Një nismë e veçantë është ndërmarë nga xhamia ‘Ebu Beker’ në Pogradec ku për gjatë gjithë muajit të Ramazanit po ofrohet bukë falas për rreth 100 familje të cilat kanë probleme ekonomike. Pa dallim besimi çdo person i cili është në vështirësi ekonomike mund të shkojë pranë furrës së bukës në rrugën e spitalit për të marrë bukë.

Imami i xhamisë Mirel Mazelli është shprehur se kjo është një nismë modeste e cila synon ti vijë në ndihmë atyre që nuk kanë mundësi.

“Besimtarët e xhamisë ‘Ebu Beker’ u sodalirizuan dhe mblodhën disa fonde modeste për njerëzit në nevojë. Vendosëm që në një furrë buke në qytet, që çdo njeri që ka nevojë të shkojë të marrë pjesën e tij ditore.  Kjo ka qenë një nga nismat më të bukura në muajin e begatë të Ramazanit", thotë Imami Mirel Mazelli.

Ndërkohë më tej ai i ka bërë thirrje besimtarëve që në këto ditë të fundit të Ramazanit të japin për familjet e varfra apo njerëzit në nevojë.