshtiati Veterik ndodhet midis Bashkisë Dimal dhe Bashkisë Berat ndërsa banorët nuk kanë një zgjidhje për këtë problem prej 20 vitesh. Banorët shprehen se përmbytja u ka prishur të mbjellat.

“Ne jemi banorë të fshatit Veterik kemi ngritur zërin në institucionet përkatëse iu drejtuam edhe institucionit Prefektit. Këta të fundit erdhën verifikuan por edhe sot ne kemi të njëjtin problem. Sa herë ka reshje lumi Osum përmbyt tokat tona. Mungesa enjë argjinature na ka sjell këto probleme. E kemi ngritur çdo vit këtë problem por ende s’kemi gjetur zgjidhje. Edhe këto ditë që ka patur reshje si dhe sot lumi ka përmbytur tokat që ne kemi mbjell me foragjer grurë apo pemë frutore. Kërkojmë të zgjidhet ky problem”, sjprehen banorët.

 

Ora 10:04
Dibër/ Rrezik nga rrëshqitja e gurëve në rrugën nacionale Bulqizë-Klos

Për shkak të reshjeve të shiut ka pasur rrëshqitje gurësh në rrugën nacionale Bulqizë-Klos. Këto janë fotot që kanë mbërritur në redaksi mëngjesin e kësaj të shtunë.

Rreth orës 09:00 rruga është pastruar dhe është e kalueshme në dy senset, por rreziku mbetet i vazhdueshëm në këtë segment. Vendi i rrezikshëm ku drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes është pranë fshatit Plan i Bardhë, në Klos.

Ora 09:57
Situata nga moti i keq, aksi Shkodër-Theth, Shkodër-Vermosh dhe Bogë-Theth të pakalueshëm! 200 familje pa energji elektrike

Aksi Bogë-Theth dhe Shkodër-Theth janë të pakalueshëm. Për shkak të reshjeve të dëborës që kanë rënë në qarkun e Shkodrës, këto dy akse janë të bllokuara. I pakalueshëm është edhe aksi Shkodër-Vermosh në Qaf te Bërdalecit, ku ka me shume se 50 cm borë. Borëpastrueset po punojnë per hapjen e rrugës. Ndërkohë, rreth 200 familje kanë mbetur pa energji elektrike.

Njoftimi i plotë

Autoriteti Verior Rrugor:

Pjesa e Qafë Thores tek tunelet panoramike vazhdon të jetë e bllokuar nga orteqet. Aksi Bogë-Theth vazhdon të jetë i bllokuar segmenti prej rreth 600 m në zonën e tuneleve. Aksi Tamarë-Vermosh, reshjet e dëborës kane vazhduar gjatë gjithë natës me intensitet të lartë dhe vazhdojnë edhe tani.

Është punuar pa pushim me  dy borëpastruese dhe me mjete të tjera duke mbajtur të hapur aksin rrugor. Akset e tjerë kane rënie inertesh te cilët pastrohen nga kontraktori. Aksi Q. Mali- Fierze ka reshje bore deri ne 25 cm. Kontraktori vazhdon pastrimin e saj.

DVP Shkoder:

-Aksi rrugor Shkodër-Theth në Qaf Thore ka 1m bore, nga Boga e pakalueshme per momentin.
-Aksi rrugor Shkoder-Vermosh ne Qaf te Berdalecit ka me shume se 50cm bore per momentin e pakalueshme,po punojne borpastrueset per hapjen e rruges.
-Aksi rrugor Shkoder-Puke-Fush Arres ka prezence bore, janë te kalueshme, borëpastrueset punojne ne pastrimin e bores.
-Tek Harku i Berdices nuk ka prezence uji.
Gjate nates nuk jane rregjistruar telefonata per ndihme ne Sallen Operative te DVP Shkoder.

OSHEE:

Situata eshte e njejte, rreth 200 abonenta pa energji.
Nuk ka fidera te stakuar, pa energji nje segment Qafe Bordolec - Vermosh, dhe  nje segment ne Hajmel.
Jane pa energji edhe Gjegjani dhe dy Fidera te N/St Vrake.

Bashkia Shkoder:

Niveli i lumit Drin (hidrometri ura e Bahçallekut) shenon kuoten 6.10 me nje renje prej 5 cm me oren 18.00 te dates 20.01.2023 ( kuota max 7.50 m )
Niveli i Liqenit ( hidrometri ura e Bunes) shenon 8.20 m me nje rritje prej 5 cm me oren 18.00 te dates 20.01.2023 ( kuota max 8.70 m ).
Siperfaqja totale e permbytur ne Bashkine Shkoder eshte 1120 Ha, e pandryshuar me oren 18.00 te dates 20.01.2023
Njesia Administrative Ana e Malit 1100 Ha e pembytur.
Rruga e obotit ka presence uji 55 cm, e pandryshuar me oren 18.00 e dates 20.01.2023.
Ujesjellesi Oblika 1 eshte jashte funksionit.
Ne rrugen e Obotit po operon nje mjet i kalueshmerise se larte se bashku me 4 forca te ushtrise.
Njesia Administrative Dajç 20 Ha toke bujqesore ( siperfaqe toke mbas argjinatures).

Bashkia Puke:

Ne bashkine Puke gjate nates ka pasur reshje debore rreth 10 cm, vijon pastrimi i rrugeve nga Drejtoria e Sherbimeve, nuk kemi rruge te bllokuara,  energjia elektrike mungon ne njesite Administrative Gjegjan.

Bashkia Fushe Arrez:

Ne bashkine Fushe-Arrez ka pasur reshje debore rreth 15 cm. Rruget jane te hapura dhe qarkullime ne disa akse behet me zinxhir, vazhdon te kemi probleme me furnizimin me energji elektrike ne disa fshatra.

Ora 09:31
Moti i keq, disa zona në Korçë pa energji elektrike

 

Gjatë natës në qarkun e Korçës ka patur reshje shiu me intensitet të ulet dhe në lartësi mbi 800 m reshje dëbore. Trashësi e se cilës varion nga 10-25 cm, në Dardhe dhe Qafa e Qarrit. Nga subjektet kontraktore ka vazhduar puna gjatë gjithë natës për mirëmbajtjen e segmenteve kryesore nacionale dhe ato turistike, ato janë pastruar dhe vazhdon qarkullimi normal i automjeteve.

Disa zona kanë mbetur pa energji elektrike, konkretisht Njësia Administrative Lekas, Çerrave, bashkia Pogradec si dhe në bashkinë Pustec.

Defekte te energjisë elektrike ka në Njësinë Adminstrative. Lekas, 2 fshatra në Moglicë, Kodras, Gjinikas dhe Osojë ndërsa në Bashkinë Pogradec në fshatin Çerrave si dhe ne bashkinë Pustec.

Ora 09:24
Moti i keq/ 1120 ha tokë e përmbytur në Shkodër, rruga e Obotit e pakalueshme

1674117987_Screenshot1.jpg

Rruga e Obotit në Shkodër është ende e pakalueshme. Një mjet i ushtrisë me 4 ushatrë është në dispozicion të banorëve të zonës për të bërë të mundur kalimin e tyre.

Ndërkohë në total është 1120 ha tokë e përmbytur. Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.

Njoftimi i plotë

Niveli i lumit Drin (hidrometri ura e Bahçallekut) shënon kuotën 6.10 me një rënie prej 5 cm me orën 18.00 të datës 20.01.2023 (kuota max 7.50 m ) Niveli i Liqenit (hidrometri ura e Bunes) shënon 8.20 m me një rritje prej 5 cm me orën 18.00 të datës 20.01.2023 (kuota max 8.70 m ). Sipërfaqja totale e përmbytur në Bashkinë Shkodër është 1120 Ha, e pandryshuar me orën 18.00 të datës 20.01.2023

Njësia Administrative Ana e Malit 1100 Ha e përmbytur. Rruga e Obotit ka prezence uji 55 cm, e pandryshuar me orën 18.00 e datës 20.01.2023 Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.

Në rrugën e Obotit po operon një mjet i kalueshmërisë se lartë se bashku me 4 forca te ushtrisë. Njësia Administrative Dajç 20 Ha toke bujqësore (sipërfaqe toke mbas argjinaturës).

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin

Këngëtarja Parashqevi Simaku komunikon me djalin dhe ish-bashkëshortin