Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, ka treguar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori rëndësinë e muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili fillon ditën e nesërme.
Gurra tha se njeriu për nga natyra është mëkatar dhe ka nevojë që të gjejë rrugën për te Zoti, adhurimi i të cilit sipas tij, është edhe qëllimi kryesor i jetës.
Ai bëri një paralelizëm të muajit të Ramazanit me shiun që bie rrallë në shkretëtirë. Sipas Gurrës, ashtu si shiu që pastron rrugët, edhe muaji i shenjtë i Ramazanit lan mëkatet e qytetarëve.
“Feja në vetvete është këshillë dhe kujtesë. Njeriu në natyrën e vet e ka të nevojshme kujtesën për atë se cilat janë rrugët më shkurtra për te Zoti. Dhe një nga kohët më të përshtatshme, më të volitshme dhe më të pranuara është muaji i Ramazanit, i cili starton nesër. Sot ka qenë dita e parë në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ndërkohë që shumica e vendeve myslimane e kanë nesër. Ramazan në kuptimin gramatikor, është momenti i atij shiut që bie në shkretëtirë, që ka qenë shumë i rrallë në ato vende dhe lan apo pastron të gjitha pluhurat e rrugëve. Dhe kjo vjen në jetën e besimtarit apo besimtares si një kohë që i dyuhet që shërben për largimin e shumë gabimeve dhe gjynaheve që ndodhin në mënyrë të vetëdishme apo të pavetëdijshme. Çdo bir i Ademit është gabimtar në një kohë apo në një mënyrë të vetën dhe e ka të obligueshme drejtimin te Zoti”, tha mes të tjerash Gurra.
Kujtojmë se teksa nesër nis muaji i bekuar i Ramazanit, politika shqiptare uroi gjithë besimtarët myslimanë për këtë ritual të fesë Islame.
Komente










