TIRANE - Merr fund aventura e dy motrave Kajtazi, të cilat ishin larguar nga banesa e tyre në Durrës prej 16 korrikut pa lënë asnjë gjurmë. Policia i gjeti motrat pas rreth një muaji në një banesë në qytetin e Vlorës të cilen e kishin marre me qera 130 mijë lekë të vjetra. Sipas Policisë vajzat durrsake Orialda 18-vjeçare dhe motra minorene nuk janë shfytëzuar nga askush dhe e kanë thurur planin e arratisë të vetme për tu hakmarrë ndaj prindërve, duke i hedhur qetesues ne ushqim, duke djegur shtepine e duke vjedhur parate.
 
Nga dëshmitë e dhëna në polici, të cilat A1 Report i mëson, vajzat e kanë “argumentuar” arratinë e tyre me faktin se nuk ndiheshin të lira në shtëpi. “Na mbyllnin brenda dhe nuk na linin të dilnim”, mësohet të jenë shprehur motrat. Sipas dëshmisë së tyre, thanë burimet nga policia për A1 Report, vajzat kishin pasur qëllimin e pastër për tu larguar nga banesa prindërore dhe për të mos u kthyer më, pasi "nuk i trajtonin mire dhe donin të bënin qejf". 

Pas një muaji në zonën bregdetare të jugut, vajzave i kishin mbetur edhe 1 milionë lekë të vjetra dhe 100 euro. Prindërit janë shprehur më herët në polici se motrat u larguan me 4 milionë lekë të vjetra dhe 800 euro, por në deklarimet e tyre motrat Kajtazi thonë se kishin marrë vetëm 2 milionë lekë dhe 300 euro. Nese nuk do te ishin lokalizuar nga polciia, vajzat nuk kishin asnje plan per tu rikthyer ne gjirin familjar.

Por cili është rrugëtimi i motrave Kajtazi dhe si u “kamufluan” duke u bërë bjonde?
Sipas policisë vajzat janë larguar në këmbë nga banesa e tyre në orët e vona të natës më 16 korrik dhe kanë fjetur në një hotel në Durrës. Një ditë më pas vajzat janë larguar me autobus në drejtim të qytetit të Vlorës. Fillimisht, motrat kane fjetur ne dy hotele, (18 deri me 22 korrik). Më tej kanë marrë një banesë me qira në katin e dytë të një pallati në lagjen "Osman Haxhiu" të qytetit bregdetar ku edhe kanë qëndruar gjatë gjithë kësaj periudhe kundrejt pagesës prej 130 mijë lekësh të vjetra.


pallati kajtazi me rreth
*Banesa ku qendruan me qera vajzat ne lagjen Kushtrimi ne Vlore

A1 Report meson se personi që i ka treguar shtëpinë vajzave u ka thënë: Mos pini alkool, nuk lejohet muzika e lartë. Jashtë kamerës pronari i shtëpisë Ermal Shehu thotë se ato ju përgjigjën: Pa merak, duam vetëm një banesë ku të qëndrojmë. Sipas policise, vajzat dilnin pak nga banesa ku qëndronin dhe frekuentonin ambiente që kishte shumë njerëz më qëllim që të mos pikaseshin. Nje deshmitar tha per A1 Report se ditën e djeshme i ka parë motrat në nje supermarket duke blerë ushqime.