Gjate punimeve te konferences se ambasadoreve ne Tirane
PRISHTINE, 6 Korrik/ATSH-B.Jashari/- "Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën kanë një karakter specifik", citohet ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, në një njoftim të MPJ-së kosovare nga Konferenca e Ambasadorëve të Shqipërisë, ku bëhet e ditur se zv/ministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi ishte i ftuar si panelist.
"Organizimi për herë të parë i mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive tona dhe nënshkrimi i deklaratës së partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës, shënojnë një fazë të re të një kuadri të veçantë dhe më të lartë të arritur në marrëdhëniet tona. Bashkëpunimi ynë me Kosovën është strategjik për ne, stabilizues për rajonin dhe orientues për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike", ka thënë ministri i Bushati.
Sipas njoftimit, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në hapje të konferencës tha se Shqipëria do t'i vazhdojë përpjekjet dhe aksionin e saj rajonal dhe ndërkombëtar, për të krijuar kushtet dhe konsensusin e anëtarësimit të Kosovës në nismat rajonale.
Zv/ministri Selimi parashtroi përfitimet dhe rëndësinë e investimit në diplomaci publike dhe dixhitale si përforcuese të përçimit të mesazhit pozitiv dhe inkurajues për investitorët dhe në këtë aspekt përmendi edhe projektet e përbashkëta të MPJ të Kosovës me ato të Shqipërisë, Norvegjisë, Britanisë së Madhe. Selimi tha se, "përpjekjet e dy vendeve tona për të ndryshuar imazhin dhe për të hapur një faqe të re të rritjes ekonomike dhe konsolidimit të procesit të integrimeve evropiane mund të jenë edhe më të suksesshme nëse ka bashkëpunim aktiv dhe shkëmbim në mes të dy ministrive simotra edhe në fushën e komunikimit dixhital, ku efekti kumulativ i komunikimit tonë me botën dhe sidomos me investitorët është përforcues nëse bëhet në koordinim me njëri tjetrin, në Prishtinë dhe Tiranë"./a.gjonaj/