MSH përcakton
shportën e ilaçeve bazë

MSH përcakton<br />shportën e ilaçeve bazë
TIRANE- Pas mungesave të herëpashershme të ilaçeve në spitale dhe fenomen i njohur ky në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar tashmë shportën bazë të barnave. Kjo do të thotë që çdo pavijon në QSUT duhet të ketë medikamentet bazë që përmban kjo shportë duhet të gjenden në pavijone dhe në farmaci në mënyrë që pacientët të mos shkojnë për të blerë ilaçet në farmacitë pranë këtyre institucioneve shëndetësore. Sipas përzgjedhjes së bërë nga Ministria e Shëndetësisë, kjo shportë do të ketë 560 medikamente esenciale të shërbimeve të QSUT që nuk duhet të mungojnë përgjatë gjithë vitit.

E mbi këtë liste do të shtohen barnat e tjera të propozuara nga shefat e shërbimeve sipas nevojave të tyre për trajtimin e pacienteve. Rreth 40 milionë euro është buxheti për blerjen e barnave këtë vit, por meqenëse lista është shtuar me të paktën 15% Ministria e Shëndetësisë ka kaluar në filtër kontrolli propozimet. Ardiana Çapi, Drejtore e Drejtorisë Farmaceutike, sqaron se janë verifikuar nevojat e çdo shërbimi dhe numri i pacienteve që të mos krijohen stoqe barnash që skadojnë për shkak të mos përdorimit. “Kërkesat bëhen nga shefat e shërbimeve. Mund të them se nuk ka funksionuar shumë mirë filtrimi i këtyre kërkesave, duke pasur përballë faktorin ekonomik, pra buxhetin.

Është e nevojshme të behët llogaritja e gjendjes sepse për ndryshe krijohen stoqe dhe bari shkon drejt skadencës” thekson Çapi. Sipas saj, shporta e barnave për spitalet është e njëjtë me shportën e barnave ushqimore që llogariten në çdo familje, ndaj kjo shportë me barna është e domosdoshme në çdo moment për stafin mjekësor. Sipas Çapit çdo shef shërbimi ka të drejtën të përshkruajë në listën e tij kërkesat, por ato do të rishikohen dhe do të krahasohen edhe më përdorimin e barnave në vitet e kaluara.

“Bëhet fjalë për barna të cilat kanë lëvizshmëri shumë të madhe, por ka edhe barna që ka lëvizje të ngadaltë. Siç kemi një shportë ushqimesh, ashtu kemi edhe një listë esenciale të barnave për përdorim spitalor” nënvizon Drejtorja e Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë. Nga ana tjetër, pak ditë më parë Ministri i Shëndetësisë hodhi dyshime mbi propozimet e shefave të shërbimeve për medikamente që nuk kanë alternativa në treg dhe ku blerja është më e shtrenjtë.

Pas miratimit të listës për barnat e rimbursueshme dhe për përdorim spitalor, nis edhe tenderimi i tyre në muajin prill për të mbuluar gjithë vitin. Ndërkohë për spitalet e rretheve dhe poliklinikat, kjo shportë do të ketë një numër më të pakët barnash, pasi edhe llojet e sëmundjeve që trajtohen në to janë më të pakta, por në buxhetin e tyre duhet të parashikohet që këto barna të jenë prezente.

Shkrimi u publikua sot (25.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti

Korçë/ Zjarr në pyllin e Bodës në Maliq, zjarrfikësit po përpiqen të izolojnë vatrat! Në terren mbërrin edhe prefekti