Sipas astrologes Denisa Shyle, e ftuar në “Rreze Dielli” në Report Tv, korriku është ndër muajt më të vështirë të vitit. Jemi nën ndikimin e retrogradës së Neptunit, Saturnit dhe Mërkurit, të cilët pritet të shtojnë tensionet dhe t'i bëjnë shenjat më gjaknxehta dhe impulsive.

Shyle shpjegon se gjatë këtij muaji do të kemi Hënë të Re dhe Hënë të Plotë, të cilat do të sjellin qartësi, por edhe dualitet, duke bërë që situatat të mos zgjidhen aq lehtë.

"Një këshillë që do të jepja është të ruani qetësinë, pasi retrograda e Mërkurit në Gaforre mund të sjellë trazira në raportet familjare. Binjakët dhe Virgjëresha do ta ndiejnë më fort këtë ndikim", shpjegoi astrologia.

Dashi

Përballeni me kriza identiteti, sidomos në marrëdhënie. Do të ketë pakënaqësi dhe ndryshime në dinamikat familjare, por mund të gjeni një mbështetje që nuk e kishit imagjinuar. Karriera favorizohet, ndërsa edhe në dashuri do të keni fat. Nëse ju vjen një ofertë e mirë pune, firmoseni pas datës 24 korrik.

Demi

Ndikimet më të rëndësishme do t'i ndieni në pjesën e parë të muajit, kryesisht në karrierë dhe në marrëdhëniet familjare. Hiqni dorë nga gjithçka që nuk ju bën të lumtur. Pas datës 8 korrik situatat do të lehtësohen. Dashuria dhe financat favorizohen, ndërsa në karrierë ky është një nga muajt më pozitivë për ju. Tregoni kujdes vetëm në raportet familjare.

Binjakët

Gjatë këtij muaji mund të mbani mëri ose të keqkuptoni situata të ndryshme. Përpiquni të kuptoni mirë çfarë po ndodh përpara se të merrni vendime. Do të kuptoni cilat bashkëpunime ia vlejnë të vazhdojnë. Karriera favorizohet dhe do të keni zhvillime të shumta, si edhe mundësi për të realizuar plane afatshkurtra. Edhe komunikimi do të jetë më i ngrohtë dhe romantik.

Gaforrja

Pas një periudhe reflektimi mbi identitetin tuaj, këtë muaj do të kuptoni se cilat marrëdhënie ndikojnë pozitivisht në karrierën tuaj. Do t'i shihni njerëzit me një këndvështrim më të gjerë dhe mund të rikthehen persona apo situata nga e kaluara. Është një muaj me fat, por duhet të dini ta shfrytëzoni duke zgjedhur efikasitetin.

Luani

Keni fat gjatë këtij muaji, por duhet të tregoni kujdes me krenarinë e tepruar. Fokusohuni te zhvillimi personal. Intuita juaj do të jetë shumë e fortë dhe kjo do t'ju ndihmojë të shëroheni emocionalisht, ndërsa në karrierë priten ngritje.

Virgjëresha

Do të jetë një muaj i ngarkuar dhe lodhës. Do të rihapen tema që lidhen me jetën sociale dhe duhet të tregoheni përzgjedhës me njerëzit që ju rrethojnë. Do të kuptoni se kush ju ka mbështetur vërtet në karrierë. Edhe në jetën sentimentale priten ndryshime pozitive dhe do të realizoni disa nga ëndrrat tuaja.

Peshorja

Po kaloni një periudhë "bardhë e zi", e cila ju ka ndihmuar të kuptoni rëndësinë e balancës. Kjo do të ndikojë pozitivisht në jetën profesionale dhe do t'ju rikthejë mundësi të rëndësishme. Do të merrni propozime si në planin profesional, ashtu edhe në atë personal, ndërsa shumë ëndrra mund të bëhen realitet.

Akrepi

Duhet të jeni të kujdesshëm dhe të mendoni mirë çdo hap. Ky mund të jetë një nga muajt më pozitivë për ju. Do të fokusoheni te rritja profesionale, ndërsa edhe jeta sentimentale favorizohet. Do të udhëtoni më shumë, do të përparoni në karrierë dhe kjo do të reflektohet edhe në të ardhurat tuaja.

Shigjetari

Kalimi i Jupiterit në Luan sjell ndikime pozitive, por duhet të kontrolloni impulsivitetin. Do të realizoni shumë ëndrra dhe do të udhëtoni shpesh. Shëndeti kërkon më shumë vëmendje, ndaj mos e teproni me aktivitetin fizik. Do të nisni projekte të reja, do të zgjeroni horizontin tuaj dhe edhe në dashuri do të keni zhvillime pozitive.

Bricjapi

Pas krizave të identitetit dhe ndryshimeve në familje, ky muaj do t'ju sjellë më shumë qartësi. Jeta juaj po merr formën që keni dëshiruar. Vetëbesimi është rritur dhe në jetën sentimentale do të pranoni pranë vetes njerëz që ju japin qetësi dhe energji pozitive.

Ujori

Do të jetë një muaj sfidues dhe temperaturat e larta mund t'ju lodhin më shumë se zakonisht. Dinamikat familjare do të ndryshojnë dhe do të kuptoni më qartë çfarë kërkoni nga jeta. Mbështetja e Uranit ju favorizon, ndaj përmes komunikimit mund të arrini gjithçka që dëshironi.

Peshqit

Kjo është një periudhë me fat për ju. Bëni gjërat që ju bëjnë të lumtur. Priten ndryshime në karrierë, familje dhe në marrëdhëniet personale. Në punë do të keni mbështetje si nga familja, ashtu edhe nga miqtë. Nëse po mendoni të udhëtoni ose të ndryshoni vendin e punës, korriku është një muaj shumë i favorshëm. E vetmja sfidë lidhet me rikthimin e mundshëm të ish-partnerëve në jetën tuaj. Tregoni kujdes dhe shikoni përpara.