Moti i keq/ Përmirësohet situata në Lezhë e Shkodër! Mbi 4 mijë hektarë tokë e qindra banesa nën ujë! Janë evakuuar 318 banorë (Video)

Situata e përmbytjeve në vend duket se është përmirësuar gjatë orëve të fundit, pas uljes së reshjeve të shiut. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë shifra lidhur me pasojat e krijuara pas përmbytjeve kryesisht në veri të vendit, ku Shkodra dhe Lezha pësuan dëme më të shumta.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Mbrojtjes, rreth 4356 hektarë tokë janë ende të përmbytura ndërsa tërheqja e ujit bëhet më ngadalë. Në qarkun e Shkodrës Forcat e Armatosura kanë evakuuar 318 banorë të cilët janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Gjithashtu janë evakuuar 57 krerë bagëtish.

Ndërkohë në Lezhë, po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa. Ndërsa mendohet që numri i banesave të përmbytura nga uji në zonat veriperëndimore të vendit të jetë me qindra.Si pasojë e pranisë së ujit në pjesën më të madhe të territorit të Shkodrës, ministria e Arsimit ka njoftuar pezullimin e mësimit në 14 shkolla edhe gjatë ditës së nesërme. Në njoftimin e ministrisë bëhet me dije gjithashtu se do të merren të gjitha masat e nevojshme që orët e humbura të mësimit do të zëvendësohen në javët në vijim.

Ndërsa për qarqet e tjera të vendit, si Durrës, Kukës dhe Dibër, ministria e Mbrojtjes njoftoi se situata paraqitej e normalizuar.

Lidhur me situatën reagoi edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim e cila shprehu ngushëllimet për vdekjen e babait dhe djalit të tij nga përmbytjet në Shkodër. Gjithashtu ajo tha se SHBA do të ofronte nidhmë për Shqipërinë për të përballuar situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut.

"Jemi të pikëlluar për vdekjen dhe dëmet që rezultuan nga përmbytjet shkatërruese në veriun e Shqipërisë. Shprehim ngushëllime për familjet e atyre që humbën njerëzit e tyre të dashur dhe respekt për guximtarët shqiptarë që ndihmojnë bashkëqytetarët e tyre. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje sipas nevojës", shkroi Kim në reagimin e bërë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:59
Moti i keq në vend/ Ministria e Mbrojtjes: Përmirësim të situatës në dy qarqet më problematike! 4356 ha tokë nën ujë, janë evakuuar 318 banorë në Shkodër

1669047076_kuc.jpg

Ka një përmirësim të konsiderueshëm të situatës së krijuar si pasojë e reshjeve në vend sidomos në Shkodër e Lezhë, dy qarqet më problematike.

 “Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, ka një përmirësim të konsiderueshëm të situatës së krijuar si pasojë e reshjeve në vend, veçanërisht në dy qarqet më problematike, Shkodër e Lezhë. Uji është tërhequr nga rruga nacionale, te ura e re e Bahçallëkut dhe pranë Harkut të Bërdicës, duke lejuar qarkullimin e lirë të automjeteve.

Ka prani uji në rreth 4356  ha sipërfaqe, ku tërheqja bëhet më ngadalë, por situata po monitorohet me vëmendje. Forcat e Armatosura dhe të emergjencave civile kanë ndihmuar në evakuimin e rreth 318 banorëve në qarkun e Shkodrës, të cilat janë strehuar në konvikte apo pranë të afërmve të tyre. Po ashtu janë evakuuar edhe 57 krerë bagëti.

Përmirësim të konsiderueshëm ka edhe situata në Lezhë, por orët në vijim mbeten sërish kritike, bazuar në parashikimet e motit për shtim të reshjeve të shiut.

Në Bashkinë Lezhë zonat më të prekura janë njësitë Dajc, Blinisht, Balldren, ku po punohet për largimin e ujit nga 24 banesa.

Në monitorim është edhe situata sa i përket nivelit të lumenjve, veçanërisht lumit Drin, Gjadër dhe Erzen. E normalizuar paraqitet situata në Durrës, Kukës, Dibër.

Forcat e Armatosura janë në gatishmëri të plotë për çdo nevojë të banorëve të këtyre zonave dhe do të qëndrojnë në terren edhe gjatë orëve të natës”, ka njoftuar Ministrja e Mbrojtjes.

Ora 19:18
Përmbytjet në Shkodër, ministria e Arsimit: Do të vijojë pezullimi i mësimit në këto 14 shkolla

1669026405_SHKODER3.jpeg

Ministria e Arsimit ka njoftuar se 14 shkolla në zonën e Shkodrës do të vijojnë të jenë të mbyllura edhe gjatë ditës së nesërme për shkak të vështirësisë në infrastrukturën rrugore.

Sipas ministrisë, pavarësisht se situata paraqitet më e përmirësuar, mësimi do të pezullohet për 14 shkolla ku mësojnë 210 nxënës.

Shkollat ku mësimi do të jetë i pezulluar:

1. Shkolla “Mehmet Shpendi”, Shalë

2. Shkolla “Theth”, Shalë

3. Shkolla “Gimaj”, Shalë

4. Shkolla “Dom Prek Ndrevashaj”, Shosh

5. Shkolla “Palaj”, Shosh

6. Shkolla “Nicaj”, Shosh

7. Shkolla “Kir”, Pult

8. Shkolla “Kasnec” , Pult

9. Shkolla “Pog” , Pult

10. Shkolla “Bruçaj”, Pult

11. Shkolla “Plan” , Pult

12. Shkolla “Maja e Thanës” , Pult

13. Shkolla “Xhan” , Pult

14. Shkolla “Kuc” , Pult

Në njoftimin e ministrisë bëhet me dije gjithashtu se do të merren të gjitha masat e nevojshme që orët e humbura të mësimit do të zëvendësohen në javët në vijim.

Ora 18:49
Përmbytjet/ Yuri Kim takon shefin e Shtabit të Ushtrisë: SHBA, e gatshme të ofrojë mbështetjen e nevojshme

1669053163_3155978175052831149601844768179693514184449n.jpg

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati të ndihmojnë Shqipërinë për situatën e vështirë të krijuar nga përmbytjet në vend. Ambasadorja Yuri Kim e shprehur gatishmërinë e vendit që përfaqëson në një takim me Gjeneral Brigade Arben Kingji, takim i cili u zhvillua për herë të parë në cilësinë e Shefit të Shtabit të Ushtrisë.

“Ata diskutuan gjithashtu përgjigjen ndaj përmbytjeve shkatërruese në veri, me gjeneralin Kingji që shprehu vlerësimin për kontributin e SHBA në trajnime, pajisje (përfshirë automjetet e urgjencës dhe gomone) dhe furnizime të tjera, dhe ambasadoren Kim që përsëriti gatishmërinë e SHBA për të ofruar mbështetjen e nevojshme”, njofton ambasada e SHBA-ve në facebook.

Takimi i Kim dhe gjeneralit Kingji u zhvilluar për të diskutuar për forcimin e marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ata ranë dakord të rrisin bashkëpunimin në vazhdim të stërvitjes historike Defender Europe 2021 dhe në përgatitje për stërvitjet e ardhshme Defender Europe 2023.

Të dy diskutuan ndikimin pozitiv të selisë së Komandës së Forcave Operacionale Speciale të SHBA (SOCEUR) në Shqipëri dhe aktivitetet e Brigadës së Forcave të Sigurisë dhe të Ndihmës së Ushtrisë së SHBA (SFAB).

Ora 17:54
Përmbytjet/ Bashkia Shkodër njofton Prefekturën: 36 familje janë evakuuar, 2425 hektarë tokë nën ujë

1669026373_SHKODER3.jpeg

2425 hektarë tokë janë përmbytur në Shkodër dhe 36 familje janë evakuuar nga vendi si pasojë e situatës së krijuar dhe rrezikut të mundshëm. Të dhënat janë zbuluar nga raporti i Bashkisë së Shkodrës drejtuar Prefekturës dhe monitorimeve në terren që ky institucion ka bërë.

Bashkia, e drejtuar nga Bardh Spahiu, bën me dije se janë përmbytur disa njësi administrative dhe sipërfaqe bujqësore. Njësia në gjendjen më të vështirë për shkak të ujit është Ana e Malit më 1000 Ha dhe njësia më pak e prekur nga përmbytjet është Velipoja me 155 Ha tokë, duke pasuar në Dajç 170 HA, Bërdicë 600 Ha, Guri i zi 500 HA,

Ndërkohë, nga 36 familjet e evakuuara janë 159 personat, të cilët tashmë do të duhet ta kalojnë natën jo në banesat e tyre.

Nga Guri i Zi janë evakuuar 19 familje dhe gjithashtu është numri më i lartë i familjeve të larguara në krahasim me njësitë e tjera, përkatësisht Bërdicë 12 familje , dhe lagjja n 1 ka vetëm 2 familje të evakuuara. Gjithashtu, në raportin e Bashkisë së Shkodrës bëhet me dije se 3 familje po jetojnë momentalisht në konvikt.

Situata në Shkodër, e gjitha në shifra:

Hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 16.00,shënon kuotën 7.52 m.(Kuota max 8.70 m).

Hidrometri i lumit Drin në orën 16.00,shënon kuotën 6.95m. (Kuota max 7.50 m).

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 1000 Ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan, Oblikë

Rruga e Obotit - Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 70 cm.

Ujësjellësi Oblika 1,si pasojë e përmbytjeve është jasht funksionit

Situata në Dajç

1.Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 170 Ha, kryesisht në fshatrat Mushan, Shirq, Pentar.

2. Rruga Darragjat-Shirq në vendin e quajtur Urrelat e Shirqit ka mbi 50cm ujë.

Situata në Velipojë:

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 155 Ha.kryesisht fshatrat Baks, Luarz. Ças.

Situata në Guri i Zi: Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 500 Ha, kryesisht në fshatrat Kuç dhe Rrenc.

Situata në Bërdicë:

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 600 Ha, konkretesht në fshtrat Trush, Berdicë e Siperme, Berdicë e Mesme, Beltoje.

Familje të evakuara: Janë 36 familje të evakuara, gjithsej 159 persona, kryesisht nga Njësitë Administrative :

Nj. Administrative Guri I Zi, 19 familje (77 persona),po evakuohen 30 krerë gjë e gjallë,të imta.

Nj. Administrative Bërdicë, 12 familje (50 përsona)

Lagja Nr.4, 3 familje (7 përsona)

Lagja nr. 1, 2 familje ( 7 përsona)

Të akomoduar në konvikt 3 familje ( 12 përsona), ndërsa pjësa tjetër tek të afërmit .

Shtëpi me prezencë uji në oborre dhe në brendësi të banesave gjithsej 455 banesa: Guri I Zi 250 banesa; Bërdicë 180 banesa, nga këto 20 ne biznese; Lagja Nr.4, 15 banesa; Lagja nr. 1, 10 banesa

Ora 17:50
Moti i keq, kryebashkiaku i Kavajës për Report Tv: 3 familjet e evakuuara një natë më parë u kthyen në banesë! Qendro: Situata e normalizuar në të gjithë qarkun Tiranë

 

Situata nga moti i keq paraqitet e stabilizuar në bashkinë e Kavajës. Prefekti i Tiranës, Afrim Qedro tha në Report Tv se po merren masat e fundit që në rast të përkeqësimit të situatës metorologjike të mos ketë problematika të tjera. Sa i përket të gjithë qarkut të Tiranës, Qendro tha se gjithçka është në normalizim.

Në 'Studio Live' me gazetarin Arbër Hitaj foli edhe kryebashkiaku i Kavajës, Redian Krali i cili tha se 3 familjet që u evakuuan një natë më parë janë rikthyer në banesat e tyre. Krali theksoi se është përmbytur vetëm një pjesë e vogël e tokave bujqësore, por bashkia ka ndërhyrë hapjen e kanaleve kulluese dhe situata është normalizuar.

"Kemi situatë të stabilizuar. Po merren masat e fundit që në rast të vazhdimit të reshjeve të mos kemi më probleme. Situatë normale në Rrogozhinë, në Tiranë kemi pasur disa rrugë që ka pasur ujë dhe ndonjë pemë të rrëzuar, por ekipet e Bashkisë kanë qenë në terren dhe janë marrë të gjitha masat. në Kamëz kemi situatë normale edhe në Vorë", tha Qendro për Report Tv.

"Kemi pasur ankesa të vogla nga bashkëqytetar, kemi çuar grupet e punës dhe të gjithë janë në terren. Kemi evakuuar 3 familje mbrëmë, ndërsa sot janë kthyer në banesë. Një pjesë e vogël e tokave bujqësore në Lus të vogël. U ndërhy sot në hapjen e kanaleve kulluese dhe situata u normalizua", tha Krali për Report Tv.

Ora 17:24
DPD njofton për situatën në portet e vendit: Trageti nga Brindisi nuk niset drejt Vlorës, ndalohet qarkullimi i anijeve të vogla në portin e Durrësit dhe Sarandës

Drejtoria e Përgjithshme Detare ka dalë me një njoftim zyrtar sa i përket situatës detare në portet e vendit. Sa i përket situatës në Portin e Durrësit, në njoftimin e publikuar bëhet me dije se lundrimi për anijet e vogla dhe ato të peshkimit është i pezulluar. Ndërsa për mjetet që operojnë në linjën Durrës-Bari-Durrës do të ketë një njoftim të dytë.

Ndërkohë në portin e Vlorës ndodhen aktualisht dy mjetet që operojnë në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë, ndërsa trageti ‘Ioan Star’ nuk do të niset nga Brindisi për shkak të kushteve të vështira meterologjike. Situata paraqitet e njëjtë edhe në portin e Sarandës, ku mëngjesin e sotëm anijet e pasagjerëve mbërritën në Korfuz nga ku do nisen ditën e nesërme. Lundrimi për mjetet e vogla mbetet i pezulluar.

Njoftimi i Plotë nga Drejtoria e Përgjithshme Detare:

Duke filluar nga mesnata era do të jetë me drejtim Jug-JugPerëndim. Forca e detit do të jetë 8-9bft , shpejtësia e erës 15-28m/s dhe lartësia e dallgës do të jetë nga 1.8-3.50

Përmirësimi i kushteve të motit pritet mbas orës 10:00 të datês 23 nëntor 2022.

Situata në portet dhe radat paraqitet si më poshtë:

Në portin Durrës për operimin e mjeteve që operojnë në linjën Durrës-Bari-Durrës , do ju njoftojmë në një moment të dytë.Kurse për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit është i pezulluar lundrimi.

Dy mjetet që operojnë në Portin e Vlorës në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë ndodhen aktualisht në portin e Brindisit.Nesër në mengjes rreth orës 5:00 AM pritet që të mbërrijë në portin e Vlorës vetëm mjeti “Galaxy”kurse mjeti “Ioan Star “ nuk do të niset nga porti i Brindisit për shkak të kushteve të meteorolgjike .Kurse për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit është i pezulluar lundrimi.

Në portin e Sarandës anijet pasagjere të linjës Sarandë-Korfuz-Sarandë janë nisur nga porti i Sarandës në mëngjesin e ditës së sotme dhe ndodhen aktualisht në portin e Korfuzit.Këto mjete nuk do të nisen ditën e nesërme nga Porti i Korfuzit për në Sarandë por do të qëndrojnë në Portin e Korfuzit.Kurse për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimit është i pezulluar lundrimi.

Në portin e Shëngjinit situata është e qetë dhe pa probleme.

Për anijet e peshkimit është pezulluar lundrimi deri në përmirësimin e situatës.

Drejtoria e Përgjithshme Detare do ju njoftojë në vijëmësi për çdo ndryshim apo përditësim të situatës meterologjike dhe operimit te mjeteve lundruese në Portet e Republikës së Shqipërisē.

Ora 17:07
VIDEO/ Përmbytjet në Shkodër, zona e Kuçit dhe Gurit të Zi të mbuluara nga uji

 

Report Tv sjell pamjet nga përmbytjet në zonën e Kuçit dhe Gurit të Zi në Shkodër. Qindra hektarë tokë shihet se janë të mbuluara nga uji, ndërsa reshjet e shiu tashmë janë ndërprerë.

Ora 16:46
ISHP këshillon ndjekjen e disa udhëzimeve gjatë përmbytjeve: Shmangni bodrumet dhe nënkalimet, bëhen të rrezikshme

1669032916_fjd.JPG

Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar disa këshilla për qytetarët të banojnë në zona ku ka pasur përmbytje. Mes këshillave të dhëna nga institucioni, janë edhe ato të shmangies së vendeve të ulëta si bodrumeve apo nënkalimeve.

Udhëzimet e bëra nga ISHP:

  1. Shmangni vende të ulëta si bodrumet ose nënkalimet. Këto bëhen jashtëzakonisht të rrezikshme gjatë një përmbytjeje.
  2. Mos ecni nëpër zona të përmbytura. Mund të jetë e vështirë të kuptohet sesa i thellë është niveli i ujit dhe çfarë qëndron në të.
  3. Nëse duhet të ecni në ujë, kudo që të jetë e mundur ecni aty ku uji nuk po lëviz. Përdorni një shkop për të kontrolluar qëndrueshmërinë e tokës përpara jush.
  4. Mos ecni me makinë në zona të përmbytura. Nëse ujërat e përmbytjes ngrihen rreth makinës suaj, braktisni makinën dhe zhvendosuni në zonë apo pikë më të lartë-vetëm nëse mund të bëni këtë në mënyrë të sigurt.
  5. Mos prekni pajisjet elektrike nëse jeni të lagur ose po qëndroni në ujë.

Ora 15:08
Situatë e pazakontë e motit të keq edhe në Pukë, izolohen disa akse rrugore, kryebashkiaku: S’kemi financa të përballojmë dëmet

1669039729_dbhdh.JPG

Situata e motit të keq ka qenë e pazakontë edhe në zonën e Pukës. Si pasojë e rrëshqitjeve të dherave, janë izoluar disa akse rrugore që lidhin fshatrat me qendrat e njësive administrative. Dëmtime ka pasur edhe në disa ura duke bërë të pa mundur që nxënësit të shkojnë në shkollë. Në disa fshatra mungesa e energjisë është prezentë si pasojë e këputjes së linjave dhe djegies së transformatorëve.  

“Shumë rrugë dhe vende u dëmtuan nga intensiteti i lartë i reshjeve. Ne bëmë takimin me shtabin e emergjencave për të monitoruar dëmet e shkaktuara. Ky është dëm i madh, i pamundur për t’u përballuar nga financat e bashkisë. U bëj thirrje qytetarëve, sepse pavarësisht se situata është e rëndë ne do u vijmë në ndihmë. Bashkia është pranë tyre, qoftë për transport, ndihma, ushqime etj.”- tha Gjon Gjonaj.

Bashkia e Pukës ka nisur punën për nxjerrjen nga izolimi te fshatrave të izoluara, ndërsa për rikthimin e normalitetit duket se do të jetë e pamundur si pasojë e mjeteve të kufizuara  dhe financave të pamjaftueshme për përballimin e dëmeve të tilla.

Ora 14:46
Ministri i Mbrojtjes - Spahisë: Krijohet panik duke kujtuar përmbytjet e vitit 2010! Të ulemi në tavolinë për të koordinuar forcat

 

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i ka bërë thirrje kryebashkiakut të Shkodrës Bardh Spahia që të ulet në tavolinë me të për të koordinuar forcat që të ndihmojnë familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër. Sa i përket deklaratave se situata po përdoret politikisht dhe mund të shkojë më keq se në 2010, Peleshi u shpreh se janë shumë larg atij skenari.

“Në këto momente duhet të jemi të gjithë bashkë, pa dallim për të ndihmuar njerëzit. Ne kemi prioritet jetën e njerëzve. Jam ndjerë keq për aksidentin ku humbën jetën 2 banorë. Apeli im është të lëmë dallimet dhe të bëhemi bashkë për të përballuar situatën. Më vjen keq që hapet panik duke kujtuar 2010. Nuk është përsëritur më nga 2010 ai skenar, por nuk dua të spekuloj. Spahia dhe gjithë kryebashkiakët e tjerë janë të ftuar të ulemi në tavolinë dhe të ndihmojmë duke koordinuar forcat. Sot nuk ka lidhje politika”, tha Peleshi.

Ora 14:03
Spahia kërkoi shpalljen e gjendjes së emergjencës, Peleshi në Report Tv: Të përdorë fondin që është për këto situata! S’ka nevojë për status

 

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nga Shkodra i ka kthyer Bardh Spahisë, kryebashkiakut të Shkodrës i cili kërkoi të shpallej gjendja e emergjencës. Në një lidhje live në “Sot Live në Shqipëri” me gazetarët Migena Sotiri dhe Nertil Agalliu, Peleshi tha se kjo ëhstë një deklaratë që nuk përbën sens, për shkak se Bashkia e ka në dispozicion një fond emergjence dhe Spahia nuk ka nevojë për një status që t’i përdorë këto para për qytetarët.

“Nuk kemi ca presim, presioni i partisë dhe politik i detyron të dalë nga vetja, nuk bëhet fjalë për trajtim politika apo papërgjegjshmëri. Ligji i jep të drejtën që fondin e kushtëzuar të përdorur për emergjencat ta përdor, nëse mbaron fondi ne kemi fondi tonë nga emergjencat civile, nuk na pengon një status për t’i përdorur”, tha Peleshi.

Ai tha se në terren janë të gjithë ku po punojnë për t’iu ardhur në ndihmë banorëve.

“Mjetet janë në hyrje të Obotit, sapo marrim një nevojë të një banori për të shkuar për të marrëe furnizime, ne e realizojmë me shpejtësi të madhe, sapo të tërhiqet uji do hapet dhe rruga, se kjo nuk është në dorën dorë. Nëse këtu në harkun e Bërdicës nuk ka prezencë uji, kjo do të thotë që nuk ka prurje drejt fushës së Obotit dhe tërheqja do të vijë me shpejtësi m ëtë ulët se është gropë, banorët e njohin këtë zonë, i kanë marrë masat, po bashkëpunojnë, pushteti vendor dhe njësia administrative po bashkëpunojnë, nuk ka krahasim me 2010, ka qenë skena më e frikshme, që nuk ka qenë vetëm për kushtet e natyrës, por edhe menaxhimi i situatës”, tha Peleshi.

Ora 13:56
Bie niveli i ujit në Shkodër, hapet harku i Bërdicës dhe ura e Bahçallëkut për mjetet e vogla

 

Shkodër - Pas rënies së nivelit të ujit, është hapur harku i Bërdicës dhe ura e re e Bahçallëkut për mjetet e vogla.

Ora 13:29
VIDEOLAJM/ Bie bora e parë në Kukës, zbardhet Mali i Gjallicës

 

Temperaturat janë ulur ndjeshëm në vendin tonë dhe në Kukës ka rënë bora e parë.

Report Tv sjell pamje nga flokët e parë të dëborës të cilët kanë zbardhur majën e malit të Gjallicës.

Po ashtu reshjet e dëborës kanë zbardhur Vermoshin dhe Thethin.

Ora 13:13
Situata nga moti i keq/ Reshjet e shiut gjatë natës mbushën segmentet e rrugës së Arbrit! Probleme në lëvizjen e mjeteve

 

Reshjet e shumta gjatë natës kanë mbushur segmentet e rrugës në Dibër, përkatësisht rrugën e Arbrit.

Si pasojë, është bllokuar nga uji dy lagjet duke shkaktuar kështu problematika në lëvizjen e mjeteve të vogla. Ky segment njihet për problematikat e tij të hershme, që prej ndërtimit të kësaj rruge kur ka intensitet reshjesh grumbullon ujë.

Ora 13:08
Moti i keq/ Pezullohet lundrimi detar në Vlorë, deti me dallgë deri në 4 metra dëmton zonën e pishave në Pyllin e Sodës

 

Prej ditës së djeshme moti i përkeqësuar në qytetin e Vlorës ka sjell pezullim të lundrimit detar. Era me fuqi deri në 20m/ s ka bërë që dhe fuqia e deti brenda gjirit të Vlorës të shkojë deri në 6 ballë. Kapiteneria e portit të Vlorës ka njoftuar të gjitha mjetet lundruese kryesisht peshkarexhat që te mos dalin në lundrim deri në datë 22 , ku dhe pritet përmirësimi i situatës meterologjike. Por dita e sotme përgjatë gjithë vijës bregdetare të Vlorës ka bërë qe deti te ketë dallgë të larta që shkonin deri në 4 m duke krijuar spektakël nga përplasja në breg, por dhe problematika, pasi dëmtonin zonën e pishave në Pyllin e Sodës .

Ora 12:46
Reshjet në vend, ‘Mbrojtja’: Situatë problematike në Shkodër dhe Lezhë! Mbi 240 efektivë të FA në ndihmë të forcave operacionale! 54 familje të evakuuar

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se si është situata e shkaktuar nga reshjet në vend.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, situata si pasojë e reshjeve intensive në vend paraqitet problematike veçanërisht në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.

Mbi 240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme për përmbytjet janë përqendruar në këto dy qarqe, në ndihmë edhe të forcave të tjera operacionale.

Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është bërë evakuimi i 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe 3 familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe. Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre.

Një familje është evakuar nga fshati Mabe, në Lezhë, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre. Pas kërkimeve intensive është bërë e mundur gjetja e trupave të babë e bir, në fshatin Dedaj, të cilët i mori rrjedha e ujit të përroit në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, fshati Bogë, njësia administrative Shkrel,  bashkia Malësie Madhe.

Punonjësit e ARRSH janë gjatë gjithë kohës në terren për të pastruar akset e bllokuara. Është bërë i mundur kalimi i banorëve të zonave ku ka probleme edhe me rrugë të tjera alternative. Në aksin rrugor Shkodër- Lezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, kalimi bëhet në drejtim të Gurit të Zi. Po ashtu është normalizuar situata në aksin e vjetër Milot-Burrel, ku pati rënie gurësh.

Furnizimi me energji është i garantuar në pjesën më të madhe të zonave, ku ka patur dëmtime nga reshjet, pas një pune të pandërprerë nga punonjësit e OSHEE në terren.

Situata po ndiqet me vëmendje edhe në bashkitë e tjera të vendit si në atë të Dibrës, Kukësit, Tropojës, Durrësit, Tiranës,etj.

Efektivët e Forcave të Armatosura, nën koordimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, të gjitha kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, Policia e Shtetit, strukturat e emergjencave civile, shërbimi mjekësor janë të gjithë të angazhuar në terren në çdo rast nevoje.

U bëjmë thirrje banorëve të zonave më të prekura nga reshjet, të bëjnë kujdes gjatë këtyre orëve kritike, të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në çdo rast dhe pa vonesë.

Ora 12:23
Ministrja e Bujqësisë me Shtabin e Emergjencës në Shkodër: Hidrovorët në funksion të plotë, vijon tërheqja e ujit nga toka

 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në takimin e mbrëmshëm me Shtabin e Emergjencës, në zyrën e Prefektes së qarkut Shkodër, Majlinda Angoni, mbi situatën e shkaktuar nga reshjet në këtë qark, deklaroi se, “Ekipet e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit dhe strukturat përkatëse janë në terren dhe gatishmëri të plotë non-stop, për menaxhimin e situatës së krijuar”.

Ministrja prej mëngjesit të së dielës, bashkë me ekipin e Ministrisë dhe grupet e punës, monitoroi nga afër dy hidrovorët e rëndësishëm që janë në rajonin e Shkodrës, atë të Vilunit dhe Çastit.

Krifca tha se “Situata në hidrovorë është në kontroll të plotë. Puna aty vijon normalisht dhe stafi bashkë me ekipet e punës janë aty. Nuk kemi mungesë të energjisë elektrike dhe jemi në kontakt me OSHEE-n për furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të hidrovorëve. Puna në hidrovorë vijon me tërheqjen e ujit nga toka”.

Ministrja informoi se bashkisë së Vaut të Dejës, i është vënë në dispozicion një eskavator për një ndërhyrje në zonë, teksa theksoi se, “të gjitha mjetet që kemi në dispozicion janë në gatishmëri për çdo situatë që paraqitet”.

Krifca tha se, kemi marrë masa dhe janë në gatishmëri të plotë edhe Drejtoritë e Veterinarisë, nëse do të ketë nevojë për lëvizjen e blegtorisë, apo për të asistuar blegtorët në rast nevoje.

Krifca, në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga të gjitha institucionet e linjës, tha se Prefektura dhe pushteti lokal janë në bashkëpunim dhe një bashkërendim të punëve për të përballuar me kurajo çdo situatë që paraqitet nga moti me reshje të dendura.

Ora 11:07
Lumi Gjadër del nga shtrati, banori: Familjarët janë izoluar, nuk mund të dalin! Hera e tretë që përmbytemi, të mbyllet shtegu nga Kaskada e Drinit

 

Një banor në fshatin Gjadër të Lezhës ka treguar se prej 2 vitesh preken nga përmbytjet. Ai kërkoi që shteti të ndërhyjë për mbylljen e shtegut pasi hyn uji nga Kaskada e Drinit.

“Ka filluar që në darkë, ishte ora 20:00 kur nisi ndërsa rreth orës 02:00 të natës erdhi në këtë masë. Garazhin e ka çuar dëm. Është e treta herë që kemi përmbytje. Nuk e di nga vjen. Ndoshta nga Kaskada e Drinit mbrapa. Hyn uji nga fqinja këtu. Nëse vazhdon me këtë ritme, për 1 orë, uji hyn brenda në shtëpi. Në vitin 2002 janë përmbytur, kam pasur 70 cm brenda. Familjarët nuk mund të dalin, nuk mund të lëvizin. Vetëm unë që kam çizme. Duhet t’i marr në shpinë, t’i çoj te stalla e lopëve dhe kaq. Kërkoj ta menaxhojnë ujin, ta mbyllin shtegun atje mbrapa. Edhe vjet jemi përmbytur, edhe këtë vit. Është bërë zinxhir. Nuk më ka ardhur asnjë njeri. Debatova për fadromën. Më duket se tani po  kalon fadroma. Bashkia ka çdo gjë në dorë. Vjet na kanë sjellë një thes rërë për të izoluar derën e shtëpisë. Këtë vit asgjë. Po na hyri brenda, më mirë ta lëmë e të ikim nga ky vend”, tha banori.

Ora 10:52
Shirat e dendur/ KESH: Përmirësim i situatës në Kaskadën e Drinit! Plotësohen kërkesat e OSHE për furnizim me drita për vendin

Reshjet e dendura të shiut që kanë pushtuar vendin 2 ditët e fundit, ka sjellë përmirësim të situatës në kaskadën e lumit Drin.

Në pëditësimin e fundit të KESH jepen të dhënat e nivelit të ujit si dhe prurjet, sipas së cilëve përmbushet totalisht kërkesa e OSHEE për furnizim me energji elektrike për konsumin vendas. Kjo tregon se edhe vendosja e fashës 800 kWh mund të shtyhet në kohë.

“Korporata Elektroenergjetike po monitoron nivelin e ujërave si dhe prurjet në kaskadën e lumit Drin.  Të dhënat e orës 10:00 janë:

Nivelet e liqeneve
Fierza 271.42 mmnd, një turbinë në punë
Koman 173.62 mmnd
Vau i Dejës 75.40 mmnd

Prodhimi i energjisë në kaskadë përmbush totalisht kërkesën e OSHEE/FTL për furnizim me energji elektrike për konsumin vendas”, thuhet në njoftim.

Ora 09:59
VIDEO/Reshjet e dëborës zbardhin Vermoshin dhe Thethin! ARRSH: Drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes

 

Reshjet e dëborës kanë zbardhur Vermoshin dhe Thethin. Sipas ARRSH po punohet për pastrimin në aksin rrugor Tamarë-Vermosh dhe Qafë Thore-Theth.

Për momentin në aksin Shkodër-Lezhë në pikën Harku i Bedicës, vazhdon devijimi i makinave në rrugën e Gurit të Zi dhe në Dedaj-Bogë vazhdon devijimi për në rrugën alternative.

Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të mbajtur qarkullimin në normalitet. ARRSH bën thirrje që drejtuesit të tregojnë kujdes, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Ora 09:56
Moti i keq/ 10 banesa të përmbytura në zonën e ish-Kënetës në Durrës (VIDEO)

 

10 banesa janë përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Report Tv sjell pamje nga përmbytjet, ku duket uji i futur brenda banesa.

Ora 09:52
VIDEO/Lumi Gjadër del nga shtrati në Lezhë, prezencë uji në disa shtëpi! Banorët: Jemi të friksuar, situatë që ndodh çdo vit

 

Banorët e Lezhës pranë lumit Gjadër janë shprehur të frikësuar nga situata e rënduar. Banorët gjithsesi pohojnë se përballen me këtë situatë çdo vit, sa herë ka reshje me intensitetet të lartë.

“Sot natën nga ora e tre ka dalë lumi nga shtrati.  Gjithë ky ujë që ka rënë nga do shkojë, o do përmbytë shtëpitë ose tokat. Ka bërë dëme shumë.” – tha një banor.

Një tjetër banor u shpreh se pavarësisht se kanë kryer disa punime për të përballuar situata të tilla, situata është e pashmangshme për shkak të natyrës.

“S’më ka hyrë uji brenda në shtëpi po në ujë jam. Sa herë ka dimër ndodh kjo. Kanë punuar boll po nuk kanë çfarë bëjnë se e ka natyra.”- tha një tjetër banor.

Ndërkohë, një banore u shpreh se mbrëmjen e furtunës i kishte hyrë uji në banesë.

“Natën e furtunës na hyri uji brenda. Frikë kemi por çfarë të bëjmë.”- tha një banore.

Për pasojë është bllokuar rruga Gjadër-Zojz, si dhe uji ka shkuar shumë pranë banesave.  

Ora 09:24
1855 ha nën ujë! Ndërpritet qarkullimi në aksin Shkodër-Lezhë te Harku i Bërdicës! 30 familje të evakuuara

 

Qarku i Shkodrës vijon të jetë më problematiku prej motit të keq. Në total është 1855 ha sipërfaqja totale e përmbytur. Qarkullimi në aksin Shkodër-Lezhë tek Harku i Bërdicës është ndërprerë për shkak të prezencës së ujit rreth 50 cm. Kalimi bëhet nga Guri i Zi. Për shkak të dëmtimit të urës së vjetër të Bahcallëkut, mbeturinat e saj janë përplasur me urën ekzistuese.

Ka rënie të niveleve rreth 20 cm në raport me ditën e djeshme por konstatohet rritje e sipërfaqes së përmbytjes. Vetëm në fushën e Obotit dhe atë të Dajcit janë përmbytur rreth 70 ha.

Ndërkohë kanë mbetur pa energji elektrike zonat rurale të Kelmendit, Bushatit, Rrencit. Përmbytjet kanë sjellë rritje të nivelit të përrenjve ose lumenjve që bëjnë të pamundur lëvizjen e nxënësve dhe mësuesve drejt shkollave. Në total janë 27 godina në të cilat nuk mund të zhvillohet procesi mësimor. Nuk paraqitet problematikë në akse, përvec segmentit Dedaj-Bogë në km 5 dhe 13 pas ka dalje nga shtrati të përrenjve. Kalimi bëhet me rrugë alternative.

Situata në qarkun e Shkodrës

Bashkia Vau Dejes

Në NjA. Vau-Dejës ka patur gjatë gjithe nates reshje me intensitet mesatar . Gjendja vazhdon te ngelet e  njejte si diten e djeshme.Përroi Gllinë vazhdon të mbetet problematikë në qytet. Ka energji elektrike ne pothuajse të gjitha njësitë me përjashtim të ndonjë ndërprerje të shkurtër në disa fshatra. Në NjA. Bushat  vazhdon të mbetet problem rruga kryesore e fshatit Ashtë. Në fshatrat Mali i Jushit, Hoten, Rranza,Bushat janë 10 familje që kanë prezence uji në banesa ne lartesi 30 cm si dhe 1711 ha tokë bujqësore nën ujë.

Në NjA. Hajmel ka dalje të përronjve nga shtrati në fshatin Hajmel dhe Paçram që për pasojë ka vërshime te  ujrave në rrugët kryesore te fshatrave dhe sipërfaqe toke bujqësore nën ujë. Lumi Gjadër  vazhdon të mbetet problematike në NjA,Vig Mnele. Vazhdon të mbetet evident rreziku I shëmbejs së urës Gjinaj qe lidh aksin kryesor rrugor të fshatit Mnelë më fshatin Vig. NjA.Temal, vazhdon të jetë problematike renia e interteve nga rëshqitja e gurëve nga mali.(konkretisht në rrugën e Komanit) dhe ndërprerja e EE në fshatrat e njësisë. NjA Shllak, vazhdon të jetë  problematike shëmbja e rrugës  kryesore që të çon në Nj Ad, në fshatin Vukaj me gjatësi 4 km.

Bashkia Puke

Deri ne keto momente situata eshte e njejte me diten e djeshme. Kemi rreth 27 km rruge rurale te demtuara ne njesite Administrative Qelez,  Rrape,  Luf Qerret dhe Gjegjan. Ka filluar nderhyrja per kthimin ne normalitet me burimet njerezore dhe teknike Fadrome,  per pastrim dherash e inertesh. Marre ne konsiderate problematiken e krijuar nga bllokimi i rrugeve auto rurale eshte e nevojshme mbeshtetja me nje mjet Fadrome nga AKMC. Ne Bashkise F.Arrez. vazhdoje reshjet e shiu dhe derit tani nuk ka probeme te tjera te rapotuara, perveq demtimit te rrugeve, dhe shkeputjes se energjise elektrike.

Strukturat e DVP, dhe ato te FNSh, jane ne gadishmeri 12x12, te cilet ne bashkepunim me strukturat vendore jane angazhuar maksimalisht ne operacionet e evakuim shpetimit dhe po sigurojne kalueshmerine e perdoruesve te mjeteve ne te gjitha akse ku ka prezence uji. Strukturat e ushtrise te Rep.V.Dejes, gjate mbremjes se djeshme deri ne oret e vona jane angazhuar maksimalisht ne operacionet e evakuim shpetimit sipas planeve te evakuimit te bera nga bashkia Shkoder.

Nj.A. Ana e Malit

1. Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 1000 Ha, kryesisht në fshatrat Obot, Muriqan,Oblikë

2. Rruga e Obotit - Niveli i ujit mbi rrugë arrin rreth 65 cm.

3. Ujësjellësi Oblika 1,si pasojë e përmbytjeve është jasht funksionit

Nj.A Dajç

1.Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 120 Ha, kryesisht në fshatrat Mushan, Shirq, Pentar.

2. Rruga që lidh fshatrat Pentar- Ças ka presence uji ( nuk kalohet me mjete te ulëta)

Nj.A.Velipojë

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 165 Ha.kryesisht fshatrat Baks, Luarz. Ças.

Nj. A. Guri i Zi

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 500 Ha, kryesisht në fshatrat Kuç dhe Rrenc.

Nj.A.Bërdicë

Sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 70 Ha, konkretesht në fshtrat Trush,Berdicë e Siperme.

Familje të evakuuara:

Janë 30 familje të evakuara, gjithsej 130 persona, kryesisht nga Njësitë Administrative :

Nj. Administrative Guri I Zi, 13 familje (48 persona)

Nj. Administrative Bërdicë, 12 familje (50 persona)

Lagja Nr.4,  3 familje (7 persona)

Lagja nr. 1,  2 familje ( 7 persona)

Të akomoduar në konvikt 2 familje ( 7 persona), ndërsa pjesa tjetër tek të afërmit. Shtepi me presence uji në oborre dhe ne brendësi të banesave gjithsej 482 banesa.

1. Guri i Zi 250 banesa

2. Bërdicë 102 banesa

3. Lagja Nr.4, 30 banesa

4. Lagja nr. 1, 100 banesa

Ora 08:18
Banori i fshatit Murqin: Ne përmbytemi 5-6 herë në vit! Nuk pastrohen kanalet para dhe pas zgjedhjeve, por duhen bërë rregullisht

 

Një banor i fshatit Murqin në Fushë-Krujë, ku tokat e mbjella janë përmbytur nga uji thotë se situata është problematike për shkak se nuk pastrohen kanalet. Banori thotë se e kanë të përsëritur dhe kërkojnë që të ndërhyhet që të mos i dëmtohen të mbjellat.

“Ne përmbytemi 5-6 herë në vit nga ana e lumit. Kjo është situatë që përsëritet vazhdimisht por problem kryesor mbetet pastrimi i kanaleve. Nuk e di kush e ka përgjegjësinë për këtë. Kanalet janë të papastrueshme. I bëj thirrje bashkisë të na pastrojë kanalet, të paktën kur nuk ka reshje se kemi mbjellë. Unë  kam mbjellë grurin. Kam harxhuar lekë sic na kanë kërkuar. Nuk lahen kanalet 1 ditë para e pas zgjedhjeve, por duhen larë rregullisht. Para 4-5 vitesh kanë pastruar për herë të fundit”, tha banori.

Ora 07:55
Moti i keq/ Situatë e rënduar në Lezhë, 23 banesa nën ujë në disa fshatra

 

Situatat në Lezhë është rënduar si pasojë e reshjeve të shiut. Në fshatrat, Mabe, Piraj, Gjadër të njësisë administrative Dajç dhe Torovicë e njësisë administrative Balldren.

Sipas të dhënave nga strukturat e MC të bashkive Lezhë, Kurbin dhe Mirditë  sasia e reshjeve të rëna  për 2 ditët e fundit ka qenë 212 mm. Vetëm për 24 orët e fundit nga dje në mëngjes  deri tani ka rënë 82 mm  shi.

Sipërfaqe të përmbytura kemi në njësinë administrative Dajç dhe Blinisht rreth 700ha, ndërsa në njësinë administrative Balldre rreth 500ha. Lumi Gjadër dhe Drin janë  mbushur dhe tërheqja e ujit bëhet shume ngadalë  por nuk kane dale nga shtrati .

Në njësinë administrative Dajç bashkia Lezhë, në fshatin Gajdër janë 15 banesa në ujë dhe ura e Zojsit është e pakalueshme. Në fshatin Zojs kemi 5 banesa në ujë.

Në njësinë administrative Balldre, fshati Kakarriq kemi 3 banesa në ujë. Do jemi gjithë kohen në teren për të parë ecurinë dhe nevojat për ndërhyrje Në Bashkitë Mirditë dhe Kurbin nuk raportohen problematika .

Ora 07:19
Moti i keq, lumi Ishëm del nga shtrati gjatë natës, 10 banesa të izoluara nga uji në Fushë Krujë (VIDEO)

 

Si pasojë e reshje të shumta të shiut që kanë rënë 8 orët e fundit, në Fushë Krujë ka dalë nga shtrati lumi Ishëm.

Uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore kryesisht në fshatin Murqinë dhe Mallkuç ku niveli i ujit nëpër ara shkon në rreth 50 cm. Aktualisht janë rreth 10 banesa të izoluara nga uji në fshatin Murqinë.

Fatmirësisht reshjet kanë pushuar dhe nuk ka përkeqësim të situatës, niveli i ujit vijon të jetë i njëjtë.

Ora 07:10
Moti i keq, 5 njësi administrative në Gjirokastër pa energji elektrike! Gurët bllokojnë disa akse rrugore

Moti i keq ka përfshirë të gjithë vendin duke shkaktuar problematika në shumë qytete. Problematika janë shfaqur edhe në Gjirokastër ku janë krijuar probleme në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë në vendin e quajtur "Shkalla e Zezë" në Ballaban, në aksin Ballaban-Këlcyrë, në aksin rural Valare-Çajup, në aksin Suhë-Zagorie, në aksin Ura e Kardhiqit-Sarandë afër tunelit të Skërficës, në aksin rural Kolonjë- Golem dhe ne aksin rural Zenelaj-Zhulat.

Në të gjitha këto akse në 8 orët e fundit ka pasur bllokime të cilat u riparuan në kohë nga ARSH. Ndërkohë koha e keqe ka krijuar probleme me furnizimin me energji elektrike në Njësitë Administrative Luftinjë Bashkia Memaliaj, Piskovë e Frashër Bashkia Përmet, Zagorie Bashkia Libohovë, Dropull i Sipërm Bashkia Dropull, Odrie Bashkia Gjirokastër.

Po punohet me intensitet për pastrimin e gurëve të përrenjve në rrugët e brendshme të Gjirokastrës, Libohovës, Përmetit, Këlcyrës, Dropullit, Tepelenës, Memaliajt si dhe në të gjitha njësitë administrative pas vërshimit të ujërave.

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 22/11/2022 00:20

    Ngelem gjithe jeten duke u permbytur nga uji dhe akoma vazhdojne te na therrasin maloke or teeejjj.

    Përgjigju
  • adela dervishi: 21/11/2022 16:54

    s ju vjen turp se e mbytet popullin

    Përgjigju
    • Lala: 21/11/2022 19:45

      Ne kohen e enverit ne ate zone nuk lejohej te ndertohej ....kushedi pse

  • aksi: 21/11/2022 11:31

    aksi Thumane- Fush Kruje duhet patjeter te behet me 4 korsi minimumi ndryshe nuk ka asnje rezultat

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar