1 nëntori ishte afati i fundit, për të gjithë të pastrehët që kanë zënë shtëpitë e pronarëve të ligjshëm, që t'i lironin ato. Kategoria e këtyre qytetarëve që lënë këto shtëpi mund të përfitojnë kredi me interes 0 me afat 30-vjeçar, të vendosur në dispozicion nga ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, me qëllim që të blejnë një banesë të re. Dy ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e të pastrehëve, të cilët synonin të mbanin shtëpitë ku jetojnë aktualisht. Kjo kategori qytetarësh njoftoi se do të apelojë urgjentisht në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, por ndërkohë qeveria duket e vendosur t'u dorëzojë objektet pronarëve të ligjshëm.
Akti normativ i miratuar nga qeveria më datë 1 gusht të këtij viti parashikon që ata të pastrehë që nuk liruan banesën deri ditën e djeshme, do të nxirren nga Përmbarimi Gjyqësor, i cili do të kthejë pronën te pronari legjitim. Pas ekzekutimit të titullit ekzekutiv, kategoria e të pastrehëve trajtohen me strehim në banesa sociale nga këshillat bashkiakë, duke pasur përparësi në programet e banesave sociale për qira. Këshillat bashkiakë të bashkive përkatëse, brenda datës 15 nëntor 2012, do planifikojnë numrin e banesave, kur objektet janë me fonde të tyre, sipas vendimeve të qeverisë.
Për financime me fondet e pushtetit qendror, akti përcakton që këshillat bashkiakë duhet të shpërndajnë të paktën 1/2, e kuotës për këtë kontingjent. Nga lista e hartuar nga ministria e Transporteve llogariten rreth 3.200 banesa në të cilat jetojnë qytetarë të pastrehë dhe jo pronarët e tyre, të cilëve u takon prona, që e humbën gjatë regjimit komunist.
PROCEDURAT
Në rast se prona do të rezultojë e zënë, aplikimi nga pronari do të kryhet si më poshtë: Për pasuritë e paluajtshme pronë private të zëna edhe pas datës 1 nëntor 2012, me adresë në bashkitë Durrës, Shijak, Kavajë, kërkesa duhet të depozitohet nga pronari/bashkëpronari drejtuar Drejtorisë Rajonale Durrës të EKB-së. Për pasuritë e paluajtshme në rrethin Shkodër, kërkesa duhet të depozitohet pranë Drejtorisë Rajonale të këtij qyteti. Ndërkohë, në bashkitë Korçë (përfshirë rrethinat), Ersekë, Bilisht dhe Pogradec kërkesa duhet të depozitohet në Korçë.
Për pasuritë e paluajtshme në bashkinë Vlorë, kërkesa duhet të depozitohet në Drejtorinë Rajonale të këtij qyteti; ato në bashkitë Berat, Çorovodë, Kuçovë, Ura Vajgurore dhe Poliçan, në Berat; ato në bashkitë Elbasan, Peqin dhe Librazhd, në Elbasan; ato në bashkitë Fier, Roskovec e Ballsh, në Fier; ato në bashkitë Gjirokastër, Libohovë, Këlcyrë, Përmet, Sarandë e Delvinë, në Gjirokastër.
Për pasuritë e paluajtshme pronë private të zëna edhe pas datës 1 nëntor 2012 me adresë bashkitë Peshkopi e Burrel, kërkesa duhet të depozitohet nga pronari/bashkëpronari në Degën Rajonale Dibër të EKB-së; ato në bashkitë Lezhë, Rrëshen e Krujë në Lezhë, ndërkohë që për pasuritë në bashkinë Tiranë dhe në çdo bashki tjetër të papërmendur më lart kërkesa duhet të depozitohet nga pronari/bashkëpronari në Drejtorinë Qëndrore pranë drejtorisë së përgjithshme të Entit Kombëtar të Banesave në kryeqytet.
MPPT udhëzon që kërkesa të depozitohet ne drejtorinë përkatëse nëpërmjet Postës Shqiptare, nëpërmjet shërbimit postar rekomande, me lajmërim marrje.
(ad.ti/shqiptarja.com)