E takojmë Invën pak orë para koncertit që do të mbahet në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Sopranoja e njohur e konsideron një figurë shumë të rëndësishme nënën e saj.
E lindur në Rusi, artistja Nina Mula iku nga vendi i saj për hir të dashurisë së madhe për shqiptarin Avni Mula, tenor i njohur, me të cilin u miqësuan gjatë kohës që ai kreu studimet në konservatorin "Çajkovski" të Moskës rreth viteve '50.
Ndërsa e bija Inva Mula që falë talentit dhe edukimit të prindërve të saj u ngjit në skenat më të njohura të operës botërore e kujton me nostalgji duke u shprehur se për të ka qenë edhe profesoreshë, edhe nënë, edhe artiste, dhe ka ndikuar mjaft në zhvillimin e karrierës së saj.
"Artisten ruso-shqiptare Nina Mulën e kujtojnë të gjithë me dashuri. Ajo i kushtoi jetën dhe profesionin Shqipërisë, ndërsa vendlindjen e saj e pa me sy vetëm pas rënies së komunizmit", thotë Inva Mula.
Koncerti përkujtimor për Nina Mulen është i veçantë. Mikesha e saj e skenës Suzana Turku dirigjon korin, ndërsa Genc Tukiçi dhe ish-studentët e Nina Mulës, si mexosopranoja Irida Dragoti, që ka ardhur enkas nga Roma e tenori Klodian Kaçani janë pjesë e këtij koncerti që realizohet në bashkëpunim me Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.
Është mallëngjyes fakti që tregon Inva Mula se studenti i fundit i cili ka marrë mësime nga Nina Mula ka genë një nga më të talentuarit Klodian Kaçani, për të cilin me të drejtë ajo thotë "Klodi është një testament të fundit artistik i Nina Mulës, të cilin e ka drejtuar deri në çastet e fundit te jetës.”
Artistja Inva Mula gjate kësaj interviste shpreh jo vetëm mallin dhe nostalgjinë për Nina Mulën si nënë, por edhe për vlerat e virtytet e dashurisë humane që artistja e madhe s'i shteri deri në frymën e fundit.
Intervista
Tani që nëna juaj nuk jeton më, çfarë ju vjen më shumë ndërmend nga imazhi i saj nga kujtimet e saj?
Dashuria për nënën është gjithmonë ajo që na mban fort në zemër kur jetojmë me prindërit dhe kur nuk i kemi më kjo dashuri është gjithmonë prezente në zemrat tona. Unë do të thoja që imazhi i saj dhe dashuria që ajo kishte për njerëzit mbi të gjitha për nxënësit e saj dhe jo pa dashje unë sot kam zgjedhur dy studentë të mamasë sime që ndajnë koncertin me mua sepse kështu ka qenë e gjithë jeta e saj, gjithmonë në ndihmë të të tjerëve.
Por ajo ka pasur edhe një distancë nga vendlindja e saj që është sot e pakonceptueshme por nëna juaj e ka ndjerë dhe ua ka treguar, na tregoni diçka për këtë distancë malli që kishte me vendlindjen e saj?
Unë e kam thënë gjithmonë që mamaja ime ka qenë një person që u dyzua në një jetë tepër shqiptare dhe me një dashuri dhe nostalgji për vendlindjen e saj. Për të bërë homazh pikërisht vendlindjes së mamasë sime ne e mbyllim koncertin me 2 këngë shumë të njohura ruse që do t’i ndajmë me publikun dhe korin dhe do tregojnë që doja ta ktheja këtë koncert në rininë e mamasë sime. Fillon nga repertor operistik, fillon nga një religjioz dhe mbaron në intonacionet e rinisë së mamasë sime.
Keni shkuar në vendlindjen e saj, a keni zbuluar rininë e nënës suaj, si ju vjen?
Në fakt nuk kam shkuar në vendlindje, gjithmonë kam pasur dëshirë. Koha nuk ka qenë asnjëherë e mjaftueshme por mendoj se ka ardhur momenti që vërtetë duhet të rizbuloj gjithë këtë prejardhje të bukur edhe tepër interesante për familjen time.
Kur e takoi nëna juaj për herë të parë vendlindjen?
Në vitin 1991 pas ndryshimeve në Shqipëri ajo ka qenë ndër të parat që ka shkuar në vendlindje po ka qenë me të vërtetë një shkëputje shumë e madhe prej 30 vitesh. Janë shumë edhe mendoj që ka qenë edhe shumë e vështirë edhe për atë sepse ajo ka ikur në kulmin e formimit dhe të rinisë dhe u kthye me flokë të thinjura.
Megjithatë mbeti figura e një madone, pavarësisht nga prejardhja e saj ruse, shqiptare sepse ishte nëna, gjyshja, mësuesja e studentëve shqiptarë, ky ka qenë besoj edhe portreti i nënës suaj gjatë gjithë jetën. Më tregoni për gjithë këtë marrëdhënie të botës shqiptare me nënën tuaj.
Bota shqiptare ka qenë shumë prezente, ajo në zgjedhjen që bëri ka qenë ishte një zgjedhje që ndonëse në fillim e ka bërë në efektin e dashurisë që ajo kishte për bashkëshortin e saj dhe më vonë mendoj se ishte bindje. Pasi ajo me të vërtetë erdhi në Shqipëri dhe u mundua në çdo moment t’i përshtatej jetës shqiptare, të krijonte miqësinë e saj që ishte shumë e madhe dhe të krijonte edhe një marrëdhënie shumë të bukur me këtë vend që ajo vërtetë e donte dhe u bë shumë shqiptare për arsyen se ajo mësoi gjuhën shumë mirë, mësoi të gjithë gatimet shqiptare, mësoi të gjitha traditat shqiptare dhe do të thoja që ishte me të vërtetë një grua për tu marrë shembull që arrin dyzohet në jetën e saj dhe të mos humbi asnjërën por të jetë prezente për të dyja.
Keni një efekt interesant në këtë koncert, “kori me gojë mbyllur”, çfarë simbolike është kjo për ju?
Simbolika e “Madamës Butterfly”, mamaja ime ka qenë një nga interpretueset e këtij roli që është një rol mitik në repertorin operistik dhe e ka dashur shumë këtë vepër, Unë kam edhe fotografi shumë të bukura të mamasë në rolin e Çorçosanit dhe për hir të këtij repertori të mbrëmjes së sotme ne kemi zgjedhur korin me gojë mbyllur jo arien e butterfly se edhe ky kor është rrëqethës dhe bën pjesë pikërisht në këtë repertor shpirtëror që ne kemi zgjedhur.
Keni zbuluar edhe një foto shumë të bukur të nënës saj, ka qenë në arkivat tona apo e keni gjetur diku tjetër?
Kjo foto ka qenë prezente në të gjithë fëmijërinë time dhe është kudo e varur në mur. Mamaja ime është në rolin e Rozinëz në operën Berberi i Seviljës dhe është një foto që unë e dua shumë dhe është një foto që më mallëngjen pasi ditët e fundit të jetës së saj përpara se ajo të shkëputej nga kjo botë dhe të binte në botën e kllapisë ma ka ritreguar këtë foto dhe më ka thënë: e di, kjo foto vjen nga një moment që nuk e harroj asnjëherë, është fotoja e fundit që ajo ma ka ritreguar prandaj unë kam zgjedhur këtë foto.
Pra kjo është një foto fjalët e fundit, vështrimi i fundit?
Po besoj se janë çastet e fundit. Mamaja ime në atë foto ka qenë shtatzënë, priste fëmijën e parë, priste motrën time edhe ishte krenare që ajo këndonte deri në një shtatzano të avancuar dhe tregoi që një artiste nëse është në formë të mirë fizike duhet që në çdo moment të jetë në aktivitet.
Çfarë ju ka lënë tjetër kujtim në familjen tuaj me dashurinë e saj nëna, sepse është momenti pikërisht për ta kujtuar jo për faktin më fal që u ngacmon në kujtime, por ajo ka mbetur një figurë e dashur për të gjithë ne.
Unë mendoj që ka më bukur se të kujtojmë një artiste më muzikë, ta kujtomë në mes miqsh me këtë lloj dashurie që ajo pati për artin, për muzikën, për studentët e saj për këtë repertor, për Teatrin e Operës dhe Baletit dhe pikërisht kjo ngjarje është shumë e bukur, është shumë prekëse. Unë nuk doja ta kujtoja mamnë time me një dokumentar, me një koncert pompoz, me foto të hedhura në një ekran të madh, jo. Doja ta kujtoja shpirtërisht me qetësinë që ajo kishte me madhështinë e shpirtit të saj dhe mbi të gjitha me këtë dashuri që ajo diti ta falë në jetën e saj.
Dhe janë 2 studentë të talentuar të cilët besoj se ata kanë marrë më shumë se paraardhësit prej nënës suaj sepse janë bashkuar elementi i profesores dhe i nënës së pjekur në kohë dhe vite nga dashuria.
Në fakt të gjithë studentët e nënës sime kur diskutoj me ta më thonë që nuk ka qenë vetëm një profesoreshë, ka qenë një nënë. Një nënë që u jepte edhe për të ngrënë kur ata kishin uri. Shtëpia jonë ka qenë shumë e hapur dhe ajo ka qenë një nënë për të gjithë studentët e saj, më shumë se kaq nuk mund të flas sepse unë prekem dhe duhet të ruaj emocionet për sonte.
Klodian Kaçani që ka një zë nga më të mirët, kujtime për talentin e tij?
Klodian Kaçani ka qenë studenti i fundit që ka marrë mësime me mamanë time. 2 javë përpara se ajo të vdiste Klodi do dilte në një koncert dhe shkoi për të marrë mësime. Mamaja ngrihet nga krevati dhe akoma e kam përpara syve se ajo ishte shumë e sëmurë dhe u ul në piano dhe i dha mësimet e fundit Klodit. Kështu që unë e kur shikoj Klodian Kaçanin më bëhet zemra mal për të gjithë ecurinë e tij profesionale sepse mendoj që Klodit mamaja sikur i la testamentin e fundit atë të dashurisë për artin.
Dhe studentja tjetër që jeton në Itali...
Studentja tjetër është Irida Dragoti. Ajo ishte 13-vjeç kur mamaja e ka marrë. Ajo ka qenë në mëdyshje të bënte këtë profesion apo jo për arsye se ishte shumë e re dhe duke parë ngjyrën e zërit të saj që ishte shume shumë interesante mamaja këmbënguli që Irida t’i futej kësaj rruge dhe me të vërtetë nuk gaboi pasi Irida ju fut kësaj rruge të bukur e të mundimshme po me shumë sadisfaksion she sot jam shumë e lumtur që ajo erdhi posaçërisht nga Roma për të ndarë këtë koncert.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com