Mozaiku, Droboniku: Nuk
duhej hequr ylli komunist

Josif Droboniku njëri nga pesë autorët e Mozaikut të Muzeut Historik në qendër të Tiranës nuk ka pranuar të prononcohet asnjëherë për çështjen e mozaikut. Kjo është një mënyrë proteste ndaj tentativës për ta prishur dhe degradimit aktual të tij. Duke e ditur këtë, këmbëngulëm më tepër, sepse edhe një ditë më parë të njëjtën formë proteste bëri autori tjetër Vilson Kilica, duke thënë për Shqiptarja.com se: "Nuk flas më për këtë çështje. Kam dy vjet që jam lodhur kot". Kështu, edhe autori Droboniku kishte vendosur se nuk do të shprehej asnjëherë për fatin e kësaj vepre, për qëndrimet dhe aktet në tentativë të prishjes së mozaikut. Megjithatë, dje, siç u shpreh edhe vetë "duke iu përulur profesionit të nderuar të gazetarit, që do ta vlerësonte ashtu siç do të donin të vlerësonin profesionin e tij", u prononcua shkurt dhe prerë, duke mos mundur herë pas here ta fshihte zemërimin e tij.
"Ne duhet ta kuptojmë dhe ta nderojmë çdo profesionist në fushën e vet. Të gjithë duhet ta kuptojnë se fjala e profesionistit duhet dëgjuar. Nuk shkojmë asgjëkund nëse do t'i politizojmë edhe mjeshtëritë e profesionet. Kjo është duke u bërë tani në Shqipëri. Mozaiku është një vepër arti. Disa duan ta shkatërrojnë se është mozaik komunist. Të realizosh mozaikë, afreske, ikona, do të thotë se është një veprimtari sipërmarrëse komplekse, pra marrëdhënie me arkitektë, me përgjegjës monumentesh kulture, me mjeshtër e muratorë, me instrumente e ngjyra, me penelat e mjete të tjera klasike, me ndjenjat dhe emocionet", tha Droboniku, ndërsa ndër të tjera shtoi se "Po. Vërtetë mozaiku është një vepër e realizmit socialist. Më e mira që do të thoshit ju si gazetar apo ta bënte ndonjë specialist i artit dhe i kulturës është që të përcaktonin nëse është bërë vërtetë mirë apo keq si vepër përfaqësuese e metodës së realizmit socialist. Ky do të ishte vlerësimi i duhur. Vepra e tillë është, e tillë ka qenë, e tillë do të mbetet, por edhe duhet theksuar se është bërë nga njerëz të talentuar e me mjeshtëri të lartë si e tillë. Kaq mjafton për ta thënë." Ndërsa e pyesim se si do t'u përgjigjej disa shkrimeve rreth mozaikut që janë kundër imazheve dhe konvencioneve të kohës, të cilat mund të ngacmojnë përjetime të hidhura nga koha e komunizmit, artisti Droboniku tha se: "Sigurisht nuk është e lehtë të punosh duke u detyruar të ndjekësh dhe të respektosh konvencionet e kohës. Ato janë në një farë mënyrë pranga për krijuesin, po talenti i një artisti, ku me shumë respekt do të flisja edhe për talentin e kolegëve të mi, i kapërcen nëpërmjet mjeshtërisë së linjave, aftësisë së kompozimit, përgatitjes teknike dhe artistike që kanë artistët". Ndaj nuk ka asnjë arsye që në secilën epokë të bëhet, një vepër që ruan linjat e sipërpërmendura të mos jetë e qëndrueshme si vepër arti.
"Për mua edhe ylli nuk duhej hequr, ç'duam të themi me këtë, që nuk e kemi jetuar për 50 vjet komunizmin dhe vetëm kemi pasur muzeun. Po pse nuk e shembën dhe muzeun, meqë është i asaj kohe", tha i irrituar artisti, duke pasur parasysh se ideja për heqjen e një prej veprave simbol të realizmit socialist ndau opinionet pro dhe kundër në ata që mendonin se duhej hequr kjo gjurmë ideologjike e së shkuarës si një shenjë e keqe, dhe të tjerë që këmbëngulën të rrijë aty ku është, pikërisht për të mos e fshirë të shkuarën e epokës kur u ngrit një diktaturë. I pyetur nga gazeta që, nëse abstenon që t'u apelojë institucioneve për çështjen e mozaikut, gjë të cilën e bën si shenjë proteste, si mund të ndikojë për një koncept të qartë të opinionit publik në çështjen e besimit se a ka vërtetë vlera artistike mozaiku, ai përgjigjet prerë dhe qartë: "Thuajuni ju gazetarët publikut që ta kuptojë se çdo vepër arti, brenda ekzekutimit të çdo epoke apo ideje të mishëruar në të ka brenda lirinë e çdo artisti që mund të jetë një liri interpretative. Ç'të them më tepër."
Sipas Drobonikut mozaiku duhet të qëndrojë si vepër që përfaqëson epokën e komunizmit. "Janë gjëra që nuk duhen hedhur poshtë. Vepra nuk u bë me vullnetin tonë dhe pavarësisht se ka tematikën e kohës, për mua ka vlerë të qëndrojë ashtu siç është. Madje për mendimin tim, nuk duhej të hiqej as ylli. Këto janë veprime jo thjesht të politizuara por të papjekura", tha ai.
Për artistin papjekuria më e madhe e një institucioni ose drejtuesi të saj është kur jep urdhër për të futur duart në një vepër arti, që u përket të tjerë autorëve. Lind pyetja a kanë më të drejta autori ata që krijuan në realizmin socialist? Cili ligj ua heqka këtë lloj të drejte? Për Drobonikun normat dhe ligjet janë shkelur që kur është bërë ndërhyrja e parë pa u pyetur autorët. Pavarësisht nga tematika që ka ky mozaik, është një vepër arti që mbart me vete dhe të drejtën e autorësisë krijuese.
( Ne foto mozaiku para restaurimit ne 2008,kur iu hoq ylli)
(sg/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Kumti letrar i Ismail Kadare’, sonte në 22:00 ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca në Report Tv

‘Kumti letrar i Ismail Kadare’, sonte në 22:00 ‘Elektroshok’ nga profesor Ardian Ndreca në Report Tv