Motra Tona, 'Kryevepra i takon Idromenos, Mustafa Arapi është dashakeq'

Motra Tona, 'Kryevepra i takon Idromenos, Mustafa Arapi është dashakeq'

Motra Tone

Shënim paraprijës: Jemi afër nji vjetorit të artilullit, në “Gazeten Shqiptare”, të z. Mustafa Arapi. Të them të drejten, prita se për këtë problem do të pergjigjej dikush tjetër, por deri tash, HESHTJE. (E kjo e damshme). E kam lexue disa herë pergjigjen të cilen e kam shkrue nji ditë mbas shkrimit në Gazeten Shqiptare të datës 1 qeshor 2017 (pra 2 qeshor 2017), e tue e peshue me njiqind kandarë, e tue e diskutue edhe me kolegë, shoh se s´jam gabim e s´mundem me heshtë, pa i dalë Zot me këtë shkrim Kolë Idromenos e së vërtetës artistike të punës së tij madhore.



                    Dy portrete të motrës Tone realizuar nga Idromeno

MOTRA TONE
Z. Mustafa Arapi, të më falish për pergjigjen që s´po mund të rrij pa ta dhanë. Jam Pjerin Sheldija, piktor nga Shkodra, plak, por faleminders Zotit, punoj ende.

     Piktori Pjerin Sheldija

Lexova, natyrisht, me kureshtje shkrimin apo intervisten tande në Gazeten Shqiptare të datës 1.6.2017. Ishte diçka, jo vetëm e papritun, absurde dhe dashakeqe që në titull, por mbasi e lexova deri në fund, mbeta ngusht, se gjithçka që ti mbron, janë fyemje për figurën e Kolë Idromenos, për artin shkodran e shqiptar e për historinë e tij.

Pashë në atë faqe gazete, nji perçmim për figuren e madhe e të parë të pikturës realiste shqiptare, sikur ti nuk don që ti mbetet  vendi i parë këtij autori, që ti ja zhdukë atë me nji të ramun lapsi.

E PARA: ... don apo s´don ti, merita asht e tija, që, në atë kohë, në këtë qytet të lashtë, u hap një epokë e re në pikturë. Nuk mund t´i ikim nji të vertetës që këtu, në Shkodër, zanë fill plot “të para” si : ndeshja e parë e futbollit, mjeshtri i parë i “jareve” të vueme në pentagram (P. Kurti), banda e parë, çfaqja e parë teatrale, shtyllat e para të letersisë shqiptare (4 B-të e mëdha), opera e parë, ekspozita e parë, çfaqja e parë filmike, fotografia e parë, etj….etj…

Më fal, do të ma quesh për mendjemadhësi, sigurisht.

Mendjemadhësi jo, por krenari po, se për këto gjana, Shkodra e ka ballin nalt. Dielli me shoshë nuk mbulohet e Kolë Idromeno me të mirat e të metat, si çdo njeri, asht nji diell në pikturen tonë. Vetë fakti që ti e krahason me dy vepra tjera, jo të njëjtës gjini, asht jo pa qëllim, e percaktimi i tyre si “pa mjeshtri” e “naive”, flet për qëllimin jo të mirë, aq ma tepër prej nji piktori, rastauratori e studiuesi të artit (ose, kjoftë larg, nga padija). Por gjithçka asht kjartësisht e dukshme, në të kundërtën e tezave tueja, hamendjeve tueja apo dëshirave tueja.

Ndër të tjera, ti thue nji budallallek: “Kolë Idromenon….ta krahasojmë me kolegët bashkëkohorë në Itali…”

A thue edhe Italia ka ndejë pesë shekuj në terr, .... që ne na u zhduk çdo gjurmë kulture?

Ç’ka prite ti, që Kolë Idromeno të përqafonte, menjiherë artin modern që po lulëzonte n´Europë?

Duhej të vehej themeli me realizmin, se ishim “tha” për te, e Idromeno, në kohën e tij, ishte i pari e i vetmi që edhe temat religjioze i trajtoj me frymë dhe elemente kombëtarë dhe realistë.

Çuditem: Si nuk ke pritue me “lodhë trunin” e me gjetë hamendsime si: “Duhet të jetë bërë nga një mjeshter; OSE: i kanë çuar foton në Itali, OSE: ka shkuar e motra atje, OSE: ka ardhë mjeshtri në Shqipëri.”

Pyes: A thue, as me e kopjue prej fotografisë, nuk paska kenë në gjendje (i ngrati Kolë) sa me çue foton jashtë?

A MUND TË HIDHET POSHTË IDROMENO, ME TRI PSE?

Jam me ty, kur thue se s´asht “MIT”; por ama asht nji e vertetë historike dhe konfrontimi, që ti mundohesh t´i bajsh të trija veprave, hedh poshtë, vetë pretendimet tueja. Me këtë “sensacion”, ti ulë vehten se, si duket, drita e këtij dielli “të vret sytë” dhe e sheh me gjyslykë të zez, të mendjes. Nuk po flas për pasaktësinë e Luvrit, (përsëri një budallallek): “U bë në Luver restaurimi, por ka ndryshue vepra”.

Pyes: Pse fyen Luvrin? Si mundet Luvri me tjetërsue nji vepër, cilado kjoftë?

Atëherë, çka paska pritë me ba Luvri mbi ata mijra e mijra vepra që ka në gji??? Edhe këtë e mbron?

Skjaroj: Se në Akademinë e Venecies ka ndejë pak muej dhe tri vjetë pranë nji studios private. Për këtë shih çka kanë shkrue të tjerët (monografi apo artikuj). Ti nuk njeh jetën shkodrane të asaj kohe, dritën e diellin që gjallnon këtë qytet, zakonet, ...e sado pak, si piktor, ndër dy veprat edhe pse të gjinive të ndryshme, duhej të binte në sy se përshkohen nga drita karakteristike e qytetit e bile, duken sikur edhe portreti asht  pjesë e “Darsmës”.

Nji i huej, si ç´pretendon ti, nuk mund ti japë kurrsesi këtë frymë, ashtu si ç´nuk mund tia japin atë dritën karakteristike të Korçës, si ç´ia ka dhanë “Mio” i madh. Nji të huejit, as që i shkon mendja për zakonet shkodrane të kohës: Motra Tone, (Pse quhet motër? E nji të hueji? Si e mori këtë titull? Me…ose…ose?), me atë gjest lëvizje të dorës, me cep të degermisë (rrexë transparente e qendisun) mbulon fytyren, para nji kalimtari, që na nuk e shohim, por e ndjejmë. Shih edhe mënyren e punimit të dekorimeve e të kostumeve, në të dyja veprat.

I ashtuquejtuni “Naiviteti” i yt, i famshëm, asht si puna e asaj fjalës së urtë: Pështyj përpjetë e bie mbi fytyrë tande. Darsma Shkodrane, nuk asht “naive”, asht nji realitet i persosun i ritit të darsmës në qytetin tonë, tue iu përshtatë ligjeve të kompozicionit, ambientit, kostumeve dhe tipave, që ti i sheh të barabartë. Çuditem për sytë e nji piktori (po i lamë të tjerat). Tashti për këtë vepër, po të skjaroj me thanjet e mikut, shokut të ahengjeve dhe kojshisë së Kolë Idromenos, Kolë Gurashit (jam i sigurtë se, kur nuk njeh Kolë Idromenon, nuk ke se si njeh Kolë Gurashin). Unë, personalisht, jam mik i ngushtë i të birit, piktorit Ndoc Gurashi;  e Kolë Gurashi, kur ishte gjallë, më asht drejtue: “Kolë Idromeno ka punue nji variant të darsmës, atë të shtresave të ulëta (fukarejve), që e kanë marrë nusen në kambë. I kam tregue edhe Nardit (asht fjala për piktorin Ferdinand Paci) dhe eja edhe ti, që ti spjegoj zakonet e shtresave të mesme e të nalta (të pasunve), që i kanë marrë nuset në kalë e ma vonë me karrocë. Për dhetë vjet, Kola, “Darsmen” e ka mbajtë, të pa mbarueme, të vjerrun në mur, e me shtymje të herë mbas herëshme, dikur, e kapi në dorë dhe më thërret …e ….surprizë, e kishte perfundue”.

Tashti po kthehem te “Motra Tone”.

Të pyes, z. Mustafa: pse nuk e krahason me portretin tjetër, po të Motres Tone, por me veshje “allafrënga”?

Çuditem që nji piktor, të mos vërejë të njajtin pozicion të kokës, të njejtin drejtim të syve, të njëjtat dritë hije etj. (Shih albumin: “Mjeshtrit e pikturës shqiptare”, faqe 118 dhe 119 ku të dy portretet janë riprodhue përballë njeni tjetrit, ku çdo gja asht e kjartë).

Në lidhje me veshjen shkodrane, bahet nji gabim jo i vogël edhe prej ndonjenit, ma përpara. Termi “Velaturë” përdoret se ka punue “Velin transparent” (degerminë). Asht ma shumë mjeshtria e tij, për këtë arritje se sa teknika e velaturës rrembrandeske. Nejse! Nuk po futem në teknikat. Përballja që i ban “Motres Tone” me autoportret, asht sa absurde, aq edhe “naive”, sepse i pari asht punue në fillim të krijimtarisë së tij, ku sapo ishte kthye prej përshtypjeve të artit botnor, kurse i dyti, kah fundi i jetës së tij. Edhe ky me shtytjen e Kolë Gurashit. Asht zor ti unifikosh, se edhe Leonardi s´i ka pasë të gjitha veprat si “Xhokonda”. E tham përsëri: Sielli sytë tek piktorët tonë, mbas Idromenos, e më difto se, cili i ka të gjitha veprat të nji niveli?

Për “Dy rrugët”
Për qëllim për të cilin asht krijue kjo vepër, asht plotësisht e arritun (edhe këtë, ti, nuk ke se si me e dijtë). E porositun për të shoqnue “Misionin shëtitës” që në mungesë të meshtarëve, nëpër famullitë, jezuitët kishin krijue grupin që shkonte nëpër malësitë e thella, në rrugë kambësore, për të krye ritet fetare. Nuk do të hyj me spjegue permbajtjen e të gjithë skenave e grupeve të tabllosë, por “Dy rrugët” ndahen në atë të virtyteve dhe atë të veseve. Çdo figurë apo grup, asht nji tabllo në vehte. Në planet e para jepen veset e mëkatet që shoqnohen prej djemsh, nëpër derën e gjanë e drejtohen kah flakët e ferrit, ndërsa, në të ngushten naltohen kah qiella, virtytet, ku çdo grup shoqnohet prej engjullit rojtar, që i drejton drejt naltësisë qiellore ku gjindet trinia e shejtë: Zoti (pak e zorshme ta kuptosh).

Në grupin e ahengut, krahas figurave të shokëve ka vendosë në kambë, vehten, në profil. Nuk e kuptoj, se si të shkon mendja që këtë vepër ta quejsh “Naive”, kur jo vetëm nuk njeh arsyen e krijimit të saj, por hjedh poshtë e nuk vlerëson, se mbi këtë tabllo të madhe (170 x 200 cm) të vitit 1896, gjinden dhjetra tabllo të vogla (të përmasave të minjaturës) e që shkrihen me natyren shkambore gjatë dy rrugëve, ku përshkohen. (V.O. Shkambijtë janë plotësisht si të kodrës së Rozafës). Nejse! S´ke se si t´i njohësh!

Pyes vehten, përsëri, se si ka mundësi që ky piktor e studiues arti, nuk i ven afër edhe nji (krye) vepër siç asht “Të ikunit e Zojës së Shkodres“? Asht injorue prej komunizmit, për tematikën e s´asht përmendë kurr, por për fat të mirë, ka shpëtue (me damtime të lehta) dhe gjindet në Muzeun Dioçezan. Asht gjithçka (si në Darsmen) shqiptare. Peisazhi: Rozafa, Ura mbi Drinazë, Lagja rranxë kalasë, në orët e natës, kur dy shkodranët përcjellin figuren e “Zojës”. Këtu, do të skjaroj diçka, po prej bisedave me të ndjerin Kolë Gurashi: Veshja e dy personave asht e priftenve në kohë të turkut, jo pse ata kanë kenë priften, por për të ba dallimin nga njerzit e zakonëshëm. Asht nji lëshim që i lejohet piktorit, për arsyet e veta.

Çka do të thoshe ti për “Ferret” e shumta që për fat të keq janë zhdukë e s´dihet fati i tyne, ku, nder ta, në fytyrat e djemve ka vue portretet e komikëve të kohës, gja që e pohon aktori e gaztori i njoftun (jo nga ti, natyrisht), Zef Hilgega, në nji bejtë: Në më kërkojshi, më gjeni nën kambë të Shën Mëhillit… Kjo don me thanë se Zefi i ka pozue Idromenos për djallin.

Tashti, të kthehem te nji kryevepër (nuk e teproj me këtë perkufizim) që i ka pështue fatit të keq të asgjësimit, si statujat e tjera të shejtenve dhe sot, gjindet në Katedralen e Shkodrës, tek ajo e “Shën Mëhillit”. Asht me të vertetë, kryevepër, kjoftë për kompozimin, kjoftë për përshtatjen, kjoftë për realizimin perfekt të figurave, kjoftë për ngjyrosjen. Ka një histori tepër interesante, që për ta trajtue, meriton nji temë në vehte e do të shkojshe tepër gjatë. Edhe këtë përsëri, e kam të thanun nga Kolë Gurashi.

Të këshilloj që, kur të kesh kohë, ec e shihe këtë vepër e bindu se sa i rrin përball “Motres Tone”, bindu se asht dora e Idromenos që i ka ba të dyja, bindu se Idromeno ka ba edhe kryevepra tjera (edhe pse ti s´i njeh) dhe pendohu për blasfeminë që ban kundrejt nji kolosi dhe për damin që i ban artit shqiptar, tue vjellë helm, në menyrën ma të ultë.

Në mbyllje:
Kolë Idromeno nuk ka kenë as vagabond as batakçi që me përvetësue punen e tjerëve, e, sidomos të nji të huejit, e nuk do ta kishte pranue kurrë nji gja të tillë. Nuk ka pasë nevojë për emen se e ka krijue atë me punë dhe ka gëzue rrespektin e të gjithë bashkëqytetarëve të dy besimeve, aq sa janë mjaft shtëpi të projektueme prej tij, në lagjet myslimane e katolike.

Interesant! Gjatë historisë njerzore, diktatorët thonë: “Historinë e baj unë”. Si duket, edhe ty të pelqen me i imitue dhe thue me vehte: “Historinë e pikturës shqiptare e baj unë”. Hiqe mendësh! Përsëri: Më fal, por, ma detyrove vetë! Të faltë Zoti! (Shkodër, me 2 qeshor 2017)

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit

Grupi i deputetëve italianë përfundon vizitën në Shqipëri: Krah jush drejt BE-së! Përfshihuni në debatet brenda unionit