Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani i ka përcjellë urimet e tij presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Kosovës dhe BE-së.

Nëpërmjet një bisede telefonike, Nishani e ka cilësuar marrëveshjen një moment historikë për Kosovën dhe një gur themeli për integrimin e mëtejshëm të saj.

“Nënshkrimi i  kësaj marrëveshjeje është një mbështetje dhe shprehje e fuqishme e besimit europian ndaj institucioneve të Kosovës, një gurthemeli për integrimin e përparimin e mëtejshëm të saj në strukturat europiane e euro-atlantike”,  ka thënë Kreu i Shtetit.

Ai shprehu besimin se ky moment do të shërbejë si nxitje dhe katalizator për vazhdimin e reformave të guximshme e të domosdoshme në të gjitha fushat.

Sipas Nishanit përfshirja institucionale e Kosovës në qasjen europiane nëpërmjet nënshkrimit të MSA është një lajm i shkëlqyer edhe për të gjithë rajonin tonë, për të ardhmen e përbashkët europiane si dhe për paqen, stabilitetin dhe ripajtimin në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu Kreu i Shtetit shprehu besimin për anëtarësimin e pritshëm të Kosovës në UNESCO më 9 nëntor, dhe në organizata të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, duke e siguruar njëkohësisht presidenten Jahjaga për mbështetjen e plotë të Shqipërisë në çdo hap.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)