BEOGRAD - Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkiç ka thënë se Serbia nuk do të pranonte kushtëzimin e BE-së, që Serbia ta njohë Kosovën me kusht që të hyjë në BE.

“Do t'u themi: Faleminderit shumë. Nuk duam të hyjmë në BE”.

“Njëra nga çështjet më të vështira në negociatat e Serbisë me BE-në do të jetë Kosova, kurse qëllimi i Beogradit është të mundësohet, që në Kosovë jeta e përditshme të rrjedhë normalisht dhe të mos hetohen dallimet themelore politike lidhur me çështjen e statusit”, ka thënë Mrkic.

Mrkic, sipas Tanjugut, është shprehur i lumtur që Serbia do të fillojë negociatat për anëtarësim ne BE, atëherë kur Greqia do të jetë kryesuese e Bashkimit Evropian.

Duke komentuar formulimin nga projekti i kornizës negociuese të BE-së se “është i domosdoshëm normalizimi i gjithanshëm i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, Mrkic ka thënë se “as në Bruksel nuk mund të gjendet dikush që do të përgjigjej në mënyrë preçize për pyetjen, se çfarë do të thotë kjo”.

Sipas tij, çështja është se “në BE thonë se nga Serbia nuk presin ndryshim të politikës, kurse Serbia as nuk planifikon ta bëjë një gjë të tillë”.

Ministri serb hedh poshtë mundësinë, që Serbisë në të ardhmen t’i paraqitet si kusht kërkesa për njohjen e Kosovës

"Mos mendoni se në një pikë të caktuar kohore do të na paraqitet kushtëzimi: “Serbia nuk do të hyjë në BE, në qoftë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës’. Ne do të themi: ''Faleminderit shumë, nuk duam të hyjmë në BE’, dhe kjo është e qartë për të gjithë".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)