Muçi Shaljani (Sheqeri), që mbeti i plagosur rëndë në atentatin që i mori jetën Gilmando Danit shumë afër aeroportit të Rinasit, ishte prej shtatorit punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, 40-vjeçari vijon të jetë në gjendje të rëndë, i intubuar në reanimacion në Spitalin e Traumës, me 10 plumba në trup, njërin  prej të cilëve e ka në kokë.

Prania e tij, duke qenë pjesë e Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, në një makinë me një prej personazheve më të njohur të botës së krimit, ngre dyshime të forta.

Sipas verifikimeve të deritanishme, shkeljet janë të rënda për mënyrën e rekrutimit të tij në Agjencinë që heton punonjësit e policisë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se Shaljani ishte bërë pjesë e AMP-së me një kontratë provizore pune për 3 muaj në shtator, periudhë në të cilën institucionin e drejtonte Artiol Saliasi, i komanduar, e cila përfundon në mes të muajit dhjetor. Burime pranë DSIK-së, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së, bëjnë me dije se Sheqeri nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie dhe as të ketë aplikuar për të.

Një dokument shumë i rëndësishëm për integritetin e figurës së punonjësit të AMP dyshohet se është manipuluar.  2 efektivë të Komisariatit nr. 3, Bruno Cara, specialist për hetimin e krimeve dhe Arshim Zajmi, specialist i policimit në komunitet, përpiluan Vërtetimin e Besueshmërisë për Muçi Shaljanin, pa pasqyruar në të, të dhënat që përbëjnë shkak për cenimin e kushteve të sigurisë. Ky vërtetim është një proces ligjor i kontrollit dhe verifikimit të figurës së punonjësve apo kandidatëve që synojnë të punësohen në këtë strukturë. Cara dhe Zajmi janë ndaluar nga AMP dhe dosja ia kalur prokurorisë, për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:11
Nuk pasqyruan të dhëna që inkriminojnë Muçi Shaljanin, AMP ndalon 2 punonjësit e policisë që përpiluan Vërtetimin e Besueshmërisë gjatë rekrutimit

1762939605_muishaljani.jpg

Muçi Shaljani

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar 2 punonjës policie, të cilët dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë në rekrutimin Muçi Shaljani pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë.

Në njoftimin e AMP-së Nënkomisari Bruno Cara me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor Ashim Zajmi me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, akuzohen  për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve" dhe "Shpërdorim i detyrës".

Vërtetimi i Besueshmërisë është një proces ligjor i kontrollit dhe verifikimit të figurës së punonjësve të Policisë së Shtetit, ose të kandidatëve që synojnë të punësohen në këtë strukturë. Ky proces bëhet për të garantuar integritetin, moralin dhe ligjshmërinë e sjelljes së punonjësve të policisë.

Muçi Shaljani, u plagos dje gjatë një atentati pranë Aeroportit të Rinasit teksa drejtonte një makinë luksoze me pasagjer Gilmando Danin, i cili mbeti i vdekur në vendngjarje.

Njoftimi i plotë i AMP-së:

Në vijim të komunikimit në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimmin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas kryerjes së veprimeve hetimore, ka ndaluar punonjësit e policisë Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve dhe Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet, pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i vulave i stampave ose i formularëve" dhe "Shpërdorim i detyrës".

Këta punonjës policie dyshohet se në bashkëpunim kanë përpiluar Vërtetimin e Besueshmërisë për shtetasin M.Sh., pa pasqyruar në të, të dhënat të cilat përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim i papërmbushur është i përcaktuar në dispozitat e ligjit "Për Policinë e Shtetit" dhe ligjet që normojë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, gjë që ka sjellë punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gjithashtu nga veprimet paraprake të kryera nga AMP-ja në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore. Në përfundim të verifikimeve, me qëllim hetimin objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare u dërgua në formën e kallëzimit penal në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të përcaktuar grupin hetimor dhe  përgjegjesitë ligjore të personave, të cilët janë konstatuar në paligjshmëri.

Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të procedurave të ndjekura dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast.

Ora 12:50
Atentati në Rinas/ Agjenti i AMP i plagosur rëndë, ministrja Koçiu thërret në takim drejtorin Eduart Merkaj

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Eduart Merkaj është thirrur në një takim nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu. Takimi vjen një ditë pas ngjarjes së rëndë në Rinas, ku mbeti i plagosur një punonjës i AMP-së, raporton gazetari i Report Tv, Sokol Dema.

Muçi Shaljani Sheqeri është punonjësi i AMP që ka mbetur i plagosur rëndë pasditen e djeshme. AMP bëri me dije me një reagim zyrtar, pezullimin e një zinxhiri komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP me urdhër të Merkaj deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Ora 10:44
Atentati në Rinas, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pezullon zinxhirin komandues të Forcës Operacionale

1762940921_muishaljani.jpg

Muçi Shaljani allias Sheqeri dhe AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar për atentatin dje në Rinas, ku u vra krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe u plagos agjenti i këtij institucioni, Muçi Shaljani allias Sheqeri. Agjencia e Mbikëqyrjes Policiore ka nisur verifikimin në lidhje me procedurën e rekrutimit tij.

Ndërkohë, drejtori Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit "Nënë Tereza", ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, M.Sh, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në komunikimet në vijim do të bëhen me dije rezultatet e këtyre veprimeve”, thuhet në reagim.

Ora 10:23
Atentati në Rinas, Muçi Shaljani u punësua si agjent i Mbikëqyrjes Policore pa certifikatë sigurie, nis hetimi

1762939605_muishaljani.jpg

Muçi Shaljani allias Sheqeri

Muçi Shaljani allias Sheqeri i cili mbeti i plagosur në atentatin në Rinas prej 3 muajsh shërbente si agjent i Mbikëqyrjes Policore. Burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema pranë Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar (DSIK), institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së bëjnë me dije se Muçi Sheqeri nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie, ndaj ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën e punësimit të tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.  Sheqeri është punësuar në muajin shtator kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi.