TIRANE - Të gjithë profesionistët e shëndetësisë të cilët nuk kanë plotësuar numrin e kreditove të përcaktuara me VKM do ti nënshtrohen testit të ricertifikimit pasi nuk mund të futen në provimin e përgjithshëm. Kështu është vendosur sot nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, i cili ka zhvilluar sot një mbledhje me Bordin e Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shqipërisë dhe me përfaqësues të Universitetit të Mjekësisë.

Pjesë e kësaj mbledhjeje ishin edhe  Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë, Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, për të diskutuar modalitetet e provimit të ricertifikimit për profesionistët e shëndetësisë që nuk kanë përmbushur detyrimet e programit pesë-vjeçar të ricertifikimit 2010-2014.

Nga analiza paraprake e të dhënave të programit të ricertifikimit rezulton se: 1800 mjekë ose 36% e të gjithë trupës mjekësore në vend, 606 farmacistë ose 28% e numrit të gjithë farmacistëve në vend, dhe 1096 dentistë ose 52% e të gjithë dentistëve në vend që punojnë në sektorin publik dhe jopublik të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për mbledhjen e krediteve të edukimit në vazhdim.

Në mbledhjen e Bordit u vendos:

Brenda gjashtë muajve, duke filluar që nga data 15 prill 2015, kur edhe do shpallen emrat e profesionistëve që do t’i nënshtrohen provimit, profesionistët që nuk kanë përmbushur detyrimet duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit.

Të miratohet Rregullorja e provimit të ricertifikimit për profesionistët e sipërpërmendur të shëndetit brenda muajit mars 2015.

Brenda datës 15 prill 2015, urdhrat e profesionistëve dhe fakultetet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, në bashkëpunim me shoqatat e profesionistëve të shëndetit do të hartojnë programet orientuese për të gjithë kategoritë e profesionistëve që do të duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit.

Brenda datës 15 prill 2015, QKEV-ja do të bëjmë me dije të gjithë emrat e profesionistëve që duhet t’i nënshtrohen këtij provimi.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)