Me qindra motoristë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës kanë çelur siparin e Moto Fest Pogradec, një prej eventeve më të mëdha të verës në qytetin liqenor. Për dy net me radhë, festivali synon jo vetëm promovimin e turizmit dhe bukurive të Pogradecit, por edhe përcjelljen e një mesazhi solidariteti. Organizatorët bëjnë të ditur se këtë vit, në kuadër të aktivitetit, në qytet do të mbërrijnë tre kamionë me pajisje ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Artur Berberi, motorist pogradecar që prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se motoçikleta përfaqëson ndjenjën më të madhe të lirisë dhe se kush kërkon ta përjetojë atë, mjafton të hipë në një motor.
Nga Durrësi dhe Tirana kishin udhëtuar edhe Eno dhe Elona, miq që i ka bashkuar nga pasioni për motoçikletat. Ata vlerësuan organizimin e festivalit në Pogradec, duke e cilësuar atë një ndër aktivitetet më të bukura të këtij lloji në vend.
Mbrëmjen e parë atmosfera u ndez nga performanca e këngëtarit Rubin Kaso, i cili përgëzoi organizatorët për nismën dhe vlerësoi mikpritjen e qytetit të Pogradecit.
Festivali do të kulmojë mbrëmjen e 18 korrikut me paradën e madhe të motorëve në rrugët e qytetit, si edhe me mbërritjen e tre kamionëve me pajisje ndihmëse që do t’u dhurohen personave me aftësi të kufizuara.
lajm në përditësim...
Komente








