MTKRS: Dhënia me qira e monumenteve
me qëllim rijetëzimin e tyre

MTKRS: Dhënia me qira e monumenteve<br />me qëllim rijetëzimin e tyre
TIRANE - Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka replikuar pas reagimeve kundërshtuese në media për dhënien me qira të monumenteve të kulturës, duke thënë se partneriteti me sektorin privat është në funksion të rijetëzimit të tyre.

Në një deklaratë për mediat, MTKRS bën me dije se dhënia me qira bëhet me qëllim zhvillimin e projekteve dhe iniciativave në të mirë të monumenteve dhe trashëgimisë kulturore. “Në asnjë rast, në udhëzimin e miratuar nga MTKRS, nuk flitet për dhënie me koncesion, shitje apo privatizim të monumenteve të kulturës.

Çdo shprehje e tillë është tendencioze dhe me qëllim dezinformimin e publikut për qëllime të pastra apo të papastra elektorale”, thuhet në deklaratën për mediat. MTKRS ka përgatitur një dokument udhëzues lidhur me procedurat teknike për dhënien me qira të Monumenteve të Kulturës.

Ky dokument përcakton në mënyre të qartë të gjitha procedurat që duhet të ndiqen, duke specifikuar se projektet e rijetëzimit hartohen nga institucionet përgjegjëse për administrimin e trashëgimisë dhe miratohen nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, i cili është një organ kolegjial që përbëhet nga specialistë të fushës së monumenteve të kulturës edhe jashtë institucioneve shtetërore.

Sipas MTKRS, dhënia me qira kryhet nëpërmjet një procesi të detajuar konkurrimi midis subjekteve të interesuara, ku fokusi vendoset në mbrojtjen dhe administrimin e monumentit. Propozimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës është për 22 objekte, nga të cilat, 19 janë kala dhe 3 janë hamame.

Kalatë që janë pjesë e listës paraprake për t’u dhënë me qira tek bizneset janë: Kalaja e Beratit; e Shkodrës; e Delvinës; e Këlcyrës; e Pogradecit; e Kepit të Rodonit; e Kardhiqit, Libohovës dhe e Melanit në Gjirokastër; e Borshit në Sarandë; e Bashtovës në Kavajë; e Porto-Palermos; e Kaninës dhe e Pllocës në Vlorë; e Peqinit; e Ali Pashës në Xarë të Sarandës; e Ali Pashës në hyrje të Vivarit në Sarandë; Kalaja e Petrelës, etj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi