U organizua eventi “Motor Fest 4”, që e ktheu Shijakun në kryeqendrën e motoristëve për një ditë me një atmosferë tejet elektrizuese në qytet.
Mbi 2000 motorë nga 46 grupe ndërkombëtare shoqatash motorësh kishin mbërritur në Shijak nga: Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Italia, Greqia, Zvicra, Franca, Gjermania, Hollanda, Suedia, SHBA, Danimarka dhe Norvegjia.
Parada e motoristëve nisi pasditen e së shtunës, me pjesëmarrjen e 46 grupeve ndërkombëtare, nga sheshi i Shijakut deri në qytetin e Durrësit, për t’u rikthyer më pas sërish në sheshin e Shijakut për zhvillimin e eventit.
Pas paradës së motorëve, eventi vazhdoi me një koncert rock n’ roll dhe me një koncert live me të ftuar special si Andi Shkoza, Valbona Halili, sakaq trupa e Asamblit Rinor Shijak performuan në qendër të qytetit.
Ky ishte viti i katërt radhazi që organizohej “Motor Fest”, ku për dy vitet e fundit mikpritëse kishte qenë Bashkia e Shijakut, pas dy edicioneve të para të mbajtura në Durrës.
Muaji qershor tashmë është shndërruar në një muaj simbolik për zhvillimin e “Motor Fest”-it çdo vit, me synimin për të nxitur zhvillimin kulturor-artistik në Shijak dhe për të tërhequr turizmin.
Komente









