Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës reagoi sot ndaj deklaratave të deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka.
"Duke marrë shkas nga disa komente mbi deklaratat e ministri Haxhinasto, gjatë vizitës së tij në Aeroportin e Kukësit, sqarojmë se ministri është shprehur qartë se "aktualisht jemi në fazën përfundimtare të negociatave për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare të Aeroportit të Tiranës, që përfshin vënien e menjëhershme në punë të Aeroportit të Kukësit, pas disa ndërhyrjeve për ta bërë atë funksional", thuhet në reagimin e Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës.
Sipas MTI, "operimi i këtij aeroporti do të kërkojë mbi 200 të punësuar nga qyteti i Kukësit dhe njësive vendore përreth tij, një zhvillim shumë pozitiv për gjithë qytetarët e Kukësit, pavarësisht përkatësisë politike".
"Përsa i takon çështjes së ujësjellësit të Kukësit, sqarojmë se ky projekt ka pasur problematika të mëdha, të cilat janë në shqyrtim nga ana e Prokurorisë", thekson MTI. "Fakt është që ky ujësjellës e ka të domosdoshëm investimin e fazës së dytë të tij për të riparuar të gjithë defektet dhe për ta bërë ujësjellësin funksional. Investimi prej 187 milion lekë është i nevojshëm për të riparuar defektet e mëparshme me qëllim garantimin e furnizimit me ujë për mbi 40 mijë banorë, me kapacitet 250 litra në sekondë për shtatë ditë të javës", vijon reagimi i MTI.
"Shqetësimi kryesor për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës mbetet furnizimi me ujë i banorëve të Kukësit, ndërsa me problematikën ligjore të zbatimit të fazës s ë parë të projektit, janë duke e trajtuar organet e drejtësisë", përfundon reagimi i MTI. /atsh/