Muhamet Fejzo: Si i hoqën rolin
Ndrenikës se kishte vëllain e arratisu

Muhamet Fejzo: Si i hoqën rolin<br />Ndrenikës se kishte vëllain e arratisu
Regjisori Muharrem Fejzo në librin e tij “Të pathënat”, rrëfen edhe disa detaje për filmin “Fijet që priten”. Rolin kryesor të këtij filmi, atë të Marko Ruvinës, ishte vendosur ta luante Robert Ndrenika. Por, Feçor Shehu vendosi që Ndrenika të përjashtohej nga ky film, pasi kishte pasur një vëlla të arratisur. Rolin më pas e mori Kadri Roshi, edhe pse sipas Fejzos, ai ishte i dënuar me punë të detyruar në Dajt, për “imoralitet”.

Ja çfarë shkruan Fejzo:

“Atë ditë që kompozitori do të shihte filmin, në oborrin e Kinostudios hyri me uturimë një “Gaz”! Që andej zbriti fytyrëvrarë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu. Mbetëm të befasuar pse do të kishte ardhur. Përpara doli drejtori ynë, bashkë me shokët e partisë. Ngjitën shkallët dhe morën drejtimin për nga salla e shfaqjeve.

Hapat e grupit oshtinë në tremën e studios. Shoku Feçor panoramoi vështrimin në stendat e mëdha vendosur në muret e sallonit të madh. Një bisedë e shkurtër përpara shatërvanit të vogël, në murin përballë. Drejtori më bëri me shenjë që të përgatisja shpejt shfaqjen e filmit. Isha në pultin e komandimit, kur dera u hap dhe brenda hyri shoku Feçor. Pas atij u ulën të gjithë. Drejtori ktheu kokën nga unë dhe më dha shenjë të filloja. Ashtu u bë.

Filmi kaloi akt pas akti në një heshtje klithëse! Ishim të gjithë mes hamendësimesh! Ç’të ketë ndodhur vallë?! Ndjeva veten t’i ngjaja një trungu pa rrënjë, pa degë. Lëkura më mizëronte. Trokun e zemrës e ndieja te kokërdhokët e syve. Filmin e pashë, por nuk mbaja mend asgjë. Në ekran u dukën kuadrot e fundit me atë “happy end” të porositur.

Dritat u ndezën dhe pashë te fytyra e zëvendësministrit një rreze drite. Një buzëqeshje! Qenia ime doli nga akullnaja. ­ Thirre, thirre atë regjisorin, i tha drejtorit. Nuk ishte e nevojshme. Fjala jehoi në muret e sallës. Sakaq u ndodha përpara tij. Ishte i shkurtër bajagi. Nuk ishte hera e parë që përplasnim sytë me njëri-­tjetrin. Dikush më afroi një ndenjëse. Për një çast e ndjeva veten si në hetuesi.

Shoku Feçor m’i mbërtheu sytë me një zhbirim të frikshëm. Po rrija mbi gjemba derisa ai të fliste. Krahu i tij u ngrit dhe peshoi mbi shpatullën e drejtorit. Ai u bë flakë në fytyrë. ­Mirë, shfryu zëvendësministri. More, po ky artisti sikur vërtet ka qenë në organet tona. Ka punuar mirë qerratai…!. Po notoja në një mjegullnajë hamendësish. Për kë e kishte fjalën? Për Kadriun, me siguri. Apo për Demirin? Hamendjen time nuk e la të hiqet zvarrë, kur përmendi mbiemrin e Robertit.

Ai nuk foli më gjatë dhe gracka e dyshimit u vendos sërish. Vështrimin e hodhi te këmbët, panoramoi vertikalisht deri te sytë e mi. Mori frymë thellë dhe më pas lëshoi kumtin e hidhur: ­Duhet ta zëvendësosh, shoku regjisor! Me siguri ju nuk mund ta dinit që ai ka një vëlla të arratisur! Ndryshe nuk mund t’i besonit atij rolin kryesor dhe, për më tepër, atë të punonjësit të Armës së Sigurimit. Apo jo? Ëëëë?” 

Po priste një përgjigje nga drejtori, por ai e pasoi tek unë. Përgjigja sakaq, më erdhi në majë të gjuhës: ­Konsulenti juaj, shoku Farudin Ponçari dhe autori i skenarit, shoku Neshat, nuk e dinin këtë gjë? Mendoni pak, heqja e aktorit nga filmi është një goditje e rëndë psikologjike dhe shoqërore. Ajo mund të bëhet vetëm në rast se aktori nuk jep rezultat në realizimin e rolit të tij….

Ai nuk tha asnjë fjalë. U drejtua nga dera dhe ngjiti shkallët për të vajtur te zyra e drejtorit. Ne mbetëm të shushatur me një pikëpyetje të madhe, që kish pushtuar gjithë materien gri. Mbas gjysmë ore, erdhi drejtori dhe më tha: ­Duhet të mendosh për zëvendësimin e Robertit. Nuk më la të them asnjë fjalë më tepër. Ngriti supet, për të treguar se nuk kishte asnjë mundësi tjetër.

Gjaku më hipi në kokë. Nuk artikuloja dot fjalët. Kur ai ishte duke u larguar, i thashë: ­Unë nuk kam kurajën civile t’i jap këtë kumt, shoku drejtor. Bëni çfarë të doni. Pas kësaj ngjarjeje, dromca bisedash qarkullonin në kryeqytet. Ajo që e kishte ndier më shumë këtë paradoks të kohës, që ishin me dhjetëra në fushën e artit dhe letërsisë, ishte Roza Anagnosti. Ajo vazhdonte xhirimet me makthin në zemër se do t’i vinte radha dhe asaj të pësonte fatin e Robertit”. 

Marrë nga Gazeta Tema
robert ndrenika
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Spiropali akuza opozitës për drejtësinë: Jeni me dy standarde; Armiqtë në litar, shokët e partisë të lirohen menjëherë

Spiropali akuza opozitës për drejtësinë: Jeni me dy standarde; Armiqtë në litar, shokët e partisë të lirohen menjëherë