Shqipëria jonë e pasur me bukuri natyrore, art, kulturë e traditë ka gjithashtu një kuzhinë të larmishme, e cila përfaqëson edhe një pjesë të identitetit tonë. Një nisëm që synon promovimin e saj në arenën ndërkombëtare është ndërmarrë së fundmi nga Platforma AlbChef, e cila për herë të parë bën bashkë shefat shqiptarë të kuzhinës kudo në botë, në një edicion që synon ta vendosë kuzhinën shqiptare në hartën ndërkombëtare të gastronomisë. Organizimi “Muaji i Kuzhinës Shqiptare në Botë”, ka nisur në fillim të nëntorit dhe do të zhvillohet përgjatë gjithë muajit. Ky event është shtrirë në qytete të ndryshme në Romë, Athinë, Berlin, Madrid, Kopenhagen dhe shumë qytete të tjera. Një ndër organizatorët kryesorë, shefi i njohur i kuzhinës Sokol Prenga i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, foli më me detaje për organizimin.
“Ne kemi mjaftueshëm larmishmëri në kuzhinë për të ofruar. Ideja për ta nisur këtë rrugëtim ka qënë gjithmonë me ne, e kemi bërë në restorante të ndryshme, duke organizuar darka shqiptare midis nesh, por këtë rradhë menduam ta bëjmë më të madhe duke përfshirë shumë shqiptarë që janë kuzhinier ose pronarë të restoranteve në botë”, u shpreh Prenga.
Ai shpjegoi gjithashtu se hapja e këtij aktiviteti u bë në Milano, në një qendër që e menaxhojnë shqiptarët, pjatat tradicionale të vendit u prezantuan fillimisht aty dhe më pas ky event do shtrihet në 12 qytete të tjera të botës, madje do të shkojë deri në Kinë, në Shen Zen, ku një shqiptar që punon aty kuzhinier do organizojë darkën shqiptare.
“Pjesë e programit janë mbrëmje gala, evente degustimi dhe “pop-up dinner” ku çdo pjatë do të jetë një histori më vete që do të flasë për kulturën dhe natyrën shqiptare. Verërat e përzgjedhura nga kantinat shqiptare nga të gjitha trevat do të shoqërojnë menutë e krijuara për këtë rast, duke plotësuar përvojën e degustimit me aromat dhe karakterin e tokës ku janë prodhuar”, u shpreh Prenga.
Kjo nisëm nuk ka lënë jashtë publikun, i cili gjithashtu është bërë pjesë e degustimit të pjatave që përgatiten nga duart e shefave shqiptarë.
“Ne besojmë se ushqimi është më shumë se një nevojë fizike, është kulturë, kujtim, identitet dhe krenari”, përfundoi Sokol Prenga.
Komente












